Fishta mbi marifetet evropiane dhe mashat shqiptare

Ndër korifejtë e kulturës që kanë ngritur zërin kundër copëtimit të Shqiptarisë vend të merituar zë dhe At Gjergj Fishta. Ai, si rrallëkush, u angazhua për mbrojtjen e Atdheut nga fqinjët kubarë, në krahë të të cilëve u rreshtuan edhe fuqitë e mëdha të kohës, në krye me Rusinë. Është e njohur fjala e Fishtës në Konferencën e Paqes në Paris drejtuar hileqarëve evropianë, të cilëve ua kjutoi se arsyeja përse populli i lashtë shqiptar  nuk ia doli si të tjerët ta bëjë shtetin e vet të shtrirë në gjithë territorin etnik, nuk qe mungesa e vetëdijes kombëtare dhe dëshira për të qenë të lirë, po ndrëskamcat e shteteve ballkanike, të cilat me ndihmën e Evropës ia ngjitën kthetrat, jo thjesht për ta robëruar, por për ta zhbëre nga faqja e dheut. Nisur nga kjo e vërtetë e dhimbshme, Fishta ua tha troç delegatëve prosllavë të konferencës se shqiptarët gabuen randë kur, më 1912, u çuen kundra Turkisë, sepse për ta do të kishte qenë dam fort ma i vogël me u vue nën zgjedhë të Turkisë, se sa me u gri prej të krishterëve të Evropës.

Për të qenë më bindës përpara “paqesorëve”, që nuk e pritën këtë akuzë nga një prift katolik, Fishta atdhetar i paepur krahasoi mizoritë serbo-greke me ato osmane: Në vitin1478, kur turqit pushtuan Shkodrën dhe pothuajse gjithë Shqipërinë, ia njohën asaj njëfarë autonomie dhe nuk ia prekën kanunet, sado që populli hoqi zi e si është më zi. Kurse më 1912, kur krisi lufta turko-ballkanike, ballkanikët pushtuan Shqipërinë, dogjën qindra fshatra dhe vranë dyqindmijë shqiptarë katolikë e muslimanë që nuk deshën të mohojnë fenë dhe gjuhën e tyre. Kjo situatë solli në Shqipëri ushtritë ndërkombëtare, por ata nuk i penguan serbët që gjatë Luftës Ballkanike të çelin me shpata barqet e nënave shtatzëna, kurse grekët të kryqëzojnë shtazërisht gjinden shqiptare. Për këto krime monstruoze Konferenca e Paqes e ka menden me ua dhanë mandatin serbëve e grekëve me i shtrue e me i qytetnue shqiptarët “e prapambetur”, që nuk kishin bërë kurrë krime të tilla masive ndaj fqinjëve…

Beteja e Gjergj Fishtës për një Shqipëri natyrale nuk reshti kurrë. Nëpërmjet vargjeve të serta satirike ai sfidoi njësoj edhe marifetet e politikave të papërgjegjshme të Evropës edhe zuzarllëqet e bashkatdhetarëve shpirtshitur.

Kështu, në poezinë “28 Nanduer 10913”, Ai shpalos rehatinë e renegatëve shqipfolës që bënin sehir ricopëtimin e Shqipërisë, në Konferencën e Londrës, pak muaj pas shpalljes së pavarësisë së saj nga Ismail Qemali:

E, drue dashtni për Atdhe nuk ka shqiptari;
Me gjasë, s’çan krye shqiptari për komb t’vet,
As për at gjuhë të ambël qi i la i Pari,
As pse Shqipnia n’vedi u ba sot shtet;
Pse e shoh se veç atje ku xhixhllon ari
Pa frymë e tue dihatë vrap ai nget,

Revoltën e njëjtë e gjejmë edhe në poezinë “Çohuni, të vdekun!”, ku gjithashtu ngre zërin kundër gjumit tonë të rehatshëm sa herë i shkon flaka Atdheut:

Çka bajnë shqiptarët? … Hanë fiq e kastraveca,
E pijnë mastikë, e qesin petulla n’ujë,
E ngrihen rrugës e fryhen si gjeldeca,
E rrinë tue këqyrë udhës ushtarët e huej,
Pale e kanë kësulën qyp ose kapelë,
A e ka uficiali kalin at a pelë.

Në kulmin e zhgënjimit poeti i madh e quajti Evropën: mrrutë e ndyt.

Kurse me vargjet që u shkojnë shumë edhe shqiptarëve të sotëm, të cilët për inate idiote nuk reagojnë si një trup i vetëm ndaj rrezikut që i kanoset Kosovës, Fishta klerik akuzon dhe Zotin që nuk ndëshkon mashat në shërbim të tjetrit:

O Perëndi, a ndjeve?
Tradhëtarët na lanë pa atdhe
E Ti rrin e gjuen me rrfe
Lisat n’për male kot!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.