Rrëmujë verore në Tetovë: Trafiku në kolaps, institucionet nuk ofrojnë zgjidhje

Ngjashëm si çdo vit, me ardhjen e mërgimtarëve gjatë sezonit veror, Tetova ngulfatet nga kaosi në trafik, ndërsa kalimi nga njëri cep i qytetit në tjetrin që është rreth 5 kilometra shpesh zgjatë gjysmë ore. Qytetarët janë të lodhur nga pritjet e gjata në timon dhe rrugët e bllokuara. Autoritetet lokale nuk ofrojnë ende zgjidhje edhe pse vazhdimisht paralajmërojnë të njëjtën. Shoferët e pandërgjegjshëm nuk i ndalojnë as gjobat e policisë që të mos parkohen vend e pa vend, shkruan Portalb.mk.

Qytetarët po aq sa janë mësuar me këtë realitet, aq janë edhe të lodhur.

“Çdo ditë është e njëjta këngë, qyteti është i paralizuar, tollovitë vetëm sa shtohen”, tha një qytetar. 

“Është bërë rutinë, premtojnë dhe nuk realizojnë asgjë, ky vend mbeti duke dëgjuar premtime dhe asnjë punë në terren”, tha një qytetare. 

“Institucionet duhet ta bëjnë punën e tyre të sigurojnë kushte, por problem shpesh janë edhe qytetarët e pandërgjegjshëm që parkohen ku duan”, tha në qytetar. 

Zëdhënësi i Policisë së Tetovës Fatmir Rexhepi theksoi se gjatë muajit qershor policia e komunikacionit rrugor ka shqiptuar gjithsej 522 masa ndaj shoferëve të cilët nuk kanë respektuar rregullat sa i përket parkimit në rrugë. 

“Kurse deri më 14 korrik gjithsej janë shqiptuar 237 masa të tilla, ku pjesa më e madhe kanë të bëjnë me parkimin në rreshta të dyfishta, në zona udhëkryqi ose rrethrotullim, në vizë-bardha, trotuare e kështu me radhë”, tha Rexhepi. 

I pyetur për këtë problem të përvjetshëm, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami “zgjidhjen e sheh te plani i mobilitetit i cili nuk është ende gati.

“Plani i mobilititet vazhdon të përgatitet, javën e kaluar kishim takim me kompaninë që e përpilon planin e mobilitetit, brenda javës që vjen do të ketë edhe një prezantim që do të jetë i hapur për publikun, me gjetjet preleminare para se të jenë përfundimtare, që bashkërisht me opinionin, me palët e interesuara të sillet vendimi përfundimtar që ata të përgatisin draftin përfundimtar”, tha Kasami. 

Ky studim i mobilitetit përgatitet nga Instituti INSI nga Kosova dhe ka për qëllim zvogëlimin e mbingarkesës në rrugët e qytetit.

Plani i mobilitetit të qëndrueshëm urban pritet të jetë gati nga fundi i vitit 2025 bashkë me propozimet konkrete, ndërsa një periudhë më e gjatë, do të nevojitet për planin gjeneral urbanistik 

Kujtojmë se, studimin e mobilitetit kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami e ka paralajmëruar dhe përmendur disa herë përmes të cilit pritet të zgjidhet çështja e kaosit në trafik, si parkingjet, regjimi i rrugëve, transporti publik, uzurpimi i trotuareve dhe të tjera. 

Në ndërkohë, plani i ri gjeneral urbanistik për Tetovën pritet të sillet në vitin 2026. 

Pavarësisht se autoritetet me vite kanë premtuar zgjidhje për këto probleme, pamjet nga terreni flasin ndryshe. Situata rrëndohet ende më shumë gjatë verës dhe dimrit, kur kthehen mërgimtarët.