Gjashtë muaj nga tragjedia në Koçan, pas marshit në Koçan, sonte do të mbahet tubim paqësor në sheshin e Shkupit
Sot mbushen gjashtë muaj nga tragjedia në Koçan, kur një zjarr i madh në kabarenë e ashtuquajtur “Pulse” vrau 62 persona dhe plagosi mbi 200 të tjerë. Rasti është një nga tragjeditë më të mëdha në historinë e kohëve të fundit në Maqedoni, transmeton Portalb.mk.
Me këtë rast, sonte në orën 20:16 në Sheshin “Maqedonia” në Shkup do të mbahet tubim paqësor për t’u bërë homazh viktimave. Protesta është thirrur nga iniciativa “Kush është i radhës”.
Sot në mesditë në Koçan u mbajt tubimi “Marshi për engjëjt” i organizuar nga prindërit dhe të afërmit e të ndjerëve. Marshimi filloi nga “Parku i Revolucionit” ku edhe do të përfundojë.
Aktakuza për zjarrin në kabarenë e ashtuquajtur “Pulse” në Koçani u ngrit pothuajse tre muaj pas tragjedisë, më 13 qershor. Janë akuzuar gjithsej 34 individë dhe tre persona juridikë.