Hilary Lawson nga Insituti i Arteve dhe Ideve vë theksin mbi eksluzivizmin që mbretëron edhe në shekullin XXI, duke afirmuar perspektivizmin dhe dijen kontekstuale sepse vetëm perspektiva hyjnore (God’s-Eye View) është gjithëpërfshirëse, 100 % objektive dhe absolute: “Në vend që të thellohemi gjithnjë e më shumë në kullat tona të izoluara, na duhet të gjejmë mënyra për të ndërvepruar me tregime alternative mbi botën – por njëkohësisht të kuptojmë se si mund ta arrijmë këtë pa supozuar se njëra është e saktë dhe të tjerat janë të gabuara. Ashtu siç filozofia ishte thelbësore për Epokën e Iluminizmit, ashtu edhe tani ajo duhet të krijojë mënyra të reja për të kuptuar botën dhe për të na mundësuar të gjithëve të lulëzojmë në aventurën e madhe të të qenit gjallë.”
Katerina Apostolides, këshilltare filozofike me bazë në Athinë, shtron pyetjen e pasigurisë si pasojë e zhvillimit të teknologjisë që revolucionarizon ekonominë por që vë në dilemë vlerën e qenies humane nëse korporatat na shohin si të zëvendësueshëm. Cila është vlera e jetës sonë nëse makineritë janë më të zellshme, më të zgjuara ose më të afta se ne? Sipas saj, në të ardhmen filozofia do të jetë një burim më i rëndësishëm se kurrë më parë, sepse filozofia (ashtu si feja apo spiritualiteti) ka fuqinë të vërtetojë vlerën e të gjithë përvojave. Përvoja reale dhe dija reale janë gjëra që inteligjenca artificiale nuk do t’i arrijë kurrë. Filozofia mund të na ndihmojë të përballemi me fuqitë ose pafuqinë tonë me një kuptim të asaj për të cilën ia vlen të jetosh, dhe çfarë mund të justifikojë vuajtjen ose luftën.
Massimo Pigliucci, autor, bloger, podkaster, si dhe profesor i filozofisë në Kolegjin e Qytetit të Nju Jorkut kultivon një skepticizëm akademik që lidhet me Ciceronin dhe qëndrimin e tij probabilitar dhe fallibilist ndaj dijes: ne pothuajse asnjëherë nuk arrijmë siguri për gjërat, veçanërisht kur bëhet fjalë për të ardhmen. Duhet të mbajmë një mendje të hapur për të ndryshuar kursin tonë sa herë që ndryshojnë provat. Siç shprehet skeptiku David Hume, njerëzit e mençur i përshtatin bindjet e tyre në bazë të provave. Receta për të lundruar në të ardhmen është ë: (i) Përqendrimi te ajo që është e veprueshme; (ii) Përgatitja mendërisht për të pranuar atë që është jashtë kontrollit tonë; (iii) Vlerësimi i hapave të veprimit në bazë të fakteve.
Barry C. Smith, profesor i filozofisë dhe drejtor i Institutit të Filozofisë në Shkollën e Studimeve të Avancuara të Universitetit të Londrës, thotë se në përgjithësi filozofia mendohet si një disiplinë kontemplative dhe se e njëjta më tepër praktikohet në kohë paqeje dhe prosperiteti, por ajo kurrë nuk ka qenë më e rëndësishme se sot, në një kohë ndryshimesh të shpejta dhe trazirash. Sfidat globale me të cilat përballemi përfshijnë kërcënimet ndaj demokracisë, konfliktet, rritjen e populizmit, përhapjen e dezinformimit, natyrën dhe aftësitë e agjentëve artificialë. Probleme të tjera që meritojnë të jenë nën lupën e filozofisë janë pasojat e ndryshimeve klimatike për planetin, për speciet e ndryshme dhe për të ardhmen e njerëzimit, pabarazitë, migrimi, demokracia. Kur jemi te kjo e fundit, shumë shkollarë dhe të tjerë pyeten nëse ajo është mënyra më e mirë për të qeverisur një popullsi. Në këtë drejtim siç thekson Jo Wolff në “Hyrje në filozofinë politike”, ne jemi të shqetësuar me dy pyetje kryesore: Kush merr dhe çfarë merr? Pra si të distribuohen pushteti dhe burimet? Dhe kush vendos se kush duhet të marrë dhe çfarë duhet të marrë?Në epokën e rritjes marramendëse të dezinformimit me rëndësi është ‘të dish të bësh kërkimin tënd; kërkimi i sigurisë, me standarde të ulëta shqyrtimi, mund të inkurajojë mendimin konspirativ, atë që Quassim Cassam në librin e tij, “Teoritë e konspiracionit”, e ka quajtur ‘pandjeshmëri epistemike’. Thirrja për inteligjencë artificiale të përgjegjshme po rritet dhe industria po u drejtohet gjithnjë e më shumë filozofëve për ndihmë në mendimin se si të përcaktohen standardet e aftësive të sistemeve të inteligjencës artificiale dhe të rregullohet zhvillimi i tyre. Pyetje me peshë lidhur me të ardhmen tonë janë edhe këto: Çfarë detyrimesh kemi ndaj natyrës, duke përfshirë speciet e tjera dhe planetin? A mund të ruhet biodiversiteti dhe të shpëtohet planeti pa krijuar padrejtësi të gjera? Smith shton se njerëzimi do të përballet me çështjen e madhe se si deri në vitin 2050 mund të ushqejmë një popullsi prej 10 miliardësh brenda kufijve planetarë. Kjo hyn në kategorinë e filozofisë globale të ushqimit. Sipas nesh, çështja e ushqimit rëndohet edhe më tepër kur e marrim parasysh faktin e trendeve dehumanizuese në aspekt të konceptit të ushqimit, kur një shtet gjenocidal (Izraeli) tenton të vrasë një popull të tërë duke penguar akcesin te gjërat elementare për mbijetesë, te buka dhe uji, madje duke e shkatërruar ushqimin që të mos arrijë te popullata “para vdekjes masive”.
Personalitetet idetë filozofike të cilëve i kemi trajtuarnë këto dy tekste janë unanimë se gjendemi në një fazë kritike të historisë, në një fillimmilenium që sfidon ekzistencën tonë si qenie njerëzore dhe më gjerë. Kriza është evidente dhe filozofia mund të jetë një instrument për të zbutur apo kapërcyer këtë momentum dhe apo kontinuum të lëkundjeve globale. Ne shqiptarët kemi filozofë pezhorativë dhe jo urtësisht aktivë. Specia e filozofit ndër ne është raritet, andaj të investohet më tepër në afirmimin e frymës dhe literaturës filozofike. Filozofia sond ndoshta nuk bën para, “nuk jep bukë”, por ka kapacitete të jashtëzakonshme frymëzuese dhe konstruktive për një shoqëri të arsyeshme, më sigurt dhe më të lumtur.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.