Kryqi i Kuq kreu pagesën e fundit prej mbi 39 milionë denarësh të ndihmës financiare për të prekurit nga zjarri në Koçani

Në kuadër të apelit të Kryqit të Kuq të RMV-së për mbështetje të të prekurve nga zjarri katastrofik në Koçani, në periudhën nga 16.03.2025 deri më 16.06.2025, janë mbledhur gjithsej 153.931.166,00 denarë. Kryqi i Kuq i RMV-së ka kryer pagesa për të prekurit nga zjarri në Koçani në disa raste, transmeton Portalb.mk.

Me transferin e fundit të sotëm më 17.06.2025, janë paguar mjete për 156 persona, të ndarë në 5 kategori, bazuar në vlerësimin e shkallës së lëndimeve dhe prognozën për trajtimin e tyre të mëtejshëm, bërë nga grupi i punës i Ministrisë së Shëndetësisë, në një shumë totale prej 39.750.000,00 denarë.

Në ditët në vijim do të realizohet edhe transferi i mjeteve për 11 persona të tjerë për të cilët duhet të sigurohen dokumentet e nevojshme, përkatësisht deklaratat dhe pëlqimi për përdorimin e të dhënave personale, pasi që këta persona nuk janë përfshirë në pagesat e deritanishme.

Shuma totale e deritanishme e mjeteve të transferuara për të prekurit, deri më 17.06.2025, arrin në 147.199.101,00 denarë.

“Kryqi i Kuq edhe një herë falënderon të gjithë donatorët që kanë kontribuar dhe ende kontribuojnë në mobilizimin e ndihmës humanitare për të prekurit dhe familjet e tyre. Ne mbetemi të përkushtuar në vazhdimësi për mobilizimin e ndihmës humanitare në funksion të mbështetjes për të prekurit nga zjarri i madh. Kryqi i Kuq vazhdon aktivitetet në terren me fokus në ofrimin e mbështetjes psikologjike, në përpjekje për të dhënë një kontribut modest në tejkalimin e pasojave të ngjarjes katastrofike. Kryqi i Kuq i RMV-së së shpejti do të hapë Qendrën Rajonale për Shëndet Mendor dhe Mbështetje Psiko-Sociale në qytetin e Koçanit, e cila me aktivitetet e saj do të mbulojë nevojat e popullatës në pjesën lindore të Maqedonisë”, thonë nga Kryqi i Kuq.

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prillmë 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.

Hetimi fillimisht përfshinte 68 individë dhe tre personave juridikë, por së fundmi, Prokuroria njoftoi se akuzohen 34 persona fizikë dhe tre personash juridikë dhe se është ndërprerë procedura për dy ish-ministra.