Gjeraqina Leka: Gratë duhet ta lejojnë ambicjen, disiplinën dhe qëllimin t’i shpjerë aty ku padrejtësia përpiqet t’i bllokojnë

Portalb.mk sjell intervistën e radhës me Gjeraqina Lekën, profesoreshë e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Shkencave Politike në Universitetin e Tetovës. Ajo flet për karrierën e saj akademike, sfidat kryesore me të cilat përballet një grua akademike në Maqedoninë e Veriut, ndikimin e mungesës së reformave të qëndrueshme arsimore në cilësinë e arsimit universitar dhe në motivimin e stafit akademik dhe shumë tema të tjera.

Portalb.mk: Çfarë ju motivoi të ndiqni një karrierë akademike në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe shkenca politike?

Gjeraqina Leka: Unë kam lindur më 1990, vit ky i ndryshimeve seizmike gjeopolitike, të shënjuara nga rënia e Perdes së Hekurt dhe Bashkimit Sovjetik. Por për mua, këto ndryshime nuk paraqisnin vetëm tituj të largët në libra të historisë. Jehona e këtyre ngjarjeve hyri brenda shtëpisë sime. E lindur në ish-Jugosllavi, shpërbërja e së cilës u përcoll me luftëra të përgjakshme, fëmijëria ime u definua edhe nga realiteti i konflikteve, veçanërisht i luftës së Kosovës, të cilën familja ime e ndiqte me brengë të madhe.

Përpara se të mundja ta kuptoja gjuhën e politikës, unë arrita ta kuptoj peshën e saj. Transmetimet e lajmeve i dominonin mbrëmjet tona familjare, ndërsa akoma kanë mbetur të ravijëzuara në kujtesën time imazhe të familjeve refugjate të rreshtuara në kolona pikëllimi, të shtëpive të shndërruara në hi, e të qyteteve që jehonin heshtje të shkatërrimit. Edhe pse e vogël në moshë për t’i kapluar në tërësi implikimet e këtyre ngjarjeve, unë arrija ta shihja pikëllimin e thellë në sytë e gjyshit e të babait, duke kuptuar në mënyrë instinktive se politika nuk kishte të bëjë vetëm me institucione apo ideologji, por me jetën, dinjitetin, apo dhe vetë mbijetesën e njeriut.

Duke u rritur, ky ekspozim ndaj fenomeneve të lartpërmendura u transformua, dhe unë fillova ta kuptoj politikën si më të nuancuar; me kohë, atë fillova ta perceptoj jo vetëm si konflikt por edhe si dialog. Përmes gjërave që mi tregonte im atë nga puna e tij si ambasador, unë fillova të mësoj rreth artit delikat të diplomacisë, të negociatave të gjata, të gjuhës së kujdesshme, të gjetjes së kompromisit në një botë me plot tension. Diplomacia, siç fillova ta kuptoj, nuk paraqiste vetëm mungesë të luftës, por edhe prani të arsyes. Ajo nënkuptonte përkushtimin ndaj paqes përmes mirëkuptimit të ndërsjellë.

Ky dualitet i politikës, kapaciteti i saj si për të shkatërruar ashtu edhe për të shëruar, më joshi drejt saj si intelektualisht ashtu edhe moralisht. Fillova të lexoja mendimtarë e shkencëtare të cilët u kanë dhënë formë këtyre institutioneve: nga Aristoteli, i cili e përkufizoi politikën si formën më të lartë të jetës etike brenda polisit, deri tek Hantingtoni, Fukujama, Robinsoni e të tjerë, të cilët më mësuan se shtetndërtimi, integriteti institucional dhe llogaridhënia demokratike nuk janë luks, por parakusht për paqe e prosperitet, sidomos në shoqëri të brishta.

Gradualisht fillova ta shoh shkencën politike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, jo vetëm si dicipline akademike, por si korniza përmes të cilave mund t’i kuptojmë strukturat e pushtetit, përfshirjes apo margjinalizimit. Besimi në fuqinë transformuese të ideve, nevoja për shqyrtim kritik të çështjeve, dhe shpresa se dija mund t’i shërbejë më së miri drejtësisë, ishin disa vlera të mijat personale të cilat u përputhën natyrshëm me këtë fushë studimore.

Sot, si pjesëtare e botës akademike, në punën time nuk kërkoj vetëm përmbushje intelektuale. Mbi të gjitha synoj që të kultivoj qytetari aktive tek studentët e mi; t’i bëj ata të vetëdijshëm se si proceset politike i formësojnë jetët, institucionet dhe të ardhmen. Dua t’i nxis ata të mendojnë në mënyrë kritike mbi pushtetin dhe privilegjet, ta njohin përjashtimin apo diskriminimin kur të vijnë ballë për ballë me të, dhe ta kuptojnë përgjegjësinë që kanë për t’i sfiduar të njëjtat. Si në mësimdhënie ashtu edhe në punën time kërkimore synoj që të ndërtoj ura mes akademisë dhe botës reale, me qëllimin që të nxjerr në pah faktin se shkenca politike nuk bën vetëm interpretimin e botës, kështu siç është, por kërkon edhe ta ndryshojë atë.

Fotografi nga arkivi personal i Gjeraqina Leka. Foto: Gjeraqina Leka
Fotografi nga arkivi personal i Gjeraqina Leka. Foto: Gjeraqina Leka

Portalb.mk: Cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballet një grua akademike në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në fushën e shkencave politike?

Gjeraqina Leka: Edhe pse barazia gjinore është vendosur formalisht brenda kornizave ligjore e retorikës institucionale, sfidat më të thella me të cilat përballen gratë në akademi janë më delikate, kulturore, dhe të vazhdueshme, veçanërisht në diciplina si shkencat politike, diplomacia, apo marrëdhëniet ndërkombëtare, të cilat kanë qenë të dominuara për gjatë kohë nga autoriteti mashkullor dhe nga supozimet patriarkale mbi udhëheqësinë, pushtetin, dhe racionalitetin.

Gratë janë ende të nënpërfaqësuara, qoftë në role udhëheqëse administrative, në organe kërkimore-shkencorë, apo përgjithësisht në jetën intelektuale publike dhe ky çekuilibër ndikon si në mundësitë e tyre ashtu edhe në mënyrën se si ato perceptohen nga të tjerët apo dhe nga vetëvetja: ato shpeshherë perceptohen si një përjashtim i normës së autoritetit dhe kredibilitetit.

Edhe pse shumë gra, ashtu si unë, gëzojnë përkrahje morale nga familjarët për ndjekjen e rrugës akademike apo profesionale, shpesh përballen me këshilla që, ndonëse me qëllim të mirë, pasqyrojnë mendësi të rrënjosura në rolet tradicionale gjinore. Kjo logjikë, e kombinuar me mungesën e mbështetjes institucionale për ta balancuar jetën private dhe atë të punës, vazhdon ta kufizojë pjesëmarrjen dhe qëndrueshmërinë e grave në fusha që kërkojnë angazhim më të madh. Por, përkundër këtyre sfidave, gratë në akademi apo dhe në politikë nuk pushojnë së frymëzuari përmes kompetencës, vendosmërisë së guximshme apo dhe vizionit më paqësor për të ardhmen. Në përditshmërinë time, brenda botës akademike, has e inspirohem nga gra të cilat nuk reflektojnë vetëm thellësi intelektuale, por edhe një kombinim të rrallë të empatisë me mprehtësi racionale.

Si pedagogë universitarë, ne jemi më shumë se sa edukatorë-jemi pasqyrë e model. Prania jonë ose frymëzon ose shkurajon. Unë e marr një përgjegjësi të këtillë shumë seriozisht. Dua ta shoh një ambient akademik më të barabartë, ku dukshmëria shndërrohet në mundësi, e ku gjithnjë e më shumë gra e vajza ndjehen sikur përkasin natyrshëm, jo vetëm në auditore e klasa, por edhe në tryeza ku merren vendime të mëdha.

Portalb.mk: A është akademia në RMV një hapësirë e barabartë për gratë, apo dominohet ende nga struktura patriarkale dhe ndikime politike?

Gjeraqina Leka: Përkundër përkushtimit deklarativ ndaj barazisë gjinore, akademia në Maqedoninë e Veriut mbetet nën ndikim të konsiderueshëm të strukturave patriarkale dhe dinamikave politike. Edhe pse gratë kanë bërë përparim impresionues në pjesëmarrjen e tyre në institucione të arsimit të lartë, sërish, përfaqësimi i tyre në role udhëheqëse është tejet i kufizuar.

Gratë janë dukshëm të nënpërfaqësuara në udhëheqjen e lartë akademike, siç janë dekanët, prorektorët dhe rektorët. Të dhënat pasqyrojnë një model të qartë: sa më i lartë të jetë pozicioni i autoritetit, aq më pak gra udhëheqin me të. Një shembull ilustrues është fakti se nga 53 rektorë të universiteteve publike në vend, vetëm dy kanë qenë gra. Këto statistika dëshmojnë për vazhdimësinë e dinamikës së “tavanit të qelqtë”, ku ekspertiza e grave njihet, por nuk shpërblehet në mënyrë të barabartë me burrat, përmes dhënies së hapësirës për më shumë pushtet ose ndikim.

Portalb.mk: Si ndikon mungesa e reformave të qëndrueshme arsimore në cilësinë e arsimit universitar dhe në motivimin e stafit akademik?

Gjeraqina Leka: Mungesa e reformave të qëndrueshme dhe vizionit afatgjatë ka ngadalësuar zhvillimin e arsimit të lartë në vend, duke ndikuar në cilësinë dhe përgatitjen praktike të të diplomuarve. Ndërsa dinamika globale e arsimit evoluon me ritme të shpejta, studentët tanë përballen me sfida reale dhe gjithnjë më shpesh i drejtohen formave alternative të mësimnxënies. Kjo tendencë sinjalizon një rënie të besimit në sistemin akademik dhe në kapacitetin e tij për t’u përshtatur me nevojat e kohës.

Ndikimet politike, mungesa e vazhdimësisë në politikat arsimore, dhe investimet e kufizuara kanë krijuar një mjedis të pasigurt për stafin akademik dhe kanë ndikuar në perceptimin publik për arsimin e lartë. Siç shprehet Paulo Freire, “Arsimi është një akt dashurie dhe, për rrjedhojë, një akt guximi.” Reforma e vërtetë kërkon guxim institucional për të mbrojtur arsimin nga fragmentarizimi, për të investuar në cilësi dhe për të rikthyer besimin në misionin akademik si motor i zhvillimit shoqëror.

Portalb.mk: Si ligjëruese e politikës, pse në shoqërinë tonë sikur ka humbur koncepti i politikës dhe ajo tani më asocon në parti dhe individ?

Gjeraqina Leka: Koncepti i politikës, dikur me kuptim e qëllim të fisëm, sot në shumë shoqëri është reduktuar në nivel të partizanizmit, individualizmit dhe luftës për pushtet. Kjo është veçanërisht e dukshme në kontekste si këto tonat, ku diskursi politik shpesh formësohet nga besnikëria ndaj individëve ose partive në vend se ndaj ideve, institucioneve ose të mirës së përbashkët.

Por, politika, në thelbin e saj, nuk ka të bëjë me partitë politike ose ambiciet individuale. Siç shkroi Aristoteli në Politikë, “Njeriu është nga natyra një kafshë politike”, që do të thotë se politika lind nga aftësia jonë për të jetuar në një komunitet dhe për ta ndërtuar bashkërisht drejtësinë dhe jetën e mirë. Hannah Arendt më vonë e përsërit këtë postulat, duke e përshkruar politikën si “hapësirë e shfaqjes” ku qytetarët e lirë bashkohen për të vepruar dhe diskutuar në ndjekje të qëllimeve kolektive. Në këtë kuptim klasik politika ka të bëjë me arsyetimin publik, përgjegjësinë qytetare dhe formësimin e së ardhmes së bashku.

Atëherë, pse është humbur ky kuptim më i thellë i politikës?

Ka disa arsye. Së pari, partitë politike janë bërë filtra dominues përmes të cilëve njerëzit e kuptojnë politikën. Në vend që të jenë mjete për debat publik, partitë shpesh shihen si makinacione që i shërbejnë vetëvetes, të përqendruara në përfitime elektorale dhe rrjete klienteliste. Në vendin tonë, por edhe më gjerë në rajon, kjo dinamikë përkeqësohet nga ekzistenca e polarizimit politik, segmentimit etnik dhe kapjes së institucioneve nga partitë në pushtet, gjë që e ka shndërruar politikën në një spektakël besnikërie në vend të një arene debatuese.

Së dyti, mediat dhe platformat digjitale e kanë personalizuar politikën, duke e përqendruar atë në karizmën ose polemikat e udhëheqësve individualë. Qytetarët inkurajohen të ndjekin personalitetet në vend të politikave. Kjo e përforcon miopizmin dhe cinizmin: politika shihet si manipulim, jo si pjesëmarrje.

Së treti, ekziston një mungesë serioze e edukimit qytetar. Nëse të rinjtë nuk mësohen ta kuptojnë politikën si një detyrë e përbashkët qytetare, ata rriten duke besuar se është diçka e largët, e ndyrë ose e korruptuar. Sipas Freire-s “arsimi është një akt politik”, por kur arsimi e neglizhon fuqizimin e vetëdijes kritike, politika e humb fuqinë e saj transformuese dhe bëhet performative ose transaksionale.

Së fundmi, zhgënjimi luan një rol të madh. Në shoqëritë ku korrupsioni, premtimet e pambajtura dhe rrënimi institucional bëhen gjëra të zakonshme, qytetarët shpesh tërhiqen nga sfera politike. Ata fillojnë ta barazojnë politikën me zhgënjimin dhe, duke vepruar kështu, shkëputen plotësisht prej saj. Pasojat janë të rënda; krijohen kushtet e përsosura për lulëzim të apatisë politike, shkaktohet rrënie e besimit në institucione publike, rriten tendencat populiste dhe ndodh erozion i normave demokratike. Siç paralajmëroi Sheldon Ëolin në konceptin e tij të totalitarizmit të përmbysur, demokracitë mund të zbrazen nga brenda kur qytetarët ndalojnë pjesëmarrjen dhe politika bëhet thjesht një garë midis elitave.

E, megjithatë, unë besoj se ky është momenti i duhur kur edukatorët dhe studiuesit duhet të ndërhyjnë. Si një ligjëruese në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe shkencave politike, e shoh si detyrë rikthimin e të kuptuarit të politikës si koncept  fisnik e i domosdoshëm. Ne duhet t’ua mësojmë të rinjëve se politika nuk është vetëm ajo që ndodh në parlamente ose parti. Përkundrazi, politikë është organizimi i njerëzve për të pasur shkolla më të mira, ligje më të drejta, ajër më të pastër, ose drejtësi për të argjinalizuarit. Politika është e pranishme në protestë, në peticion, në shërbimin publik. Është e pranishme në përditshmërinë tonë, në zgjedhjet që bëjmë e në vlerat që mbrojmë.  Politologia Iris Marion Young argumenton se demokracia është një projekt përfshirjeje. Nëse duam ta ripërtërijmë kuptimin e politikës, duhet të fillojmë me përfshirjen; duke edukuar, dëgjuar dhe kultivuar një brez të ri që e kupton politikën jo si karrierizëm, por si bashkëkrijim të shoqërisë në të cilën dëshirojmë të jetojmë.

Fotografi nga arkivi personal i Gjeraqina Leka. Foto: Gjeraqina Leka
Fotografi nga arkivi personal i Gjeraqina Leka. Foto: Gjeraqina Leka

Portalb.mk: Në përvojën tuaj si pedagoge, cilat janë pengesat më të mëdha për zhvillimin profesional të studentëve dhe a ka vullnet për ndryshim nga institucionet?

Gjeraqina Leka: Një nga pengesat më të dukshme është diskrepanca midis programeve akademike dhe nevojave të tregut të punës. Kurrikulat shpesh janë tejet teorike dhe u ofrojnë pak mundësi studentëve për të fituar përvojë praktike përmes punës praktike ose angazhimit në institucione publike. Si rezultat, shumë prej tyre diplomohen me fundament të fortë akademik e teorik, por me gatishmëri të kufizuar profesionale.

Kësaj i shtohet edhe kultura më e gjerë e demotivimit dhe mosbesimit, e rrënjosur në probleme sistemike, si nepotizmi, punësimi i politizuar dhe meritokracia e neglizhuar. Ekziston gjithashtu një mungesë serioze e mbështetjejes për hulumtim, inovacion dhe ekspozimin ndërkombëtar të studentëve. Kjo ndodh kryesisht për shkak të kufizimeve buxhetore dhe inercisë institucionale. Ndërsa reforma diskutohet shpesh, ajo rrallë shkon përtej retorikës. Planet hartohen, por zbatimi është i ngadaltë dhe i paqëndrueshëm. Siç na mëson dhe thënia e mençur që i atribuohet Derek Bok-ut, “nëse mendoni se arsimi është i shtrenjtë, provoni injorancën”, pa investime të qëndrueshme, standarde etike dhe një angazhim të vërtetë për përgatitjen e studentëve për të ardhmen, ne rrezikojmë jo vetëm potencialin e tyre, por edhe zhvillimin e përgjithshëm të vendit.

Portalb.mk: Studentët sot përballen me krizë besimi ndaj institucioneve. Çfarë mendoni se ka shkaktuar këtë hendek mes universiteteve dhe rinisë?

Gjeraqina Leka: Kriza e besimit rrjedh kryesisht nga zhgënjimi në rritje i studentëve me udhëheqjen dhe integritetin e universitetit. Janë të shumtë ata që mendojnë se strukturat udhëheqëse të institucioneve të arsimit të lartë funksionojnë pa transparencë ose llogaridhënie të vërtetë, veçanërisht ndaj studentëve. Kjo ndjenjë tehuajzimi përforcohet nga ajo që studentët shohin dhe përjetojnë çdo ditë: ryshfet, nepotizëm dhe favorizim në vlerësime, pranime dhe shpërblime akademike.

Anketat tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e studentëve në Maqedoninë e Veriut ose kanë qenë dëshmitarë ose janë prekur nga praktika të tilla joetike. Por më keq se vetë këto fenomene destruktive është perceptimi se asgjë nuk ndryshon, se ankesat nuk dëgjohen, dhe se sjellja korruptive tolerohet në heshtje. Me kalimin e kohës, kjo gërryen besimin në institucionin në tërësi.

Për ta rindërtuar këtë besim universitetet duhet të shkojnë përtej retorikës dhe të angazhohen për qeverisje demokratike. Organet duhet të zgjidhen me dhe për studentët. Gjithashtu toleranca duhet të jetë zero ndaj korrupsionit akademik, dhe duhet të ekzistojnë kanale të qarta raportimi të pasuar me sanksionim adekuat. Vetëm atëherë studentët mund të fillojnë t’i shohin universitetet si hapësira drejtësie, mundësish dhe integriteti.

Portalb.mk: Çfarë këshillash do ju jepnit të rejave që synojnë karrierë në akademi apo diplomaci?

Gjeraqina Leka: Si dikush që e ka ecur këtë rrugë me mbështetje të kufizuar institucionale, pa fonde publike që do ta ndihmonin kërkimin tim shkencor dhe me nevojën për t’i vetëfinancuar studimet doktorale përmes punës që s’lidhej me akademinë, e di nga afër se vetëm talenti dhe ekslenca nuk janë të mjaftueshme për t’ia dalë. Akademia, ashtu si diplomacia, shpesh formësohet nga sisteme ku merita nuk e përcakton gjithmonë progresin. Kjo është arsyeja pse i nxis gratë e reja të kultivojnë jo vetëm përsosmërinë, por edhe qëndrueshmërinë. Ato duhet ta lënë ambicjen, disiplinën dhe qëllimin e qartë t’i shpjerë aty ku strukturat e padrejta përpiqen t’i bllokojnë. Ato s’duhet të shkurajohen nga përparimi i ngadaltë, por, përkundrazi, duhet të jenë këmbëngulëse. Kjo rrugë maratonike kërkon përkushtim të thellë intelektual, orë të gjata studimi dhe, madje, sakrifikim të një pjesë të madhe të jetës rinore. Por është gjithashtu thellësisht përmbushëse. Mësimdhënia, hulumitimi dhe formësimi i ideve ka një fuqi të jashtëzakonshme që i ndryshon shoqëritë me kalimin e kohës.

Në fushën e diplomacisë përfshirja e grave është si një imperativ normativ, e, po ashtu, edhe një domosdoshmëri strategjike. Gratë sjellin perspektiva që shpesh janë më bashkëpunuese, gjithëpërfshirëse dhe të përshtatura me dimensionet sociale dhe të të drejtave të njeriut, cilësi gjithnjë e më të nevojshme në diplomacinë globale. Kontributet e tyre mund të ndihmojnë në riorientimin e politikës së jashtme drejt profesionalizmit, barazisë dhe besimit nga publiku. Hyrja e më shumë grave në diplomaci përçon dhe një mesazh të fuqishëm për gjeneratat që pasojnë: janë kompetenca dhe përkushtimi, e jo gjinia apo përkatësia politike, ato që e përkufizojnë kredibilitetin diplomatik.