Është arrestuar drejtori i një institucioni shëndetësor, dyshohet për ryshfet prej 20.000 euro
Drejtori i Spitalit Geriatrik “13 Nëntori”, Muhsin Arifi dhe një person tjetër janë arrestuar nën dyshimin për marrje ryshfeti. Jozyrtarisht veprën penale e ka kryer së bashku me një ndërmjetës. Ai mori ryshfet për të vendosur një person të sëmurë dhe të palëvizshëm në një institucion geriatrik, transmeton Portalb.mk.
Prokuroria e konfirmoi këtë informacion, pa bërë të ditur identitetin.
“Në një aksion të koordinuar nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe MPB-së janë ndaluar dy persona të dyshuar për veprat penale të marrjes së ryshfetit dhe marrjes së shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm. Po vijon hetimi i plotë për ngjarjen”, thanë nga Prokuroria.
Arifi më parë ka qenë drejtor i Spitalit Psikiatrik në Shkup, është arkitekt i diplomuar dhe është kuadër i Aleancës për Shqiptarët, krahu i Taravarit.
Për rastin ka reaguar edhe partia nga radhët e të cilës vjen drejtori në fjalë, Aleanca për Shqiptarët e Taravarit.
“Duke pasur parasysh se personi M.A është propozuar nga ASH për zgjidhje të përkohshme për drejtor të ISHP Spitali i Specializuar për Mjekësi Geriatrike dhe Paliative “13 Nëntori Shkup”, konsiderojmë të nevojshme të njoftojmë si në vijim: ASH u bën thirrje organeve kompetente shtetërore që në një procedurë të shpejtë dhe efikase të sqarojnë të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me ngjarjen konkrete penale. Kushdo që ka shkelur ligjin duhet të mbajë përgjegjësi, pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare apo politike. Dhënia e drejtësisë duhet të jetë jo selektive dhe në përputhje me të gjitha mekanizmat dhe vlerat themelore kushtetuese dhe ligjore. Aleanca për Shqiptarët mbetet fuqishëm e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe në reformimin rrënjësor të sistemit shtetëror, me qëllim që të gjitha dukuritë devijante të minimizohen. Populli shqiptar nuk meriton të përfaqësohet nga persona që eventualisht përpiqen të pasurohen në mënyrë të paligjshme mbi vuajtjet shëndetësore të qytetarëve. Kjo është e papranueshme dhe bie ndesh me parimet që ne përfaqësojmë. Organet partiake të Aleancës për Shqiptarët do të ndërmarrin të gjitha hapat statutare të nevojshme për ruajtjen e imazhit dhe integritetit të partisë”, thonë nga ASH.
Ndërkohë nga Ministria e Shëndetësisë thanë se angazhohen për sqarim sa më të shpejtë të rastit nga ana e Prokurorisë Publike në lidhje me pretendimet për marrje ryshfeti.
“Ministria e Shëndetësisë është në dispozicion nëse kërkohen çfarëdo lloj informacionesh në bazë të detyrës zyrtare. Prioriteti ynë mbetet ofrimi i kujdesit më të përshtatshëm për të gjithë pacientët në institucionet shëndetësore publike”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Rastin e ka konfirmuar edhe Ministria e Brendshme.