Erkan Arifi e la Orizaren pa bibliotekën që e premtoi, Komuna e Likovës hesht për këtë dështim
Ndërtimi i bibliotekës në fshatin Orizare mbetet premtim i parealizuar i Komunës së Likovës në krye me Erkan Arifin, shkruan Portalb.mk.
Në programin zgjedhor “Tek e blerta” 2021–2025, Erkan Arifi, kryetari i Komunës së Likovës, premtoi se përveç investimeve në arsim dhe kulturë, Komuna e Likovës do të angazhohet për ndërtimin e një biblioteke në fshatin Orizare e cila do të shërbejë për të rinjtë, studentët dhe qytetarët.
Te pjesa zhvillimit kulturë e pastër konkretisht në faqe 9 thuhet:
“Ndërtimi i një biblioteke f.Orizare – 45.000 euro”.
Por, tre vite e gjysmë më vonë prej kur Arifi u rizgjodh në krye të Komunës së Likovës, kjo pikë e programit nuk është realizuar në terren.
Portalb.mk kërkoi nga Komuna e Likovës se pse deri tani nuk është ndërtuar biblioteka, dhe nëse është në plan kur do të ndërtohet, por nga Komuna e Likovës nuk përgjigjen për këtë premtim të papërmbushur.
Burimet e Portalbit thonë se gjatë dy viteve të fundit çështja e ndërtimit të bibliotekës në fshatin Orizare nuk është diskutuar në asnjë nga mbledhjet e Këshillit Komunal.
Disa banorë nga Komuna e Likovës në një bisedë për Portalb.mk theksuan se bibliotekë pritet të ndërtohet në fshatin Mateç. Megjithatë, edhe atje nuk ka ende punime.
Ndryshe, biblioteka e vetme në Komunën e Likovës ndodhet në shkollën fillore “Faik Konica” që gjendet mes fshatrave Sllupçan dhe Orizare.