FIZHT: Hulumtuesit e rinj nga shkollat ​​fillore dhe të mesme do të realizojnë projekte të gjelbra

Gjashtëmbëdhjetë shkolla fillore dhe të mesme nga vendi do të zbatojnë projekte të gjelbra për ruajtjen dhe përmirësimin e mjedisit dhe biodiversitetit. Projektet shpërblehen në kuadër të thirrjes publike “Sfida për hulumtuesit e rinjë 5 – projekte të blerta” , të realizuar nga Fondi për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik (FIZHT), transmeton Portalb.mk.

Siç informojnë nga FIZHT, nga gjithsej 57 projekt propozime të dorëzuara, janë miratuar për financim dhjetë projekte të shkollave fillore: “Sabedin Bajrami” nga fshati Kamenjanë, “Aleksandar Urdarevski” nga Çuçer Sandeva, “Strasho Pixhur” nga Karbinci, “Vëllezërit Miladinovci” nga Struga, “Kiro Gligorov” nga Shkupi me dy projekte, “Vanço Prke” nga Dellçeva, “Cajla” nga Gostivari, “11 Tetori” nga Shkupi dhe “Dame Gruev” nga Strumicë.

Krahas kësaj janë miratuar edhe gjashtë projekte të shkollave të mesme, përkatësisht gjimnazi “Vedra” nga Shkupi, “Kiro Spanxhov Bërko” nga Kavadari, Shkolla për rehabilitim dhe arsim “Shën Naumi i Ohrit” nga Shkupi, shkolla e mesme “Rade Jovçevski – Korçagin” nga Shkupi, gjimnazi privat “Jahja Kemal” nga Shkupi dhe Shkolla Saraj nga Shkupi.

FIZHT shton se, gjatë përzgjedhjes së projekteve, përparësi kanë pasur ato me karakter ndërdisiplinor që parashikojnë qasje gjithëpërfshirëse në formimin e ekipeve, pra kanë përfaqësim të barabartë gjinor, përfshijnë fëmijë të etnive të ndryshme, fëmijë me nevoja të veçanta, fëmijët e moshave të ndryshme etj dhe që dorëzohen nga shkollat ​​e zonave rurale.

“Më gëzon veçanërisht fakti që të rinjtë kanë treguar se duan sfidë, duan të hulumtojnë dhe të krijojnë ndryshime pozitive për shoqërinë. Fondi si institucion është gjithmonë në krah të ideve kreative dhe novatore dhe ne jemi të përkushtuar që të krijojmë mundësi që të rinjtë të tregojnë kreativitetin e tyre, të menduarit kritik dhe të fitojnë aftësi që krijojnë vlerë. Me shkollat ​​e sotme të vlerësuara me çmime, deri më tani përmes Sfidës për Hulumtues të Rinj kemi mbështetur 139 shkolla nga i gjithë vendi, ku përfshihen mbi 900 nxënës dhe mentorë”, tha Festim Halili, drejtor i Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik.

Gjatë 12 muajve të ardhshëm, ekipet e projektit do të zhvillojnë projekte kërkimore në fushat e shkencave natyrore dhe teknike.

Buxheti i përgjithshëm për këtë sfidë është 3 milionë denarë, ndërsa buxheti maksimal për propozim projekt individual është deri në 200.000 denarë. Për mësimdhënësit që do të udhëheqin ekipet e nxënësve do të sigurohet shpërblim në vlerë prej 30.000 denarë – mjete të dedikuara për blerjen e pajisjeve digjitale të aplikueshme në procesin mësimor.