Gashi-Zomer: Zotim për vazhdimin e bashkëpunimit miqësor midis RMV-së dhe Zvicrës

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, takoi sot ambasadorin e sapoemëruar të Konfederatës Zvicerane në vend, Kristof Zomer. Kryetari Gashi i ka shprehur urimet e tij për marrjen e detyrës, duke i uruar një mandat të suksesshëm dhe të frytshëm, si dhe vazhdimin e bashkëpunimit miqësor dhe konstruktiv midis të dyja shteteve, shkruan Portalb.mk. 

Nga kuvendit njoftojnë se, në takim u theksua se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Zvicra mbajnë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe, të bazuara në besim, respekt dhe bashkëpunim të vazhdueshëm si partnerë.

“U theksua veçanërisht mbështetja që Zvicra ofron në procesin e integrimit evropian të vendit tonë, si dhe rëndësia për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit parlamentar midis dy organeve legjislative. Kryetari Gashi shprehu mirënjohje për mbështetjen në kuadër të Programit të Mbështetjes së Kuvendit, me theks të veçantë në zhvillimin dhe forcimin e kapaciteteve institucionale të Kuvendit, përfshirë Institutin Parlamentar, projekt që përfaqëson një trashëgimi të qëndrueshme dhe një shembull të partneritetit të suksesshëm”, thuhet në njoftim.

Ambasadori Zomer falënderoi për mikpritjen e ngrohtë dhe vlerësoi bashkëpunimin midis dy vendeve deri më tani, veçanërisht në nivel parlamentar.

“Ai vuri në dukje se po e fillon mandatin e tij në një periudhë të shënuar nga arritje të rëndësishme në marrëdhëniet dypalëshe dhe shprehu pritjen e tij që përpjekjet e përbashkëta do të vazhdojnë për të promovuar bashkëpunimin në të gjitha fushat, duke përfshirë edhe inkurajimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik”, thuhet në kumtesën e kuvendit pas takimit.

Të dyja palët, thuhet tutje, shprehën gatishmërinë e tyre për të vazhduar projektet e përbashkëta, për të thelluar bashkëpunimin institucional dhe për të forcuar partneritetin midis të dyja shteteve.