Çka premtojnë Sedat Bislimi, Ejup Abazi dhe Azem Sadiku në programet e tyre për Komunën e Studeniçanit?

Në këto zgjedhje lokale për kryetar të Komunës së Studeniçanit garojnë tre kandidatë, kryetari aktual i komunës Azem Sadiku i pavarur, Sedat Bislimi nga VLEN, dhe Ejup Abaz nga AKI. Rrethi i dytë pritet të zhvillohet midis dy kandidatëve nga VLEN dhe AKI. Në Komunën e Studeniçanit të drejtë vote kanë 17,946 qytetarë. Portalb.mk ka analizuar premtimet e Bislimit, Abazit dhe Sadikut nga programet e tyre.

Sipas anketës së Portalb.mk për problemet e kësaj komune, qytetarët kanë vlerësuar si problem më të madh me 20.4 % infrastrukturën (rrugët, parkimi, komunikacioni, ndërtimet), me 18.1 % shërbimet komunale (uji i pijshëm, grumbullimi i mbeturinave, ndriçimi publik, pagesat e taksave), me 17.6 % arsimin (kushtet në shkolla, politizimi, mungesa e stafit), me 16.1 % probleme tjera, me 14% mjedisin (mbeturinat/deponitë, ndotja e ajrit, ndotja e ujit, ndotja e tokës), dhe me 13,8 % korrupsionin dhe nepotizmin (punësimi i kuadrove partiake, ndarja e tenderëve dhe mjeteve buxhetore, mito).

Infografik: Albina Ramadani/Portalb.mk
Infografik: Albina Ramadani/Portalb.mk

Infrastruktura

Premtimet Sedat Bislimit për infrastrukturën

Rikonstruktimi i rrugës lokale Studeniçan – Idrizovë. Rikonstruktimi i rrugës numër 10 me degët 1, 2 dhe 3 në Batincë. Rikonstruktimi i rrugës lokale 15 nga kryqëzimi me rrugën numër 10 në fshatin Batincë me rrugën rajonale nga 0 km deri 0.6 km dhe degën 1 të rrugës numër 10 nga 0 km deri 0,086 km, si dhe objektet shërbyese në rrugët komunale – urë në vendbanimin Batincë. Rikonstruktimi i rrugës rrethore në fshatin Moranë. Rikonstruktimi i rrugës lokale Markov Manastir-Mallçishtë. Investimi (asfaltimi) i rrugës Uji i Kuq-Kitka në realizim e sipër. Rikonstruktimi i rrugëve nr. 1 dhe nr. 2 në fshatin Studeniçan, duke mundësuar paraprakisht drenazhimin adekuat për ujërat atmosferikë dhe shtigjet për këmbësorë në njërën anë. Investim në asfaltim të njërës anë të rrugës nr. 5 që ende nuk është realizuar, në Koliçan të Poshtëm, Draçevicë dhe në vendbanime të tjera. Rikonstruktimi i rrugës lokale prej rrugës kryesore që kalon për në Koliçan e që shkon në Pagarushë, Vërtekicë dhe Gaber. Hapja e rrugës Studeniçan-Vërtekicë. Mirëmbajtja e të gjitha rrugëve në nivel të Komunës së Studeniçanit. Meremetimi i rrugëve të tokave bujqësore në fshatin Studeniçan dhe Moranë.

Premtimet e Ejup Abazit për infrastrukturën

Ndërtimi i rrugëve dhe rrugicave aty ku është zgjeruar vendbanimi me ndërtime si në Studeniçan, Batincë, Maranë etj. Zgjerimi dhe rikonstruimi i rrugës nr. 1 në Studeniçan nga qendra deri te Shkolla Naim Frashëri f. Studeniçan. Rikonstrumi i rrugës për në fshatin Maja e Zezë. Ndërtimi dhe rikonstruimi i rrugicave në fshatin Koliçan i Poshtëm. Ndërtimi i rrugës që çon deri te varrezat e fshatit Cvetovë. Ndërtimi dhe rregullimi parter i sheshit në qendër të Batincës. Ndërtimi dhe rregullimi parter i sheshit në qendër të Batincës. Ndërtimi i rrugës që lidhë fshatin Maranë me rrugën Regjionale. Rikonstrumi i rrugës për në fshatin Pagarushë, Vërtekicë dhe Gaber. Ndërtimi i gjitha rrugicave me kubza betoni në të gjitha vendbanimet. 

Premtimet e Azem Sadikut për infrastrukturën

Rruga Studeniçan-Idrizovë: përfundimi i pjesës tjetër pas 4 km të ndërtuar. Rruga Maranë: rruga regjionale dhe ndërtimi i rrethrrotullimit në Moranë. Rruga lokale Markova Sushicë – Mallçishtë. Rrugë lokale për Pagarushë, Vërtekicë dhe Gaberr (në 3 faza). Meremetim rrugësh për Ellovë, Maja e Zezë, Laki – Alldincë, Batincë dhe Maranë. Ndërtimi i infrastrukturës rrugore si bazë për zhvillimin e turizmit.

Mjedisi 

Premtimet e Sedat Bislimit për mjedisin

Zgjidhja e problemeve me deponitë e egra në nivel të komunës. Angazhimi i komunës lidhur me deponinë Drislla, që aty të investohet në modernizimin e deponisë, me qëllim të uljes së ndotjes. Pastrimi me kohë i shtretërve të lumenjve në fshatra, që mos të bëhen dëme ose përmbytje të vendbanimeve nga ujërat. Mirëmbajtja me pastërti dhe gjelbërime e vendeve publike në të gjitha vendbanimet e komunës (përfshi edhe objektet shkollore, fetare). Organizimi i grumbullimit të mbeturinave në të gjitha fshatrat. Vendosja e shportave për mbeturina në hapësirat publike. Pastrimi i shtretërve të lumenjve të fshatit Studeniçan, Batincë dhe Moranë tek pjesa e poshtme e tokave bujqësore.

Premtimet e Ejup Abazit për mjedisin

Pastrimi i deponive të egra në vendbanimet e mëdha. Pastrimi i kanaleve të hapura në fushën e Studeniçanit. Mbjellje drurësh dhe hapësira të reja të gjelbëruara. Ndërtimi i shtratit të përroit Meris në fshatin Studeniçan. Ndërtimi i shtratit të Lumit të Markut. Ndërtimi i shtratit të përroit të thatë apo Kërnjovë në fshatin Studeniçan. Ndërtimi i shtratit të përroit në hyrje të fshatit Maranë.

Premtimet e Azem Sadikut për mjedisin

Pastrim, gjelbërim dhe krijim i hapësirave të reja rekreative. Forcimi i Ndërmarrjes Komunale Studeniçani për shërbime më cilësore në gjithë territorin.

Shërbimet komunale

Premtimet e Sedat Bislimit për shërbimet komunale

Orare më të shpeshta të transportit urban në bashkëpunim me ndërmarrjen e transportit publik në kuadër të Qytetit të Shkupit. Kthimi i linjës së qarkullimit të transportit publik në fshatin Cvetovë. Rregullimi i ndriçimit publik në nivel të Komunës Studeniçan në të gjitha vendbanimet. Rregullimi i ujësjellësit në fshatin Studeniçan (lidhja e tubave deri tek ujëmatësit e çdo amvisërie të rrugëve 1 dhe 2), Moranë, Koliçan i Poshtëm, Pagarushë, Draçevicë dhe Batincë (pjesa e Dreshnicës). 

Premtimet e Ejup Abazit për shërbimet komunale

Ndriçim publik në të gjitha vendbanimet e komunës. Ndërtimi i rrjetit të kanalizimit nga hyrja e fshatit Maranë deri te hekurudha. Pastrimi i kanaleve të hapura në fushën e Studeniçanit. Ndërtimi i stacioneve për pastrim të ujërave të zeza. Ndërtimi i një pjese të rrjetit të kanalizimit në fshatin Batincë përskaj Lumit të Markut. Ndërtimi i kanalizimit fekal në fshatin Koliçan i poshtëm që kalon nëpërmjet fshatit. Zgjerimi i rrjetit të kanalizimit në të gjitha vendbanimet e komunës.

Premtimet e Azem Sadikut për shërbimet komunale

Vazhdimi i ndërtimit të ujesjellësit nga Liqenet e Sallakovës (5 km gyp kryesor, faza e parë e perfunduar). Ura mbi lumin e Markut në Batincë (Dreshnicë) dhe asfaltimi i 3,5 km rrugë lokale. Ndërtimi i shtratit të lumenjve (Marku, Dreshnicë, Moranë, Meris dhe Kërnjovë). Dokumentacion teknik për ujësjellës në Draçevicë dhe Batincë.

Arsimi 

Premtimet e Sedat Bislimit për arsimin

Ndërtimi i shkollës së re fillore në pjesën e poshtme të fshatit Studeniçan, duke mundësuar krijimin e kushteve për zhvillimin e mësimit tërëditor deri në klasën e tretë, por edhe në fshatin Moranë dhe Koliçan të poshtëm (ndërtimi i disa klasave të reja). Mirëmbajta e objekteve të tjera shkollore në Komunën Studeniçanit. Zhvillimi dhe përkrahja e arsimit përmes digjitalizimit të arsimit dhe krijimi i kushteve për arsim më cilësor (kompjuter për çdo klasë dhe projektor). Ndërtimi i një fushe të hapur sportive multifunksionale në fshatin Moranë. Ndërtimi i një salle sportive multifunksionale në shkollën fillore komunale “Rilindja” në Batincë dhe Koliçan të poshtëm. Vauçerë për materiale shkollore për nxënësit filloristë për të gjitha shkollat në Komunën e Studeniçanit. Përkrahje financiare për nxënësit dhe studentët që kanë vështirësi financiare gjatë studimeve. Sigurimi i ushqimit për nxënësit e shkollave fillore deri në klasën e 5 të. Investimi në panele për energji për shkollat tona që kështu të minimizohen harxhimet e energjisë elektrike. 

Premtimet e Ejup Abazit për arsimin

Rinovimi i të gjitha shkollave fillore, izolimi dhe fasadimi i shkollave fillore në të gjitha vendbanimet. Ndërtimi i 4 klasave në shkollën fillore “Mustafa Kemal Ataturk” në fshati Koliçan i Poshtëm. Rregullimi i oborrit dhe parterit në shkollën fillore “Azem Marana” në fshatin Maranë. Furnizimi me tabela të mençura për klasat e shkollave fillore në Komunën e Studeniçanit. Organizimi i transportit të nxënësve. Përkrahje financiare për nxënësit dhe studentët më të dalluar. 

Premtimet e Azem Sadikut për arsimin

Ndërtimi i shkollës së re fillore në Studeniçan. Renovime të vazhdueshme në shkollat ekzistuese. Sallat sportive: Batincë (Ljubosh, shkolla “Alija Izetbegovia”). Koliçan i poshtëm (shkolla “Kemal Ataturk”). Cvetovë (shkolla periferike “Alija Izetbegoviq”). Renovim i plotë i sallës sportive në Batincë (shkolla “Rilindja”).

Korrupsioni, nepotizmi, transparenca, llogaridhënia

Premtimet e Sedat Bislimit për transparencë dhe llogaridhënie 

Transparenca dhe llogaridhënia nuk përmenden në programin zgjedhor 2025-2029 të Sedat Bislimit.

 Premtimet e Ejup Abazit për transparencë dhe llogaridhënie: 

Platformë digjitale për komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët. Raportim i rregullt mbi realizimin e projekteve dhe menaxhimin e buxhetit. Thjeshtim i shërbimeve komunale përmes sporteleve digjitale dhe shërbimeve online. Përfshierje e banorëve në vendimmarrje për projektet e rëndësishme të vendbanimeve. 

Premtimet e Azem Sadikut për transparencë dhe llogaridhënie 

Transparenca dhe llogaridhënia nuk përmenden në programin zgjedhor 2025-2029 të Azem Sadikut.

Probleme tjera 

Premtimet e Sedat Bislimit nga fusha sociale, kultura, sporti, ekonomia, rinia dhe bujqësia 

Hapja e çerdheve në Studeniçan dhe Batincë. Ndihmë e njëhershme në para për familjet që e lindin fëmijën e tretë dhe të katërt. Decentralizimi i shërbimeve nga institucionet qendrore: hapja e qendrës sociale në fshatin Studeniçan (për momentin funksionon vetëm një zyre me një sportel vetëm për pranim të dokumentacionit), hapja e njësisë rajonale të Ministrisë së Bujqësisë, hapja e qendrës për punësim, hapja e zyrës së librave amë në Batincë.

Krijimi i kushteve për bujqësi dhe turizëm malor përmes promovimit të programit IPARD. Angazhimi në komunë i një agronomi, që do të ofrojë konsultime falas për bujqit. Promovimi i programit IPARD dhe i Programeve Nacionale të Agjencisë IPARD, që bujqit t’i shfrytëzojnë në maksimum programet dhe subvencionet që u ofrohen atyre. 

Ndërtimi i një fushe të hapur sportive multifunksionale në fshatin Moranë. Përkrahja financiare për të gjitha klubet e sportit (klubi i futbollit, mundjes dhe futsalit), si dhe klubet e tjera që do të formohen në komunën tonë. Vendosja e tribunave të reja në Qendrën Rekreative në Studeniçan. Mbulimi i harxhimeve për fëmijët që merren me sport për shfrytëzimin e objektit sportiv privat në Studeniçan. 

Ndihmë nga ana e komunës në formimin e shoqatave të bjeshkatarëve, çiklistëve dhe sporteve të tjera. Krijimi i shtigjeve malore për promovimin e turizmit malor, si dhe krijimi i mundësisë për rekreacion dhe sport (ecje, vrapim). 

Premtimet e Ejup Abazit nga fusha sociale, kultura, sporti, ekonomia, rinisa dhe bujqësia 

Mbështetje për bizneset e vogla dhe bujqësinë familjare me grante dhe trajnime. Mbështetje për familjet që duan të hapin bujtina dhe restorante tradicionale në fshatra. Promovimi i produkteve bio vendore si pjesë e ofertës turistike. Bashkëpunim me agjenci turistike për të futur Komunën e Studeniçanit në hartën e destinacioneve turistike të Maqedonisë së Veriut.

Ndërtimi i një fushe sportive në fshatin Batincë (Lagjja “Eski Mohalla”) me hapësira për futboll, basketboll dhe aktivitete rekreative. Krijimi i një fushe sportive në lagjen Dreshnic, për të nxitur aktivitetet fizike dhe bashkëjetesën mes të rinjve. Ndërtimi i një fushe sportive në lagjen Quprijan, për rritjen e mundësive të argëtimit dhe zhvillimit të sportit lokal. 

Çerdhe për fëmijë në fshatin Studeniçan dhe fshatin Batincë. Ndihmë familjeve të rrezikuara me ndihma financiare.

Hapja e një zyre rajonale për bujqit e rajonit të komunës së Studeniçanit. Rrafshimi dhe tamponimi i rrugëve të paasfaltuara që çojnë në tokat bujqësore. Përpjekja për gjetjen e mundësisë për ndërtimin e një sistemi për ujitjen e tokave pjellore. 

Premtimet e Azem Sadikut nga kultura, sporti, dhe turizmi

Qendra Rekreative Sportive: Vazhdimi i projektit ne Studeniçan. Ndërtimi në Batincë (Dreshnice dhe Ljubosh), Moranë, Uji Kuq dhe Draçevicë. Mbështetje për klubet sportive ekzistuese dhe nxitja e klubeve te reja.

Ndërtimi i dy çerdheve te reja (Studeniçan dhe Batincë). Ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës dhe këndeve të lojerave në të gjitha vendbanimet kryesore.

Ndërtimi i infrastrukturës rrugore si bazë për zhvillimin e turizmit. Plan i veçantë zhvillimor për malin Kitka (shtegje për kembësorë, atraksione turistike). Hartimi i planeve urbanistike për të gjitha vendbanimet. Plan urbanistik per zonë industriale me kushte të volitshme per investitorë lokalë dhe të huaj. 

Ndryshe, këto janë zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia e vendit.

Rrethi i parë do të mbahet më 19 tetor, ndërsa rrethi i dytë më 2 nëntor.

Fushata për rrethin e parë ka filluar më 29 shtator dhe do të zgjasë deri më 17 tetor, ndërsa fushata për rrethin e dytë do të vazhdojë deri më 31 tetor.