Frankofonia në Maqedoni u shënua me fokus te gratë frymëzuese dhe lidershipi femëror

Me rastin e kremtimit të Frankofonisë, ambasadori francez Christophe Le Rigoller e hapi konferencën “Gra të fuqishme: Portrete të frankofoneve frymëzuese”, e organizuar në Shtëpinë e Evropës nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Institutit francez në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Në fjalën e tij, ai përkujtoi se Frankofonia tejkalon kornizat gjuhësorë dhe paraqet një hapësirë vlerash të përbashkëta: solidaritet, dialog, llojllojshmëri kulturore dhe angazhim për barazi.

Ai theksoi se lidershipi femëror është një nxitës kyç i transformimit shoqëror, ekonomik dhe demokratik. Konferenca nxori në pah historitë frymëzuese të grave aktive në diplomaci, shoqëri civile, ekonomi dhe organizata ndërkombëtare, duke vlerësuar gjithashtu talentet femërore në vend.

Ambasadori gjithashtu përshëndeti pjesëmarrjen e disa ambasadorëve nga vendet frankofone në këtë konferencë, të cilët kontribuan në reflektimin mbi rolin e grave në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe në ndërtimin e shoqërive më inkluzive.

Moment shkëmbimi, frymëzimi dhe reflektimi, në shërbim të një qëllimi të përbashkët: forcimin e rolit të grave në ndërtimin e shoqërive më të drejta dhe të qëndrueshme.