Fushata zgjedhore në RMV, gjuha e urrejtjes i mbuloi hallet e qytetarit
Më shumë se programet zgjedhore në fushatën zgjedhore për zgjedhje lokale në Maqedoninë e Veriut që do të mbahen fundjavën që vjen, më 19 tetor, në skenën politike ka dominuar dueli i personaliteteve me gjuhë të urrejtjes. Një duel personalitetesh që më shumë i ngjante një shfaqjeje gjyqësore sesa një platforme demokratike. OJQ-të kanë dënuar gjuhën e urrejtjes, derisa për njohësit e rrethanave politike, retorika e ashpërsuar me gjuhë të urrejtjes është vetëm një betejë një luftën e gjatë politike të protagonistëve politik, shkruan Portalb.mk.
Ajo që do të duhej të ishte garë programore u kthye në një garë kush e fyen më rëndë tjetrin.
Si nisi “shfaqja” me kryefjalë gjuhën e urrejtjes?
Ali Ahmeti, kreu i BDI-së, nga konventa promovuese e besëlidhjes Aleanca Kombëtare për Integrim, më 28 shtator, në Shkup, i krahasoi kundërshtarët e tij me “zagarë” që ndjekin lepuj, ndërsa veten dhe mbështetësit e tij i quajti “shqiponja që fluturojnë lart”. Metafora, ndonëse artistike, mbart një ngarkesë përçmuese.
“Hristijan Mickoski, me zagar dilet në gjueti për lepuj, por jo për shqiponja, se shqiponjat nuk zihen, as me zagar, as me lakej, e as kasnec, të cilat ti po i stërvit, për të na denigru neve. Po ta përsëris edhe njëherë shqiponjat fluturojnë lartë në kaltërsi, zagarët ruaj për lepuj”, tha Ahmeti.
Reagimi erdhi me të njëjtën monedhë, por shumë më i rëndë. Adnan Azizi, kuadër i Lëvizjes Besa, njëherazi shef i shtabit të VLEN-it për zgjedhjet lokale 2025, në konventën promovuese të koalicionit VLEN, më 20 shtator, në Shkup, e quajti Ahmetin “vrasës të shqiponjave”, duke e akuzuar për implikim në vrasjen e disa komandantëve të UÇK-së si Harun Aliu (Komandant Kushtrimi), Shaban Zenuni, Ridvan Neziri dhe Nuri Mazari.
Akuza të tilla, të pa mbështetura në prova publike, nuk janë më retorikë, janë përshkallëzim i gjuhës së urrejtjes në nivel të rrezikshëm.
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i VMRO-DPMNE-së, partia me të cilën udhëheq kryeministri Hristijan Mickoski.
“Ju nuk jeni shqiponjë, por një zog i zakonshëm. Në thelb, nuk jeni as shqiponja, por parti kriminale dhe e korruptuar”, thuhej, mes tjerash, në reagimin e partisë së VMRO-DPMNE-së.
Këto përplasje, në dukje thjeshtë luftë për vota, faktikisht është gjuhë e urrejtjes. Në këtë klimë, qytetari i zakonshëm ai që çdo ditë përballet me papunësinë, rrogat minimale dhe mungesën e shërbimeve publike, mbetet spektator i një shfaqjeje që nuk e përfaqëson aspak.

Komiteti i Helsinkit: Gjuha e urrejtjes, një kërcënim serioz për të drejtat e njeriut
Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut kanë reaguar për retorikën e politikanëve gjatë fushatës zgjedhore. Nga aty thonë se po e ndjekin me shqetësim rritjen e gjuhës së urrejtjes në hapësirat publike dhe në mediat sociale në prag të zgjedhjeve lokale në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Sipas KH, fushatat politike dhe paraqitjet publike duhet të bazohen në ide, argumente dhe respekt për diversitetin, dhe jo në mesazhe që nxisin përçarje, intolerancë ose dhunë.
“Gjuha e urrejtjes nuk është shprehje e të drejtës demokratike për lirinë e fjalës – ajo përbën një kërcënim serioz për të drejtat e njeriut, kohezionin shoqëror dhe procesin demokratik. Tendenca e aktorëve politikë dhe figurave publike për të përdorur ose toleruar këtë lloj retorike për mobilizim politik, e cila nxit drejtpërdrejt tensione midis komuniteteve të ndryshme, është veçanërisht alarmante”, thuhet në reagimin e KH-së.
Komiteti i Helsinkit u bëri thirrje partive politike dhe kandidatëve të përmbahen nga çdo formë e gjuhës së urrejtjes dhe të promovojnë një fushatë zgjedhore të drejtë dhe dinjitoze, medias, të mos transmetojë ose normalizojë deklarata që nxisin urrejtje, por të kontribuojë me përgjegjësi në një debat publik të informuar dhe konstruktiv, dhe qytetarëve, të raportojnë në mënyrë aktive rastet e gjuhës së urrejtjes dhe të mos marrin pjesë në përhapjen e saj.
“Zgjedhjet nuk duhet të bëhen një rast për thellimin e përçarjeve në shoqëri. Komiteti i Helsinkit monitoron dhe i përgjigjet vazhdimisht gjuhës së urrejtjes, e cila është një nga faktorët kryesorë që çon në krime të urrejtjes. Kjo është arsyeja pse ne besojmë se dënimi publik është më e pakta që mund të bëjnë strukturat politike, dhe se institucionet kompetente mund ta sanksionojnë këtë fenomen” përfundon reagimi i Komitetit të Helsinkit.

“Ata gjithmonë deklarohen se, po, do të kemi fushatë pozitive, do të ofrojmë zgjidhje, do të kemi plane. Por, sa të fillojë fushata dhe kalojnë ditët ajo bëhet gjithnjë e më e shtrembëruar. Pra, zgjedhjet lokale po bëhen, për fat të keq, vetëm një betejë tjetër politike e një lufte të gjatë politike”, tha profesori Xhigal.
Kujtojmë se, fushata zgjedhore për rrethin e parë ka filluar më 29 shtator dhe do të zgjasë deri më 17 tetor, ndërsa fushata për rrethin e dytë do të vazhdojë deri më 31 tetor.Rrethi i parë do të mbahet më 19 tetor, ndërsa rrethi i dytë më 2 nëntor.
Zgjedhjet lokale 2025 janë zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia e vendit.