Qeveria emëroi të besuarit për komunat Mavrovë–Rostushë, Gostivar, Qendër Zhupë dhe Vrapçisht

Qeveria njoftoi se në seancën e sotme, të 131-tën me radhë, ka vepruar sipas informimit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve lidhur me përfundimin e zgjedhjeve lokale 2025 për anëtarët e këshillave komunalë dhe të Qytetit të Shkupit, si dhe për zgjedhjen e kryetarëve të komunave dhe kryetarit të Qytetit të Shkupit, transmeton Portalb.mk.

“Lidhur me kushtin e nenit 132, paragrafi 2 i Kodit Zgjedhor, që për zgjedhjen e kryetarit të komunës të dalin në votime të paktën një e treta e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar në listën zgjedhore për komunën përkatëse, ky kusht nuk është përmbushur në komunat Vrapçisht, Gostivar, Mavrovë–Rostushë dhe Centar Zhupë.

Në bazë të kësaj, dhe duke u mbështetur në nenin 134, paragrafi 2 të Kodit Zgjedhor, Qeveria emëroi të besuar për ushtrimin e kompetencave të kryetarit të komunës në këto komuna si vijon: Oner Jakuposki, i besuar për Komunën Mavrovë–Rostushë, Arian Ibraim, i besuar për Komunën Qendër Zhupë, Bunjamin Kadriu, i besuar për Komunën Vrapçisht, Fadil Xhelili, i besuar për Komunën Gostivar,” thuhet në njoftimin e shërbimit për informim të Qeverisë.

Më tej shtohet se, në pajtim me nenin 134, paragrafi 3, Qeveria do ta njoftojë kryetarin e Kuvendit që të shpallë zgjedhje për kryetarë të komunave të lartpërmendura.

Lista zgjedhore në shqyrtim publik

Nga nesër, 26 nëntor, fillon shqyrtimi publik i listës zgjedhore për votuesit e regjistruar në katër komunat ku do të përsëriten zgjedhjet për kryetar komune. Votuesit e Gostivarit, Vrapçishtit, Mavrovë Rostushës dhe Qendër Zhupës do të mund të shikojnë të dhënat e tyre në listën zgjedhore nga data 26 nëntor deri më 10 dhjetor.

KSHZ-ja fton të gjithë ata që duan të ndryshojnë të dhënat e tyre, të bëjnë kërkesë në formë elektronike ose në zyrat rajonale të KSHZ-së. Institucioni për organizimin e zgjedhjeve gjithashtu bëri thirrje që qytetarët të paraqesin personat e afërt të familjes që nuk jetojnë më, për t’i shlyer nga lista zgjedhore.

“Njësitë dhe zyrat rajonale të KSHZ-së gjatë kohëzgjatjes së shqyrtimit publik do të punojnë çdo ditë, në periudhën nga ora 8 e mëngjesit, deri në ora 20 kurse më datë 10 dhjetor të vitit 2025, deri në ora 24. Gjatë kohëzgjatjes së shikimit publik qytetarët do të mund të parashtrojnë kërkesë për regjistrim, plotësim dhe shlyerje të të dhënave të listës zgjedhore që janë dhënë në shqyrtim publik”, deklaroi për AlsatM Abdush Demiri, nënkryetar i KSHZ-së.

Kujtojmë se në raundin e parë të zgjedhjeve në Gostivar pjesëmarrja ishte 33.31 përqind, në Vrapçisht 25.18 përqind, në Mavrovë dhe Rostushë 30.31 përqind dhe në Qendër Zhupë 21.49 përqind.

Zgjedhjet e përsëritura janë caktuar për 11 janar 2026. Fushata zgjedhore fillon 20 ditë para ditës së zgjedhjeve, nga 22 dhjetori dhe zgjat deri më 9 janar në mesnatë.

Maqedonia e Veriut më 19 tetor mbajti zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia e shtetit në të cilat zgjidhen kryetarë komunash dhe lista këshilltarësh në 81 njësi të vetëqeverisjes lokale, në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit. Ndërsa rrethi i dytë i zgjedhjeve më 2 nëntor.