Opozita shqiptare akuzon Stoilkoviqin për sulm institucional ndaj gjuhës shqipe
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj heqjes së mbishkrimeve dhe shenjave identifikuese në gjuhën shqipe të Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, duke thënë se, dënon ashpër veprimet skandaloze të ministrit Ivan Stoilkoviq dhe ka akuzuar këtë të fundit se po bën sulm hapur institucional ndaj gjuhës shqipe, transmeton Portalb.mk.
“Ndërsa Stoilkoviq vepron çdo ditë kundër pranisë së gjuhës shqipe në institucione, VLEN vazhdon të heshtë. Kjo heshtje nuk është më paaftësi politike, por bashkëpërgjegjësi dhe nënshtrim i plotë përballë politikave antishqiptare që po zbatohen brenda Qeverisë. Pas presioneve ndaj administratës shqiptare dhe tentativave të vazhdueshme për largimin e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve nga hapësirat ekzistuese, tani kanë filluar edhe aktet konkrete të fshirjes së identitetit institucional shqiptar, duke hequr tabelat dhe mbishkrimet në gjuhën shqipe nën arsyetimin qesharak të “renovimit”, thuhet në reagim.
Nga BDI kanë shtuar se, më skandaloze është fakti se institucionet që duhet ta mbrojnë gjuhën shqipe drejtohen nga kuadro të VLEN-it, ndërsa ata nuk guxojnë të thonë asnjë fjalë përballë Stoilkoviqit.
“I pyesim publikisht drejtuesit e VLEN-it: Deri kur do të heshtni ndërsa hiqen mbishkrimet shqipe nga institucionet shtetërore? A jeni në Qeveri për t’i mbrojtur shqiptarët apo vetëm për të ruajtur kolltukët tuaj? BDI rikujton se gjatë qeverisjes së BDI-së, gjuha shqipe avancoi me vendime konkrete, me institucione funksionale dhe me dinjitet të garantuar institucional. Sot, shqiptarët po shohin kthim prapa, poshtërim dhe tentativa të hapura për ta larguar gjuhën shqipe nga institucionet shtetërore”, kanë thënë nga BDI.
Ndryshe, gjuha shqipe është rikthyer në qendër të debatit politik dhe institucional në Maqedoninë e Veriut, sidomos pas zhvillimeve të fundit që lidhen me kontestimin e disa neneve të Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe çështje të tjera konkrete në praktikë. Debati është intensifikuar veçanërisht rreth moslejimit të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, çka ka nxitur reagime politike, iniciativa në Kuvend dhe paralajmërime për protesta nga studentët . Këto zhvillime kanë thelluar përplasjet mes institucioneve dhe aktorëve politikë. Po ashtu, debatet janë zgjeruar edhe në iniciativa të tjera si projekti për “Qytetin e sigurt”, ku është ngritur shqetësimi për mungesën e përdorimit të barabartë të gjuhës shqipe në komunikimin institucional dhe në sistemet publike, duke e thelluar më tej diskutimin për zbatimin real të ligjit në terren.
- LEXO: Protestë më 6 prill në Shkup, studentëve shqiptarë iu humbi durimi: Jurisprudenca të jepet edhe në shqip (Video)
- LEXO: ‘Qyteti i Sigurt’ do të flasë vetëm maqedonisht, tani për tani nuk ka mesazhe në shqip
- LEXO: Kostadinovski: SMS-të për gjobat mund të dërgohen edhe në anglisht, por jo në shqip, shpërtheu debati për “Safe City”