Familjarët e viktimave në Koçan me porosi për gjyqtarët: Gjykoni drejt!

Në marshin e djeshëm familjarët e viktimave në tragjedinë e Koçanit kërkuan që policët që ndërhynë në diskotekë atë natë, si dhe drejtori dhe personeli mjekësor që punonin në spitalin e Koçanit, të mbahen përgjegjës, sepse, sipas tyre, punuan pa materialet dhe oksigjenin e nevojshëm dhe nuk ishin në gjendje t’u ofronin ndihmë viktimave, transmeton Portalb.mk.  

Ata gjithashtu, përsëri, kërkuan përgjegjësi nga autoritetet lokale, nga inspektimet, duke theksuar se nuk janë të kënaqur me aktakuzën në të cilën 34 individë dhe tre persona juridikë duhet të mbahen përgjegjës për tragjedinë. 

“Kjo nuk do t’i kthejë fëmijët tanë. Nëse diskoteka do të ishte mbyllur sepse nuk kishte licencë, fëmijët tanë nuk do të kishin vdekur”, tha një nga nënat. 

Ajo tha se po lufton për të gjithë fëmijët, si për të vetët ashtu edhe për fëmijët tjetër.  

Një nënë tjetër porositi gjyqtarët që të ulen shtrembër, por të gjykojnë drejt, dhe se kjo duhet të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur. 

Kujtojmë se, kjo protestë është e 11-ta me radhë, ku të afërmit dhe prindërit e personave që vdiqën në zjarrin në diskotekën “Puls”, kërkojnë drejtësi dhe veprim nga institucionet. Sikur në marshet e mëparshme, edhe dje, të veshur me të zeza, me fotografi të fëmijëve të tyre në duar, protestuesit ecën nëpër Koçan, u ndalën para policisë, prokurorisë dhe gjykatës.  

Zjarri në Koçan shpërtheu natën e 15-16 marsit, duke rezultuar me 62 viktima dhe duke plagosur pothuajse 200 të tjerë.

Prokuroria ka ngritur akuza kundër 34 personave të cilët, nëpërmjet veprimeve ose mosveprimeve të tyre brenda sistemit, shkaktuan katastrofën. Aktakuza përfshin gjithashtu tre kompanitë e pronarit të diskotekës, i cili është i pandehuri kryesor.