Është anuluar seanca gjyqësore ndaj ish drejtorit të Geriatrisë, Muhsin Arifi

Është anuluar seanca e parë kundër ish-drejtorit të Klinikës së Geriatrisë në Shkup, Muhsin Arifi, i cili akuzohet për marrje të ryshfetit nga një grua që dëshironte që një anëtar i familjes të pranohet në spital, raporton Alsat, transmeton Portalb.mk.

Gjykatësja Lenka Davitkova nga Gjykata Penale shtyu seancën e sotme për shkak të mungesës së avokatit të Arifit, i cili u soll në seancë nga burgu i Shuto Orizarës. Në sallë ishte i pranishëm edhe bashkëpunëtori i tij, kujdestari Blerim Amiti, i cili i ka marrë paratë në emër të Arifit. Bëhet fjalë për 20.000 euro. Seanca e radhës është caktuar për në fund të gushtit.

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit më 4 korrik ngriti aktakuzë në Gjykatën Themelore Penale në Shkup kundër Arifit dhe bashkëpunëtorit të tij.

Sipas aktakuzës, drejtori kërkoi  përfitim të konsiderueshëm financiar për veten e tij me qëllim miratimin e shtrimit në spital të një personi në gjendje të rëndë shëndetësore, që ishte detyra e tij zyrtare. Ai kërkoi paratë nga një dëshmitar i cili kishte lidhur marrëveshje për mbështetje të përjetshme me pacientin.

I pandehuri i dytë, duke përdorur ndikimin e tij tek drejtori, ndërmjetësoi dhe mori shumën e kërkuar për të kryer veprimin zyrtar. Ai u arrestua në vendngjarje nga policia ndërsa merrte një pjesë të shumës së rënë dakord në shumën prej 20,000 eurosh.

Së bashku me aktakuzën, Prokuroria paraqiti propozim për zgjatjen e masës së paraburgimit për dy të pandehurit, duke shpjeguar se rrethanat për shkak të të cilave u caktua fillimisht paraburgimi ende ekzistojnë dhe nuk ka kushte për përcaktimin e një mase më të butë.

Drejtori i Spitalit Geriatrik “13 Nëntori”, Muhsin Arifi dhe një person tjetër u arrestuan më 8 prill.

LEXO: Prokuroria ngriti aktakuzë kundër Muhsin Arifit dhe bashkëpunëtorit të tij, morën ryshfet prej 20.000 eurosh nga një pacient