Kovaçevski-Fon der Lajen: Mbështetje e fuqishme nga KE për anëtarësimin e RMV-së në BE

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, u takua me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, në Bratisllavë, ku po marrin pjesë në Forumin Global të Sigurisë GLOBSEK 2023. Në takim mori pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Kryeministri Kovaçevski theksoi përkushtimin e Qeverisë për përmbushjen e reformave në kapitujt kyç të procesit të anëtarësimit në BE. Në të njëjtën kohë, Kovaçevski falënderoi për mbështetjen e Komisionit Evropian dhe marrëdhëniet e partneritetit në çdo fazë të procesit.

“Kovaçevski mori një siguri nga Fon der Lajen se BE-ja mbetet mik dhe partner i Maqedonisë së Veriut dhe ofron mbështetje të fuqishme për arritjen e një konsensusi politik për ndryshimet kushtetuese, për të mirën e vendit dhe rajonit. Në këtë drejtim u shpreh pritshmëria që të gjithë aktorët politikë në vend ta njohin rëndësinë e momentit për të ardhmen e vendit dhe të veprojnë në favor të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut”, informojnë nga Qeveria.

Sipas kumtesës, të dy bashkëbiseduesit konfirmuan përkushtimin dhe angazhimin e Bashkimit Evropian për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se kjo ndikon pozitivisht në proceset politike dhe agjendën e reformave, stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin ekonomik të shoqërive tona.

Ndryshe, Sofja zyrtare në vitin 2019-të kërkoi që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz TitoKy kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Me ndërmjetësimin e Francës, në RMV dhe Bullgari u votua një propozim për zgjidhjen e problemeve mes bullgarëve dhe maqedonasve, ndërkaq më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese, gjegjësisht derisa nuk futen bullgarët në Kushtetutën e RMV-së.