Filipçe: Mickoski erdhi në pushtet me gënjeshtra për Marrëveshjen e Prespës dhe të ardhmen evropiane
Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe tha sot se kryeministri Hristijan Mickoski erdhi në pushtet, siç u shpreh ai, “me gënjeshtra dhe manipulime” lidhur me Marrëveshjen e Prespës, emrin e shtetit dhe të ardhmen evropiane të vendit, transmeton Portalb.mk.
Ai theksoi se Mickoski gjatë periudhës parazgjedhore kishte premtuar anulimin e Marrëveshjes së Prespës, rikthimin e emrit të vjetër kushtetues dhe prishjen e marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, por se kjo nuk ka ndodhur pas marrjes së pushtetit.
“Ata erdhën në pushtet me një fushatë të rreme se LSDM-ja kishte politika tradhtare. Kryeministri premtonte se do ta anulonte Marrëveshjen e Prespës, do ta kthente emrin dhe do ta anulonte marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, sepse qenkan tradhtare. Nëse kanë qenë tradhtare, pse nuk e bën këtë? Kjo do të thotë se nuk kanë qenë”, tha Filipçe.
Lideri i LSDM-së vlerësoi se, sipas tij, bllokimi i perspektivës evropiane të shtetit bëhet për shkak të frikës nga mekanizmat evropianë të kontrollit dhe përgjegjësisë.
“Arsyeja e vetme pse VMRO-GOK dhe Mickoski e bllokojnë të ardhmen evropiane është frika nga përgjegjësia, kontrolli evropian dhe prokuroria evropiane. Këta njerëz nuk duan të ecin përpara drejt Evropës, nuk duan kontroll evropian mbi sistemin. Ata duan të vazhdojnë të vjedhin paratë e popullit përmes tenderëve të kurdisur. Kjo është thelbi”, theksoi Filipçe.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.