Për tetë muaj, 34 persona më pak RMV kanë humbur jetën në aksidente trafiku krahasuar me vitin e kaluar
Numri i personave që kanë humbur jetën në aksidente trafiku gjatë tetë muajve, nga janari deri në gusht, është ulur për 35,42 përqind, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB). Sipas shifrave të publikuara, vitin e kaluar në të njëjtën periudhë jetën e humbën 96 persona, ndërsa këtë vit kjo shifër është ulur për 34 dhe është 62, transmeton Portalb.mk.
Gjithashtu, nga MPB-ja thonë se është ulur edhe numri i përgjithshëm i personave të aksidentuar, nga 4.731 në 3.868.
“Bëhet fjalë për 863 persona më pak të vdekur dhe të lënduar, përkatësisht ulje prej 18,24 për qind”, thonë nga MPB-ja.
Në statistikën e publikuar thuhet se numri i përgjithshëm i aksidenteve të trafikut është ulur nga 5.485 në 4.840, përkatësisht për 11,76 përqind.
“Numri i aksidenteve të trafikut me pasoja fatale është ulur nga 82 në 54 ose për 34,15 përqind, ndërsa numri i aksidenteve të trafikut me lëndime të rënda trupore është ulur nga 594 në 528, përkatësisht për 11,11 përqind”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Të dhënat nga evidencat e Ministrisë së Punëve të Brendshme tregojnë se numri i aksidenteve të trafikut me lëndime trupore është ulur nga 2.291 në 1.896, ndërsa aksidentet e trafikut me dëme materiale janë ulur nga 2.518 në 2.362. Për 833 është ulur numri i personave me lëndime trupore, ndërsa numri i atyre që kanë pësuar lëndime të rënda trupore është pothuajse në të njëjtin nivel – 686 në vitin 2025 dhe 690 këtë vit.
Nga MPB-ja bëjnë krahasim edhe me numrin e viktimave në trafik në periudhën nga viti 2010 deri në vitin 2025, kur çdo vit kanë humbur jetën nga 116 deri në 198 persona, ndërsa në vitet 2019 dhe 2025 janë regjistruar nga 132 viktima.
Sipas MPB-së, ndryshimi pozitiv në vitin 2026 është rezultat i qasjes së integruar që përfshin sistemin “Qyteti i Sigurt”, ndryshimet ligjore, kontrollet e përforcuara policore dhe aktivitetet e vazhdueshme parandaluese.
Nga atje thonë se me fillimin e sanksionimit përmes sistemit “Qyteti i Sigurt”, më 1 shkurt 2026, është vendosur një model i ri veprimi. Kundërvajtjet detektohen automatikisht, lëndët përpunohen në mënyrë elektronike, ndërsa njoftimet dërgohen përmes mesazheve SMS dhe postës elektronike.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për vendosjen e një teknologjie të re, por për ndryshimin e mënyrës së zbatimit të rregullave të trafikut, përkatësisht nga kontrolli periodik drejt veprimit të vazhdueshëm, të parashikueshëm dhe jopërzgjedhës. Me këtë rritet siguria se kundërvajtja e detektuar do të procedohet, zvogëlohet hapësira për veprim subjektiv dhe ndikohet në mënyrë parandaluese ndaj sjelljes së pjesëmarrësve në trafik”, shtohet në njoftim.
Nga MPB-ja paralajmërojnë se do të vazhdojnë me përmirësimin dhe zgjerimin e sistemit “Qyteti i Sigurt”, me kontrolle të përforcuara dhe masa të orientuara drejt uljes së numrit të aksidenteve në trafik, përkatësisht më pak persona të lënduar dhe më pak jetë të humbura.