FFM pezulloi përjetësisht tre lojtarë të KF Besa pas sulmit ndaj lojtarit të KF Aerodrom

Komiteti Disiplinor i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM) ka vendosur të pezullojë përjetësisht tre lojtarë nga Klubi i Futbollit Besa nga Sllupçani për sulmin ndaj lojtarëve të KF Aerodrom të Shkupit gjatë ndeshjes në kuadër të raundit të tetë të Ligës së tretë – Veri, të luajtur fundjavën e kaluar, transmeton Portalb.mk.

Lojtarët Orhan Demiri, Erdin Arifi dhe Behar Demiri nga Besa janë pezulluar për, siç u tha nga FFM, një sulm fizik dhe përpjekje për të linçuar një lojtar kundërshtar pas ndeshjes.

Fusha e KF Besa në Sllupçan, ku u luajt ndeshja e diskutueshme, do të pezullohet për dhjetë ndeshje, ndërsa klubi i futbollit do të duhet të paguajë gjithashtu gjobë në përputhje me rregulloret disiplinore.

“Federata e Futbollit të Maqedonisë dënon fuqimisht çdo formë dhune në fushat e futbollit dhe do të vazhdojë të zbatojë vazhdimisht të gjitha rregulloret disiplinore, me qëllim mbrojtjen e integritetit të ndeshjeve dhe sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në futboll. Nuk ka vend ose mëshirë në futboll për ata që janë të përgatitur të rrahin, linçojnë dhe njollosin reputacionin e futbollit”, thonë nga FFM.

Ata deklarojnë më tej se komisioneri disiplinor i Ligës së tretë – Veri u bën thirrje të gjithë atyre që kanë materiale shtesë video ose prova të tjera relevante në lidhje me incidentin, t’i paraqesin ato për qëllime të procedurës disiplinore.