Salla Universale ngec në procedurat e tenderimit

Ndërtimi i Sallës Universale në Shkup ka ngecur në procedurat e tenderimit. Siç informoi sot ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov, tenderi për përzgjedhjen e ndërtuesit ka dështuar dhe javën e ardhshme do të duhet të shpallet sërish, gjë që me shumë gjasë do ta vonojë procesin edhe për dy muaj të tjerë, transmeton Portalb.mk.

Lutkov njoftoi se Ministria ka marrë një informim nga Komisioni për Ankesa se tenderi nuk ka kaluar, për shkak se ka një ankesë kundër kompanisë së vetme që ishte paraqitur.

I pyetur nëse Shkupi do të ketë një Sallë Universale të re deri në vitin 2028, kur qyteti do të jetë Kryeqyteti Evropian i Kulturës, ministri u përgjigj se procesi do të shtyhet edhe për dy muaj dhe se për tenderin e ri do të nevojitet më pak kohë.

“Procedura e përsëritur do të zgjasë pak më shkurt, sepse faza në të cilën e përgatisnim tenderin zgjati rreth 15–20 ditë. Tani për atë fazë nuk ka më vërejtje, që do të thotë se menjëherë do ta shpallim tenderin sapo të kalojnë dhjetë ditët e parashikuara. Njoftimin e morëm javën e kaluar, të mërkurën ose të enjten, dhe menjëherë pas përfundimit të atyre dhjetë ditëve do ta publikojmë sërish. Kjo është rreth 30 ditë. Shpresoj që deri në mesin e janarit ta kemi ndërtuesin e ri,” tha Lutkov.

Në shtator, Lutkov kishte paralajmëruar se Salla Universale do të ishte e gatshme deri në fund të vitit 2027 dhe funksionale për programin “Shkupi, Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028”.