Është lënë në harresë parkingu nëntokësor në Strugë edhe pse premtohet në çdo zgjedhje

Edhe pse dy mandate radhazi ndërtimi i një parkingut nëntokësor është premtim elektoral nga kryetari i Komunës së Strugës, ai nuk është ndërtuar. Përfaqësuesit e Komunës së Strugës thonë se ky qytet ka mjaft vende-parkimi dhe fajësojnë siç i quajnë ata, qytetarët e papërgjegjshëm për kaosin në trafik. Nga Komuna nuk përgjigjen në pyetjen se çfarë po ndodh me premtimin elektoral e lartpërmendur ndërkaq nga vëzhgimi në terren vlerësojmë se ky premtim ende nuk është realizuar, shkruan Portalb.mk

Screenshot nga programi zgjedhor "Agjenda e Blertë" për Strugën
Screenshot nga programi zgjedhor “Agjenda e Blertë” për Strugën

Ndërtimi i parkingut nëntokësor, ishte një ndër premtimet e projekteve të rëndësishme infrastrukture në programin zgjedhor Agjenda e Blertë (Faqe 42) nga kreu aktual i Komunës së Strugës Ramis Merko.

Në programin zgjedhor rreth premtimit në fjalë nuk jepen të dhëna konkrete si për  shembull lokacioni ku do të ndërtohet, buxheti i mundshëm, fazat e punimeve, etj. Sidoqoftë, premtimi për ndërtimin e një parkingu nëntokësor nuk është diçka e re për struganët.

I njëjti premtim, tashmë si duket në harresë, elektoratit struganë ju bë dhe gjatë fushatës zgjedhore në zgjedhjet lokale të vitit 2017 ku fitues në këtë Komunë doli kandidati i BDI-së, Ramis Merko.

“Ndërtimin e parkingut nëntokësor tek sheshi i Strugës në partneritet publiko-privat”, deklarohet në programin zgjedhor “Për Komunën që duam” (faqe 16) në vitin 2017. Premtimin e njëjtë Merko e thekson edhe gjatë një interviste për Portalb.mk në qershor të vitit 2018.

“Kemi premtuar një parking nëntokësor që do e bëjmë në sheshin e qytetit me partneritet privato-publik. Do me thënë po e përgatisim dokumentacionin dhe do e shfaqim të njëjtin. Do të bëjmë tenderim ndërkombëtar për 35 vite të mundet dikush ta shfrytëzojë por pas 35 vitesh do të kemi një pasuri për Komunën”, shprehet Ramiz Merko në minutën e 14.37 të intervistës.

Në prill të vitit 2021 Ramis Merko nga Komuna e Strugës njoftuan se kanë filluar punët në terren për ndërtimin e parkingut nëntokësorë në Strugë që do të ndërtohet përmes partneritetit privato-publik.

Në fund të muajit maj, mediat lokale publikuan projektin ideor të parkingut nëntokësor dhe investitorin privat të projektit, kompaninë “AS-INVEST” nga Struga.

Që nga viti 2021 nuk ka pasur më prononcime publike rreth projektit të famshëm për ndërtimin e parkingut nëntokësor. Ndërkohë, edhe pse në qytetin e Strugës janë hapur shumë vend-parkime të reja komunikacioni kaotik si shkak i bllokimet të rrugëve dhe trotuarëve nga makinat e parkuara vazhdon të mbetet një problem konstant. Ndonëse ky fenomen mundet të vlerësohet si veprim i qytetarëve të pandërgjegjshëm ata shpesh arsyetohen se nuk ka hapësira parkimi dhe detyrohen të parkohen ku të duan dhe si të jetë.

Redaksia e Portalb.mk këtë shqetësim e adresoi në Komunën e Strugës, nga ku gjithashtu kërkoi informacion se deri ku është realizimi i premtimit, tashmë disa herë elektoral, për ndërtimin e një parkingu nëntokësor në qytetin e Strugës.

“Në qytet janë ndërtuar parkingje në shumë lokacione për 500 makina, pra po trafiku kaotik që e përmendët ju është në ndërgjegjen e qytetarëve”, deklaruan shkurt nga Komuna e Strugës.

Duke u bazuar në situatën aktuale në terren në lokacionin e paralajmëruar se do të ndërtohet parking nëntokësor, Portalb.mk konkludon se ky premtim infrastrukturorë i bërë në programin zgjedhor Agjenda e Blertë, nga kryetari aktual i Komunës së Strugës, ende nuk është realizuar.

BURIMET
* Programi zgjedhor Agjenda e Blertë faqe 42, verifikuar më 03.11.2023
* Programi zgjedhor Për Komunën që duam faqe 16, verifikuar 06.11.2023
* Llogaria zyrtare e Komunës së Strugës në Facebook, njoftimi i punimeve për ndërtimin e parkingut nëntokësor.