Fillkov kërkoi të shqyrtohet nëse ka bazë për llogaridhënie të gjyqtarit dhe prokurorit që i dhanë Grubit arrest shtëpiak

Ministri i Drejtësisë Igor Filkov dërgoi mesazhe në një konferencë për shtyp në lidhje me vendimin për zëvendësimin e masës së paraburgimit me arrest shtëpiak në një rast që lidhet me një hetim për përvetësim prej mbi tetë milionë eurosh. Në fjalimin e tij, ministri theksoi se Ministria e Drejtësisë nuk do të jetë dëshmitare e heshtur kur besimi i qytetarëve në sistemin ligjor tronditet, as nuk do të qëndrojë mënjanë kur publiku me të drejtë kërkon përgjigje, transmeton Portalb.mk.

“Deri më tani, duke respektuar parimin e ndarjes së pushteteve, nuk kam komentuar për vendime specifike gjyqësore dhe prokuroriale. Ky është themeli i sundimit të ligjit. Por kur vendimet ngrenë dilema serioze dhe vënë në pikëpyetje barazinë para ligjit, është detyra ime të kërkoj llogaridhënie”, theksoi Filkov.

Ai theksoi se bëhet fjalë për një person që ka qenë në arrati për 14 muaj, për të cilin është përcaktuar rreziku i arratisjes – një rrezik që është materializuar – dhe se publiku ka të drejtë të dijë se mbi bazën e të cilave fakte dhe argumente specifike ligjore është marrë vendimi për një masë më të butë.

Ministri u bëri thirrje publikisht të gjithë atyre që janë përfshirë në procedurë të japin shpjegim të detajuar dhe transparent për vendimet e tyre, duke theksuar se përgjegjësia duhet të gjendet me emër dhe mbiemër.

“U bëj thirrje publikisht të gjithë aktorëve në procedurë të japin një shpjegim:

Prokurori Publik Daniel Kocev,

– të shpjegojë, mbi bazën e të cilave fakte dhe argumente specifike ligjore është dhënë mendim pozitiv për zëvendësimin e paraburgimit?

Kreu i Prokurorisë Anel Fidoski, – a qëndron ai pas këtij vendimi dhe a beson se ky është një mesazh për zbatim të barabartë të ligjit?

Gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, Marin Stanevski,

– cilat rrethana e tejkalonin rrezikun e arratisjes për një person që kishte qenë i paarritshëm për 14 muaj?”, tha ministri i Drejtësisë Igor Filkov.

Ai informoi se kishte kërkuar gjithashtu  shpjegim nga institucionet kompetente në lidhje me kushtet në mjediset e paraburgimit dhe njoftoi mbikëqyrje të jashtëzakonshme në institucionet penale për të përcaktuar situatën e sigurisë.

“Ne miratojmë ligje kot nëse ato nuk zbatohen. Ne flasim kot për reforma nëse praktika shkatërron besimin. Kjo nuk është çështje politike, por parimore”, tha Filkov.

Bashkimi Demokratik për Integrim nga ana tjetër shpreh pakënaqësi dhe proteston për siç thonë, ndaj kërcënimeve të drejtuara ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve nga ministri Filkov.

“Pushteti ekzekutiv jo vetëm që nuk ka të drejtë kushtetuese të sugjerojë mënyrën e veprimit të organeve të drejtësisë, por roli i Ministrisë së Drejtësisë është pikërisht mbrojtja e integritetit dhe pavarësisë së pushtetit gjyqësor, veçanërisht në raste të ndjeshme kur polarizimi politik ushtron presion të madh mbi individët brenda sistemit të drejtësisë. Ministri i Drejtësisë, në vend që ta mbrojë sistemin gjyqësor nga histeria partiake, po e nxit atë më tej, duke krijuar klimë të një vendimi të parapërcaktuar dhe duke adresuar publikisht mesazhe që përbëjnë presion ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve. Deklarata të tilla përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në një proces në zhvillim dhe, përveçse cenojnë parimin e ndarjes së pushteteve, përfaqësojnë goditje serioze ndaj sistemit të drejtësisë dhe rrezikojnë integritetin e procedurës. I bëjmë thirrje ministrit që të përmbahet nga çdo ndërhyrje e mëtejshme publike në këtë çështje, ndërsa Ministria e Drejtësisë, përmes komunikimeve të qarta dhe të përgjegjshme, duhet të garantojë dhe të mbrojë pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit gjyqësor. Nëse kjo praktikë vazhdon, ministri duhet të shkarkohet menjëherë, me qëllim mbrojtjen e pavarësisë së pushtetit gjyqësor në këtë moment të ndjeshëm”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Pas intervistës së zhvilluar ndërmjet prokurorit publik dhe Artan Grubit rreth aferës korruptive në “Lotarinë Shtetërore”, prokurori publik kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë për të dyshuarin e dytë, Artan Grubin. Gjykata Themelore Penale në Shkup e pranoi propozimin. Pas reagimeve në opinion, Prokuroria sot u arsyetua se vendimi është bazuar në informacione nga MPB dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare se siguria e tij nuk mund të garantohet në paraburgim.

Ndryshe, më 23 shkurt, në orët e para të mëngjesit u arrestua ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi. Ai u arrestua në kalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, prej nga edhe ishte larguar. Pasi u dërgua në burgun e Shutkës, vazhdoi intervistimin në Prokurori dhe Gjykatën Penale.

Artan Grubi në fund të vitit 2024 u fut në Listën e Zezë Amerikane për korrupsion dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore për të shpëtuar Sasho Mijallkovin, pas së cilës ai u tërhoq nga jeta publike.

Pak ditë më vonë, ai u arratis nga vendi, ndërsa kërkohej me fletarrest ndërkombëtar së bashku me ish drejtorin e Lotarisë Shtetërore Përparim Bajramin, për rastin ‘Lotaria’. Atyre u është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë.

Që të dy dyshohen se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej mbi 8.2 milion euro. Ata ngarkohen për veprën penale “mashtrim në shërbim” sipas nenit 354 të Kodit Penal, që parashikon dënim me të paktën katër vjet burg.

Katër të tjerët dyshohen në cilësinë e tyre si kryetarë dhe anëtarë të një komisioni për dy thirrje të veçanta publike dhe ekziston dyshimi se kanë abuzuar me kompetencat dhe detyrat e tyre të veçanta dhe kanë kryer thirrje publike për transferimin e të drejtës për të organizuar lojëra fati elektronike dhe online, megjithëse e dinin se një procedurë e tillë në raste specifike nuk duhet të kryhet.