Shkruan: Ibër Deari, regjisor
Pse nuk mësojmë film në shkollë?
Në shkollat tona fëmijët mësojnë për poezinë, për romanin, për muzikën klasike, për pikturën… por asnjëherë nuk mësojnë për artin e 7 që është FILMI. Nuk mësojnë çka është një film i mirë, as si krijohet, ose SI SHIKOHET NJË FILM, kush është skenaristi, kush janë aktorët, çfarë e dallon një film të mirë, çfarë është kuadri e skena, si dallon një film dokumentar nga një film artistik.. e shumë pyetje të tjera.
Unë jam pjesë e një gjenerate që nuk ka pasur asnjë orë film në shkollë as në fillore, as në të mesme. Asnjë lëndë, asnjë diskutim për kinemanë, filmi ka qenë diçka i panjohur, është llogarit vetëm si shikim filmash në shtëpi kur ke kohë të lirë…edhe at filma me Bruce Lee, Rambo dhe Chuck Norris, Asnjëherë nuk është biseduar për kinemanë e vërtete e regjisorët e mirë!
E sot, brezi i ri, me telefonin në dorë dhe TikTok, ku janë të bombarduar nga videot, e numri i madh i filmave online, edhe ata janë në të njëjtën pozite, nuk edukohen me film të mirë apo kinema të vërtetë.
Filmi te ne injorohet si të mos ishte pjesë e jetës sonë të përditshme. Si të mos ishte arti më i rëndësishëm i shekullit, që i mbledh të gjitha artet e tjera brenda vetes.
Filmi te ne shpesh injorohet edhe nga vetë intelektualët. Në Facebook i sheh duke postuar citate nga libra, duke treguar çfarë po lexojnë, apo çfarë muzike po dëgjojnë.
Por shumë rrallë ndonjëri ndan një mendim për ndonjë film. Si me qenë filmi më pak i rëndësishëm. Dhe fakti që nuk flasim për filma, tregon sa pak e kemi zhvilluar kulturën për t’i parë ata si art e jo vetëm si argëtim.
Nuk po them që të gjithë duhet të bëhen regjisorë. Por sot ku çdo fëmije me telefonin e tij bën një video vlog për Youtube, TikTok dhe platforma te tjera online, si mund të mos ketë informata apo mos të edukohet me artin kinematografik . Pse anashkalohet ky art dhe pse asnjëherë nuk kanë pasur interes te edukohen të rinjtë me artin kinematografik.
Po të kishte një orë të thjeshtë në javë ku fëmijët të shikonin një film, të diskutonin për filmin e të analizonin filmin…sot do kishim më shumë të rinj që do donin të studionin filmin, duke përfshi si regjin, skenarin, kamerën, aktrimin, montazhin, muzikën, Për fat të keq, këto drejtime te ne nuk njihen. Interesi është shumë i vogël, sepse askush nuk u flet fëmijëve për to. As në shkollë, as në shtëpi.
Në shkollë na mësuan për Beethovenin, por jo për regjisorin e madh Stanley Kubrick, që përdori muzikën e Beethovenit për të ndërtuar skenat me te fuqishme të filmit.
Na mësuan për Homerin, por jo për Wolfgang Petersen, që bëri filmin TROJA në një kryevepër.
Na mësuan për Leonardo da Vincin e Van Goghun, por askush nuk na tregoi se si piktura ka ndikuar fuqishëm në filma në kompozim, në ngjyra, dhe se si filmi është një pikturë apo fotografi në lëvizje.
Fëmijët por edhe të rinjtë si dikur, ashtu edhe sot në vend që të flasin për Tarantinon, Coen Brothers, Scorsese apo Haneke, rriten me telenovela, me humor televiziv të shpejtë, me seriale turke dhe latine që shfaqen çdo mbrëmje nga gjithë televizionet e tona por nuk kanë as vlere edukative e as sfiduese qe trajtojnë tema te rëndësishme, shumë prej tyre janë një konsum i shpejt që për gjeneratën e re nuk japin as një edukim!
Filmi si art nuk ka pas vend atëherë, e as sot s’po gjen hapësirë.
Si fëmijët por edhe të rriturit nuk dinë çfarë është një film i mirë, sepse askush nuk u ka mësuar. E kur nuk e di, si me pas interes për me studiuar? Si me e dashur kinemanë? Si me e dërguar familjen në kinema, kur as s’e ndjen si pjesë të jetës?
Neve na mungon kultura për të shikuar film në kinema por edhe për të shikuar filma të mirë, dhe sidomos për të dalluar çfarë është një film i mirë. Sistemi arsimor ka fajin, sepse kurrë nuk e ka parë të arsyeshme që filmi të jetë pjesë e rëndësishme e mësimit, siç është muzika apo letërsia…
Në shumë vende evropiane, filmi është tashmë pjesë e sistemit shkollor, e shumë vende të tjera, fëmijët që në moshë të vogël mësojnë si ta kuptojnë një film, si të dallojnë regjinë, skenarin, dhe si të tregojnë histori përmes kamerës.
Aty filmin e shohin si gjuhë arti dhe mjet edukimi. Nxënësit shikojnë filma në klasë, i analizojnë, bëjnë diskutime, edhe projekte të tyre filmike..Shpresoj që një ditë edhe vendi jonë të ecë në të njëjtin drejtim!
Ne kemi nevoje për artin kinematografik njëjtë sikur si kemi nevoje për letërsinë, muzikën, pikturën…
Filmi duhet të mësohet nga shkolla që në momentin kur fëmijët nisin të shikojnë filma për fëmijë e deri sa të rriten. Vetëm kështu do të kemi një brez që di të dallojë dhe të vlerësojë një film të mirë. Një brez që do të zgjedhë ta studiojë filmin me dashuri. Një brez që e sheh filmin si kulturë dhe edukim, jo vetëm si argëtim, një brez që do ta krijoj kulturën e të shikuarit filma të mirë!