Gashi është në spital për shkak problemeve me stomakun, konfirmoi drejtori i Kirurgjisë Digjestive 

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, është shtruar në spital në Klinikën për Kirurgji Digestive për shkak të bllokimit të zorrëve, transmeton Portalb.mk.  

Pas lajmeve në media për kryeparlamentarin Gashi, me njoftim kanë dal edhe nga zyra për informim e Kuvendit. 

“Lidhur me informacionin e publikuar në media rreth gjendjes shëndetësore të kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, informojmë publikun se ai është shtruar dje në Klinikën Universitare për Kirurgji Digjestive. Gjendja shëndetësore e z. Gashi është e qëndrueshme dhe aktualisht po kryhen ekzaminime të hollësishme mjekësore”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Nga aty shtuan se të gjitha informacionet e mëtejshme do t’i ofrohen publikut në kohën e duhur nga institucionet kompetente.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se Gashi, ndodhet në gjendje stabile shëndetësore.

“Rreth mesnatës ai është hospitalizuar në Klinikën e Kirurgjisë Digjestive me dhimbje barku dhe menjëherë janë kryer ekzaminimet e nevojshme radiologjike dhe laboratorike, ku është konstatuar një obstruksion intestinal në zorrën e hollë. Ai është mbajtur për trajtim spitalor dhe ndodhet nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore”, thanë nga Ministria e Shëndetësisë.

Aktualisht është në trajtim konservativ me medikamente dhe nuk ka indikacione për trajtim kirurgjikal.