Inteligjenca artificiale dhe të drejtat e pronësisë intelektuale, beteja të vështira përpara

Në cilin drejtim do të zhvillohet mbrojtja e të drejtave të pronësisë intelektuale nga inteligjenca artificiale, veçanërisht në industrinë kreative, është një temë që ka shumë të panjohura, të cilat do të mbeten objekt i debateve serioze, proceseve gjyqësore dhe debateve publike që do të ndodhin së shpejti, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Aktorët dhe skenaristët amerikanë dolën në grevë gjatë vitit 2023, në të cilën një nga kërkesat e tyre kryesore ishte rregullimi i përdorimit të veprave të krijuara nga inteligjenca artificiale. Sindikata më e madhe e aktorëve të Amerikës (SAG-AFTRA) kërkoi mbrojtje më të madhe kundër përdorimit të inteligjencës artificiale për të replikuar fytyrat dhe zërat e aktorëve, ndërsa skenaristët nga SHBA-aj të bashkuar në Shoqatën e Skenaristë të Shteteve të Bashkuara (WGA) kërkuan mbrojtje nga përdorimi i materialit të skenaristëve si të dhëna trajnimi të algoritmeve që përdorin inteligjencën artificiale.

Grevat disamujore të aktorëve dhe skenaristëve amerikanë kanë ngritur çështjen se si përmbajtja (fotografitë, videot, audiot, skenarët, librat dhe përmbajtjet tjera kreative) të e krijuar nga algoritmet që përdorin inteligjencën artificiale, siç është ChatGPT dhe MidJourney, do të ndikojnë në mbrojtjen e të drejtë së pronës intelektuale.

Çfarë është pronësia intelektuale?

Para se të kalojmë në tendencat aktuale në rregullimin e përdorimit të inteligjencës artificiale në industrinë krijuese, do të ishte e dobishme të përkufizohej se çfarë paraqet pronësia intelektuale.

Sipas Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale, pronësia intelektuale i referohet një spektri të gjerë krijimesh mendore, të tilla si shpikjet, veprat letrare dhe artistike, simbolet, emrat, fotografitë që përdoren në tregti, dizajne dhe të ngjashme.

Prona intelektuale mbrohet me ligj nëpërmjet patentave, të drejtave të autorit dhe markave tregtare, të cilat i mundësojnë njerëzve të fitojnë njohje ose të përfitojnë dobi financiare nga ajo që e krijojnë ose inovojnë. Duke e vendosur ekuilibrin e duhur midis interesave të inovatorëve dhe interesit më të gjerë publik, sistemi i pronësisë intelektuale synon të nxisë një mjedis në të cilin kreativiteti dhe inovacioni mund të lulëzojnë.

Në të njëjtën kohë, vëmendja më e madhe që po i kushtohet aktualisht në pjesën e ndikimit të inteligjencës artificiale është pikërisht fusha e respektimit të së drejtës së autorit. Zyra e SHBA-ve për të Drejtat e Autorit i përcakton të drejtat e autorit. Vepër e autorit është një vepër individuale dhe intelektuale në fushën e letërsisë, shkencës, artit dhe fushave të tjera të krijimtarisë, pavarësisht nga lloji, mënyra dhe forma e të shprehurit. Për më tepër, e drejta e autorit është një lloj pronësie intelektuale që i mbron veprat origjinale të autorësisë sapo autori ta bëjë veprën në një formë të prekshme shprehjeje.

Në grupin e veprave të autorësisë përfshihen llojet nga më të ndryshmet, duke filluar nga fotografitë artistike, përmes fotografive, ilustrimeve, kompozimeve muzikore, regjistrimeve zanore, programeve kompjuterike, librave, poezive, postimeve në bloge, filmave, veprave arkitekturore, dramave e shumë veprave të tjera.

Pronësi intelektuale, copyright, foto nga Mohamed_hassan/Pixabay
Pronësi intelektuale, foto nga Mohamed_hassan/Pixabay

Inteligjenca artificiale dhe veprat e aktorëve dhe skenaristëve

Ka kaluar një vit që kur u njoftua në janar të vitit 2023 se menaxheri i dizajnit të produkteve, Amaar Reshi, shkroi dhe dizajnoi librin e parë për fëmijë brenda 72 orëve, duke përdorur ChatGPT dhe Midjourney. Edhe pse Amaar ishte i emocionuar për faktin që ishte në gjendje të krijonte një libër për një kohë kaq të shkurtër, përdorimi i inteligjencës artificiale për të krijuar këtë libër shkaktoi një ortek reagimesh negative mes artistëve. 

U deshën vetëm pak muaj që reagimet negative të artistëve të shndërroheshin në protesta të hapura dhe në inicimin e grevave, të cilat prej muajsh e bllokuan industrinë më të madhe krijuese në botë – atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Krijimi i përmbajtjeve kreative të gjeneruara nga teknologjia e inteligjencës artificiale dhe çështja e rregullimit të kësaj çështjeje në SHBA ishte tema e debatit më të madh midis Sindikatës së Aktorëve të Ekranit dhe Aleancës së Prodhuesve të Filmit dhe Televizionit. Marrëveshja e arritur vjeshtën e kaluar mes dy palëve parashikon miratimin e një rezolute, e cili i mbron aktorët nga riprodhimi i fytyrave dhe zërave të aktorëve me ndihmën e inteligjencës artificiale. Në fakt, riprodhimet e tilla do të mund të përdoren nga kompanitë filmike dhe televizive vetëm me pëlqimin e vetë aktorëve.

Megjithatë, disa aktorë të shquar amerikanë, si Justin Bateman dhe Matthew Modine, e kundërshtuan marrëveshjen e arritur, duke shtuar se ajo do të kërcënonte pavarësinë dhe të ardhmen financiare të aktorëve.

Çështja e gjenerimit të përmbajtjeve krijuese me ndihmën e inteligjencës artificiale ishte gjithashtu temë e marrëveshjes edhe gjatë grevës së skenaristëve amerikanë me Shoqatën e Prodhuesve të Filmave dhe Televizionit.

Negociatat me skenaristët shkuan shumë më mirë, me ç’rast u dakordua një mbrojtje më e madhe e të drejtave intelektuale të skenaristëve përmes miratimit të Rregullave për përdorimin e inteligjencës artificiale. Marrëveshja nuk e ndalon përdorimin e mjeteve të inteligjencës artificiale në procesin e shkrimit të skenarit, por vendos masa mbrojtëse për të siguruar që teknologjia e re të mbetet nën kontrollin e punëtorëve, në vend që të përdoret nga shefat e tyre për t’i zëvendësuar skenaristët.

Sipas marrëveshjes, studiot nuk mund të përdorin inteligjencën artificiale për të shkruar skenarë që janë shkruar tashmë nga një autor, ndërsa studiot e filmit dhe televizionit nuk lejohen të trajtojnë përmbajtjen e gjeneruar nga inteligjenca artificiale si material origjinal – një roman ose vepra të tjera letrare.

Për shembull, marrëveshja i ndalon studiot të përdorin ChatGPT për të gjeneruar një roman me 100.000 fjalë dhe më pas t’u kërkojnë skenaristëve që ta përshtatin romanin për të krijuar përmbajtje filmike ose televizive. Gazeta britanike Guardian shkruan se kjo marrëveshje do të jetë në gjendje të përfaqësojë një bazë të drejtë për dakordimin me industri të tjera kreative në lidhje me përdorimin e inteligjencës artificiale.

Skenaristët amerikanë ranë dakord me punëdhënësit që autorët mund të përdorin ChatGPT nëse duan dhe nëse vetë kompanitë janë dakord me të, por gjithashtu që shkrimtarët nuk mund të detyrohen të përdorin teknologjinë e inteligjencës artificiale nga studiot e filmit dhe televizionit. Kompanitë gjithashtu duhet të zbulojnë sa herë që do t’u japin si detyrë shkrimtarëve të shkruajnë material që duhet të gjenerohet nga mjetet e inteligjencës artificiale. Në këtë mënyrë, në vend të punëdhënësve, kushtet e përdorimit të inteligjencës artificiale gjatë krijimtarisë kontrollohen nga punëtorët.

Intelegjenca artificiale (IA, IA). Foto nga Tara Winstead/Pexels
Intelegjenca artificiale (IA, IA). Foto nga Tara Winstead/Pexels

Rregullimi i inteligjencës artificiale në BE

Ndryshe nga praktika e deritanishme në SHBA, në BE parashikohet miratimi i Aktit të Inteligjencës Artificiale, i cili është temë e debatit intensiv muajt e fundit. Në fillim të dhjetorit të vitit 2023, Bashkimi Evropian arriti një marrëveshje për rregullimin ligjor të inteligjencës artificiale. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen më 9 dhjetor 2023 përshëndeti marrëveshjen politike të Parlamentit Evropian me Këshillin mbi Aktin e Inteligjencës Artificiale.

“Duke garantuar sigurinë dhe të drejtat themelore të njerëzve dhe bizneseve, Akti do të mbështesë zhvillimin, vendosjen dhe marrjen e inteligjencës artificiale me në qendër njeriun, transparente dhe të përgjegjshme në BE”, thuhet në deklaratën e Ursula von der Leyen.

Deri në zbatimin e plotë të zgjidhjes ligjore, tashmë rreth 100 kompani kanë shprehur interesim për t’u anëtarësuar dhe në baza vullnetare t’i zbatojnë detyrimet kyçe para afatit ligjor, theksoi presidentja e Komisionit Evropian.

Sipas informacioneve të shërbimt të Deutsche Welle në anglisht, ligjvënësit e BE-së përcaktuan se sistemet që krijojnë përmbajtje duke analizuar sasi masive të dhënash, siç është ChatGPT, paraqesin një rrezik mesatar. Rregullat e ardhshme ligjore të BE-së nënkuptojnë se kompanitë duhet të jenë transparente për mënyrën se si janë trajnuar modelet gjeneruese të IA-së, si dhe të zbulojnë se cilat të dhëna me të drejtë autori janë përdorur për këtë qëllim. Prandaj, përmbajtja e krijuar nga ChatGPT duhet të theksohet siç duhet.

Megjithatë, institucionet e BE-së do të duhet të vazhdojnë të finalizojnë detajet teknike të tekstit përfundimtar të Aktit të Inteligjencës Artificiale në periudhën e ardhshme, dhe pasi të arrihet dakordimi për tekstin përfundimtar, ai do të duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe nga Këshilli i Evropës në gjysmën e parë të vitit 2024. Pritshmëria është që zgjidhja ligjore do të hyjë në fuqi në tremujorin e dytë ose të tretë të vitit 2024.

Përndryshe, menjëherë pas arritjes së marrëveshjes në nivel të BE-së për Aktin e ardhshëm të Inteligjencës Artificiale, organizatat e shoqërisë civile shprehën rezerva dhe theksuan se janë në pritje të të gjitha detajeve teknike që do të duhet të “hekurosen” në fillim të vitit 2024. Ato besojnë se marrëveshja nuk shkon aq larg sa duhet në mbrojtjen e njerëzve nga dëmet e shkaktuara nga sistemet e inteligjencës artificiale.

Versioni aktual i Aktit të inteligjencës artificiale të BE-së ishte miratuar përkohëhësisht nga deputetët e Parlamentit Evropian (PE) në votimin në qershor të këtij viti, dhe përmban disa masa për të ndihmuar në përcaktimin se çfarë mund dhe nuk mund të bëjnë kompanitë e teknologjisë me veprat muzikore të mbrojtura nga të drejtat e autorit. Midis tyre është edhe një kërkesë ligjore që kompanitë që përdorin modele gjeneruese të IA-së, të tilla si ChatGPT ose Midjourney, të ofrojnë përmbledhje të të gjitha veprave me të drejtë autori, duke përfshirë edhe muzikën që e përdorin.

Kjo praktikisht do të thotë se legjislacioni i ardhshëm i BE-së do t’i detyrojë krijuesit e teknologjisë së inteligjencës artificiale të publikonin të gjitha veprat e shkencëtarëve, muzikantëve, ilustruesve, fotografëve dhe gazetarëve, të përdorura në trajnimin e programeve. Përveç kësaj, zhvilluesit do të duhet të dëshmojnë se gjithçka që kanë bërë gjatë trajnimit të makinave është në përputhje me ligjin.

Këto dispozita të transparencës në Aktin e BE-së për inteligjencën artificiale janë mirëpritur hapur nga vetë autorët, por ka frikë se kompanitë e teknologjisë prapaskenave në Bruksel po lobojnë aktivisht te politikëbërësit e BE-së që të përpiqen t’i dobësojnë rregulloret, duke argumentuar se detyrimet e tilla mund t’i vendosin zhvilluesit evropianë të IA-së në një avantazh konkurrues.

Megjithëse BE-ja është pioniere në botë në fushën e legjislacionit të inteligjencës artificiale, detajet teknike përfundimtare dhe mënyrat e formulimit të termave në Aktin e Inteligjencës Artificiale do të dihen vetëm pasi Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian të miratojnë tekstin e Aktit në muajt e ardhshëm.

Inteligjenca Artificiale, Chat GPT, apple
Chat GPT/ Foto: Sanket Mishra/Pexels

Inteligjenca artificiale dhe të drejtat e pronësisë intelektuale në gazetari

“Reporterët pa Kufij” në bashkëpunim me 16 organizata partnere, më 10 nëntor 2023 publikuan Kartën e Parisit për Inteligjencën Artificiale dhe Gazetarinë. Zhvillimi i dokumentit filloi në korrik të vitit 2023 dhe në të punuan organizata të shoqërisë civile, ekspertë në fushën e inteligjencës artificiale, përfaqësues të mediave dhe gazetarë.

Karta përcakton një sërë parimesh bazë etike për mbrojtjen e integritetit të informacionit në epokën e inteligjencës artificiale. Ndër dhjetë parimet e futura në dokument, janë edhe këto:

  • Etika gazetareske duhet të udhëheqë rrugën në përdorimin e teknologjisë nga media dhe gazetarët;
  • Mediat duhet t’i japin përparësi përdorimit të punës njerëzore;
  • Sistemet e inteligjencës artificiale që përdoren në gazetari duhet t’i nënshtrohen vlerësimit paraprak të pavarur;
  • Media është gjithmonë pala përgjegjëse për përmbajtjen që e publikon;
  • Mediat e ruajnë transparencën gjatë përdorimit të sistemeve të inteligjencës artificiale;
  • Mediat e garantojnë autenticitetin dhe aftësinë për ta verifikuar atë;
  • Gazetaria tërheq një vijë të qartë dallimi ndërmjet përmbajtjes autentike dhe asaj sintetike;
  • Përmbajtjet e personalizuara dhe të rekomanduara që rrjedhin nga inteligjenca artificiale e mbështesin diversitetin dhe integritetin e informacionit;
  • Gazetarët, mediat dhe gazetaria do t’i mbështesin grupet e përfshira në qeverisjen e inteligjencës artificiale;
  • Gazetaria i mbështet themelet e saj etike dhe ekonomike në angazhimet me organizatat që e krijojnë inteligjencën artificiale.

Karta e Parisit u mbështet nga organizata eminente gazetareske si Federata Evropiane e Gazetarëve, Instituti Ndërkombëtar i Shtypit, Fondacioni Thompson, Rrjeti Global i Gazetarisë Hulumtuese etj. Parimet themelore nënkuptojnë se etika duhet të drejtojë zgjedhjet teknologjike në media, por njeriu duhet të mbetet faktor qendror në vendimmarrjen e redaksive. Mediat duhet të bëjë dallim midis përmbajtjes autentike dhe sintetike, por gjithashtu duhet të marrin pjesë në qeverisjen globale të inteligjencës artificiale dhe të mbrojë qëndrueshmërinë e gazetarisë kur negocion me kompanitë e teknologjisë.

Mbetet për t’u parë nëse shtëpitë mediatike do t’i përmbahen Kartës së Parisit për Inteligjencën Artificiale dhe Gazetarinë kur krijojnë përmbajtje ditore, kur i rregullojnë të drejtat e punës së punonjësve të medias dhe kur i ndryshojnë mënyrën e marrjes së vendimeve redaktuese në redaksi.

Gjigandi gjerman mediatik Axel Springer e paralajmëroi stafin e tij në fillim të vitit të kaluar se inteligjenca artificiale do të ndikojë në shkurtimet e vendeve të punës në mediat e saj, duke përfshirë gazetat Bild dhe Welt. Pak muaj më vonë, në qershor të vitit 2023, ky gjigant megjithatë u tërhoq nga kjo deklaratë. Nga Axel Springer ata shtuan se inteligjenca artificiale do t’u mundësojë gazetarëve t’i kushtojnë më shumë kohë dhe energji përmbushjes së detyrave themelore, ndërsa detyrat e mërzitshme të punës të merren nga inteligjenca artificiale. Megjithatë, shkurtimet e vendeve të punës mbeten në planet e kësaj kompanisë mediatike.

Duke iu rikthyer pyetjes se pse IA-ja mund të ketë një ndikim të madh në të drejtat e pronësisë intelektuale në industrinë kreative, revista shkencore amerikane “Scientific American” përmes të dhënave numerike i jep përgjigje kësaj pyetjeje. Sasia e të dhënave të nevojshme për të trajnuar modelet gjuhësore të inteligjencës artificiale është befasuese.

Gjatë lëshimit në përdorim të modelit “Stable Diffusion” të inteligjencës artificiale, i cili gjeneron fotografi nga teksti, u tha se ishte e nevojshme të trajnohej me mbi 2,3 miliardë fotografi në mënyrë që ky model të mund të gjeneronte në mënyrë të pavarur një produkt përfundimtar – një fotografi të krijuar nga inteligjenca artificiale.

“Zgjidhja e problemit me të drejtat e autorit mund të jetë i vështirë edhe për projekte të thjeshta, ndërsa për projekte apo platforma shumë të mëdha, sfida, madje edhe sikur të ditur se kush i zotëron të drejtat, është pothuajse e pamundur, duke pasur parasysh kërkesat praktike për gjetjen e meta të dhënave dhe vlerësimin e kontratave midis autorëve ose interpretuesve dhe botuesve” – thekson “Scientific American”.

Kuptohet, se në cilin drejtim do të zhvillohet mbrojtja e të drejtave të pronësisë intelektuale nga inteligjenca artificiale, veçanërisht në industrinë kreative, është një temë që ka shumë të panjohura, të cilat do të mbeten objekt i debateve serioze, proceseve gjyqësore dhe debateve publike që do të ndodhin së shpejti.