Gërvalla në OKB: Serbia s’do marrëveshje me Kosovën, po e rrit varësinë ndaj Rusisë

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, deklaroi në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, se Serbia po e rrit varësinë ndaj Rusisë dhe ky shtet sipas saj, nuk konsiderohet demokratik për shkak të veprimeve, raporton Koha.net. Ajo deklaroi të enjten se Serbia nuk dëshiron marrëveshje me Kosovën, por vetëm çrregullime të çfarëdoshme.

“Serbia s’do marrëveshje, ajo do të çrregullojë çfarëdolloj marrëveshje. Serbia në 2023-n s’dëshiron të inkuadrohet në BE, i do miliardat e BE-së, por s’do anëtarësim…Vuçiqi e Daçiqi duan rend të dirigjuar nga Moska, por kjo s’do të mund dhe s’do të bëhet pasi NATO-ja s’ka për të lejuar një rend për një vend ku lufta dhe invazioni janë mënyra të politikës”, tha ajo.

Sipas Gërvallës, shteti serb po e rrit varësinë ndaj Rusisë, e kjo siç tha ministrja, u dëshmua me marrëveshjen e nënshkruar me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov, për forcimin e politikave të jashtme.

“Kosova thekson se kurrë më s’do të jetë e pambrojtur dhe viktimë e një gjenocidi dhe kurrë më s’do të ketë gjenocide. Kurrë më s’do të qëndrojmë të pambrojtur pa aleatët tonë. Jemi të aftë të mbrojmë shtetin tonë. Kosova ka përforcuar rrugëtimin e saj lidhur me integrimin evropian. Kosova është shembull se çka mund të bëjë një shtet kur pastron korrupsionin dhe avancon sundimin e ligjit. Kjo është arsyeja pse Kosova paraqet provokim për regjimin e Beogradit. Kosova ka dëshmuar se mund të kesh fillim të ri në vend të dorëheqjes, e kjo është kërcënim për Beogradin”, tha ministrja Gërvalla.

Ajo shtoi se Kosova në dy vjetët e fundit ka shënuar rritje të investimeve nga shtetet e jashtme.

“Kompanitë ndërkombëtare po hulumtojnë për investime prandaj kemi arsye të jemi optimistë. Nga e tërë bota, mesazhi dhe ftesa e presidentes është marrë me seriozitet për të investuar dhe eksploruar mundësitë e investimit në Kosovë”, shtoi ajo.

Përfaqësuesit e Francës, Britanisë së Madhe të Japonisë, përkrahën Kosovën dhe Serbinë për vazhdimin e dialogut deri në arritjen e një marrëveshje të qëndrueshme.

Zyrtarja e Francës deklaroi në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në OKB se palët duhet të përmbahen nga gjuha e ashpër dhe të punojnë për çështjen e targave dhe të energjisë elektrike në veriun e Kosovë.

Ajo tha se Kosova duhet të përgëzohet për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve më 23 prill në veri të vendit, por që sipas saj, ky proces zgjedhor s’mund të ofrojë zgjidhje afatgjate.

“Prioritet është themelimi i shpejt i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe kthimi i serbëve në institucione”.

Ndërsa, nga Britania e Madhe thanë se Kosova është ranguar lartë në renditjet e Evropës, e kjo sipas këtij shteti, është sukses i rëndësishëm.

“Britania e mbështet rezolutën 12 44, por kushtet në terren janë të papranueshme që nga 99-a dhe praktikat tregojen se është koha e rishikimit të UNMIK-ut…Palët të shmangin retoriken për një normalizim dhe zbatim të marrëveshjeve…I inkurajoj palët që të zbatojnë atë që është arritur”.

Japonia tha është i nevojshëm rishikimi i mandatit të UNMIK-ut dhe se Kosova e Serbia duhet të kontribuojnë për paqe dhe stabilitet në Ballkan

“Vazhdojmë të përkrahim angazhimin e Kosovës drejt anëtarësimit në BE. Inkurajojmë Kosovën drejt përmirësimin e ekonomisë, Qeveria të angazhohet konstruktivisht në dialogut”, u tha nga përfaqësuesja e Japonisë.