Filipçe u ankua në Athinë për qeveri autoritare në Maqedoninë e Veriut

Aktualisht kemi një qeveri autoritare të krahut të djathtë në vendin tonë që nuk dëshiron ta çojë vendin përpara, është si me vaksinën, morëm dozën e parë me NATO-n, por nuk morëm dozën e dytë. Kjo është pjesë e fjalimit të kryetarit të LSDM-së, Venko Filipce, në një diskutim panel mbi forcat progresive, në kuadër të Konferencës së Dytë Ndërkombëtare në Athinë të organizuar nga Instituti Alexis Tsipras, transmeton Portalb.mk.

Katër ditë më parë, Filipce kishte një ton të ndryshëm në lidhje me ngecjen në procesin e integrimit evropian. Nga një takim me qytetarët në Prilep, ai i kërkoi Bullgarisë të deklarojë qartë se nuk do të ketë kërkesa mbi baza joparimore.

“Bullgarët duhet të bëjnë një hap, kur një nga fqinjët e tyre ka aspirata për t’u bërë shtet anëtar i Bashkimit Evropian – të sillen në mënyrë evropiane. Nëse kemi frikë se nesër mund të ketë një lloj bllokade mbi baza joparimore, bazuar në gjuhë, identitet e kështu me radhë, le të tregojnë sjellje evropiane dhe të thonë se nuk do të ketë. Le të thonë – ne duam që fqinjët tanë të jenë në Evropë, ne do t’ju mbështesim, mos u shqetësoni, nuk do të ketë kërkesa të tilla. Kjo është një politikë e vërtetë fqinjësore, dhe jo vetëm të bësh presion mbi dikë që është më i vogël dhe më i dobët se ju”, tha Filipce, duke shtuar se LSDM po lobon te partitë e saj simotra nga PES për të mbështetur raportin e Parlamentit Evropian (PE) për Maqedoninë.

Deklaratat e djeshme të Filipce në Athinë, të cilat u raportuan nga MIA, shkaktuan një reagim nga partia në pushtet VMRO-DPMNE.

“Duke ndjekur gjurmët e Zaevit, Filipce po spiunon dhe sulmon Maqedoninë nga mesi i Greqisë. Kur menduam se asgjë nuk mund të ishte më keq se Zaevi, Filipce është këtu për të na përgënjeshtruar dhe për të na treguar pse këta kuazi-politikanë që e urrejnë vendin e tyre dhe shesin interesat kombëtare duhet të mposhten”, thuhet në deklaratën e partisë. VMRO-DPMNE deklaron se e gjithë kjo po ndodh nga Greqia, nga ku kompania që bleu xhipin e Filipces bleu edhe qymyr, dhe ai nuk është përgjigjur prej ditësh – as pse i blenë një xhip, as si 9 milionë përfunduan në llogarinë e një kompanie të Zaevit në Bullgari përmes qymyrit.

Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.