U takua koalicioni qeverisës i RMV-së: Të votojmë për Evropën
Liderët e koalicionit qeveritar sot zhvilluan takim të rregullt me liderët e koalicionit qeveritar, në krye me kryeministrin e vendit. Takimi u fokusua në prioritetet strategjike të vendit dhe rëndësia e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, transmeton Portalb.mk.
Kryeministri përcolli mbështetjen e vendit nga SHBA-të për vazhdimin e rrugës evropiane nga takimet e punës që ka pasur në Nju Jork dhe Uashington.
Kovçevski deklaroi se në këtë kontekst, me partnerët e koalicionit në takimin e sotëm u dakorduan se qëllimi i tyre strategjik është anëtarësim i plotë në BE deri në vitin 2030.
“Në këtë qëllim na mbështesin edhe partnerët tanë strategjik. Nga ana tjetër, ata që e bllokojnë vendin tonë drejt rrugës evropiane, duhet të vendosin si më tej. VMRO-DPMNE-ja do të duhet të vendos nëse do të bëhet pjesë e bllokut evropian ose do të mbetet nën pengun e Së Majtës. Shumë shpejtë do të vendosin nëse do të kapin trenin e fundit dhe do të bëhen pjesë e bllokut proevropian i cili sjell vendime për aderimin e Maqedonisë së Veriut në BE”, tha Kovaçevski.
Ai theksoi se edhe përfaqësuesi i lartë i SHBA-ve, Gabriel Eskobar, dërgoi mesazh të qartë .
“Opozita nuk duhet të më jep mbështetje mua, duhet ta mbështesin të ardhmen evropiane të qytetarëve tanë. Ndërsa qytetarët tanë duan të jetojnë në BE, por këtu, në vend, në Maqedoninë e Veriut, vend anëtar i BE-së. Opozita refuzon të bëhet pjesë edhe në grupin e punës për përgatitjen e amendamenteve kushtetuese”, tha Kovaçevski i cili shtoi se anëtarësimi i plotë në BE deri në vitin 2030 është ambicioz, por qëllim i arritshëm për shtetin.
Përndryshe, sot grupi punues për përgatitjen e propozim-nismën për ndryshimet kushtetuese me të cilat bullgarët dhe popujt e tjerë të përfshihen në aktin më të lartë juridik të shtetit, në seancën e sotme në Qeveri njëzëri miratoi Rregulloren e Punës.
Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.
Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.