RMV-së i duhet përfaqësim më i madh i grave në pozita drejtuese, vlerësuan ekspertët

Në Maqedoninë e Veriut sot u prezantua edhe zyrtarisht shoqata joqeveritare Women on Boards Adria e cila ka për qëllim promovimin e barazisë gjinore në pozita të larta drejtuese. Në kuadër të konferencës “Gratë e suksesshme për një rajon të suksesshëm” në Shkup u mblodhën më shumë se 150 përfaqësues të qeverive, kompanive, organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare, si dhe liderë të komuniteteve të biznesit në RMV dhe në rajon. Mesazhi kryesor që u theksua ishte se vendi ka nevojë të për përfaqësim më të madh të grave në pozitat drejtuese, raporton Portalb.mk.

Biljana Braithwaite, Presidente e Women on Boards Adria theksoi se kjo nismë përpiqet të përmirësojë përfaqësimin e grave në pozita udhëheqëse në botën e biznesit duke ofruar mundësi trajnimi dhe mentorimi që do t’i lejojnë gratë të zhvillojnë më tej njohuritë e tyre dhe t’i përgatisin ato për hapat e ardhshëm në karrierën e tyre.

“Pjesëmarrja aktive e të gjithëve, si gra ashtu edhe burra, është e nevojshme në këtë rrugëtim. Kjo rrugë kërkon përgjegjësi dhe veprim të përbashkët nga të gjithë aktorët, përfshirë shtetin, institucionet, kompanitë e sektorit privat dhe publik, si dhe individët, tha Braithwaite.

Elizabeta Gjeorgievska, bashkëshortja e Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, theksoi se “lidershipi i grave nuk nënkupton vetëm përfaqësim më të madh të grave në numër.

“Me futjen e një numri më të madh të grave në bordet drejtuese, futen dimensione të reja në lidership”, tha Gjeorgievska.

Angela P. Ageler, ambasadorja e SHBA-ve në RMV theksoi se edhe pse kemi parë progres në vitet e fundit, si në SHBA ashtu edhe në RMV, gratë mbeten të nënpërfaqësuara në pozita udhëheqëse në sektorin publik dhe privat.

“Ne duhet të përfshijmë këndvështrime më të ndryshme nëse duam të zhbllokojmë potencialin e plotë të shoqërive dhe ekonomive tona”, tha Ageler.

Ben Knupnau, zëvendës shef i Delegacionit të Bashkimit Evropian në RMV , shpjegoi se Bashkimi Evropian ka zhvilluar një plan të zbatimit të GAP për Maqedoninë e Veriut, i cili përcakton fushat prioritare për punën e përbashkët për për të zhvilluar një shoqëri më të barabartë gjinore.

Asociacioni Rajona Women on Boards Adria (WBOA) për promovimin e barazisë gjinore në pozitat drejtuese të nivelit të lartë u prezantua në Maqedoninë e Veriut. Foto: WOBA
Asociacioni Rajona Women on Boards Adria (WBOA) për promovimin e barazisë gjinore në pozitat drejtuese të nivelit të lartë u prezantua në Maqedoninë e Veriut. Foto: WOBA

Fatih Turkmenoglu, shefi për Maqedoninë së Veriut në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, theksoi se “fuqizimi i grave është thelbësor për zgjerimin e rritjes ekonomike, promovimin e zhvillimit social dhe përmirësimin e performancës së biznesit.

Në konferencë foli edhe Fatmir Bytiqi, zëvendëskryetar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për çështje ekonomike, ai theksoi se çdo qeveri ka rol kyç në katalizimin e ndryshimit, qoftë përmes masave dhe politikave të ndjeshme gjinore, stimujve apo fushatave të avokimit publik.

Sllavica Grkovska, zëvendëskryeministre përgjegjëse për politikat të qeverisjes së mirë, shpjegoi se përfshirja e këndvështrimeve, përvojave, qasjeve dhe energjive të ndryshme sigurisht që çon në zgjidhje më të mira dhe më gjithëpërfshirëse në çdo fushë.

Tanja M. Dimitrievska theksoi se vizioni i saj si udhëheqëse dhe kryeambasadore e Women on Board Adria në Maqedoninë e Veriut është që talenti dhe ambicia të shpërndahen në mënyrë të barabartë ndërmjet të dy gjinive.

Ndryshe, në RMV gratë vazhdojnë të mbeten të nënpërfaqësuara në pozitat udhëheqëse, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.