Fanaj, e para me origjinë nga Kosova që bëhet ministre kantonale në Zvicër

Ylfete Fanaj është bërë ministrja e parë kantonale në Zvicër me origjinë nga Kosova, raporton Koha.net. Fanaj u zgjodh në qeverinë e kantonit të Luzernit.

Në të vërtetë është hera e parë pas tetë vjetëve që partia SP arriti të kthehet në qeverinë e Luzernit, falë Fanajt.

Fanaj në zgjedhje mori 45.053 vota. Më së tepërmi vota fitoi Armin Hartmann i SVP-së, 51.078, ka shkruar “nau.ch”.

Kështu që është kompletuar qeverisja e Luzernit.

“Shumë urime për Ylfete Fanajn! Nga sot e para ministre kantonale në Zvicër me origjinë nga Kosova. Socialdemokrate, e afërt me njerëzit, e angazhuar për një shoqëri me shanse të barabarta, luftëtare me argumente, një zë origjinal dhe i shumëngjyrshëm politik në Zvicër: sot Ylfete Fanaj u zgjodh ministre në qeverinë e kantonit të Luzernit. Deri më tani ky është posti më i lartë ekzekutiv që në Zvicër e fiton një politikane me prejardhje nga Kosova. Ylfete Fanaj zhvilloi një fushatë elektorale shumë simpatike. Ajo në fjalimet e saj nuk përjashtoi askënd, por u angazhua për gjithëpërfshirje, gjithnjë sipas motos së saj politike dhe njerëzore: kurrë mos ua këputni krahët njerëzve që duan të fluturojnë! E kam përcjellë me kureshtje gati 20-vjeçare rrugëtimin politik të Ylfete Fanajt dhe sot jam tejet i lumtur për suksesin e saj të merituar. Me shembullin e saj, ajo shpresoj të jetë inspirim sidomos për shumë vajza shqiptare të mërgatës sonë dinamike”, ka shkruar në Facebook gazetari the publicisti Enver Robelli.