Federata vendosi që ndeshja Shkëndija – Rabotniçki mos të luhet nesër, katër ndeshjet tjera do të luhen sot dhe nesër
Ndeshjet e javës së katërt në futbollin e Maqedonisë së Veriut filluan dje me ndeshjen Shkupi – Vardar. Ndeshja e kësaj jave ndërmjet Rabotniçkit dhe Shkëndijës nuk do të luhet nesër, siç ishte planifikuar, transmeton Portalb.mk.
“Rabotniçki-Shkëndija nuk do të luhet në terminin e paraparë të dielën (31.08.2025), pasi Komisioni për Gara pranë FFM-së ka sugjeruar të respektohet kërkesa e seleksionuesit të shpresave të vendit Goran Staniq për ndryshim orari”, njoftuan nga Shkëndija, duke sqaruar se orari akoma nuk është përcaktuar se kur do të luhet ndeshja.
Kjo kërkesë kishte ardhur si rezultat i asaj se dy futbollistë të Shkëndijës dhe katër futbollistë të Rabotniçkit janë ftuar nga seleksionuesi për ndeshjet e kualifikuese për Evropianin U-21 që do të jetë në vitin 2027.
Liga e Parë e Maqedonisë së Veriut sot do të vazhdojë me ndeshjen Bashkimi – Struga dhe Arsimi – Sileks, ndërsa nesër do të luajë Makedonija Gj.P. kundër Pelisterit dhe Tikveshi kundër Akademia Brerës.
Shkupi nga katër ndeshje, nuk ka arritur të fiton asnjë pikë. Tani në krye të tabelës gjendet Vardari me dhjetë pikë nga katër ndeshje, e ndjekur nga Struga dhe Sileksi që kanë nëntë pikë nga tri ndeshje. Shkëndija ka shtatë pikë nga tri ndeshje, ndërsa Arsimi vetëm dy pikë në tri ndeshje.
Kampion i Ligës së Parë në sezonin 2024/25 është shpallur Shkëndija e Tetovës, ndërsa Vardari është fitues i Kupës. Në sezonin 2025/26 në Ligën e Parë do të luajnë Shkëndija, Struga, Shkupi, Bashkimi dhe Arsimi që u kualifikua nga Liga e Dytë për herë të parë.