Eno Peçi: Arti sa vjen dhe komercializohet dhe po kthehet në një formë biznesi, arti duhet të ngacmojë publikun nëpërmjet mesazheve

Arti sa vjen dhe komercializohet edhe më shumë dhe po kthehet në një formë biznesi. Shumë teatro janë kthyer në fabrika biznesi të prodhimit të shpejtë të artit. Arti i baletit/kërcimit, është një formë shprehëse shumë e fortë dhe ka një horizont shumë të gjerë për të përcjellë mesazhe të thella dhe universal. Si çdo formë arti tjetër edhe arti i baletit/kërcimit do kohën e duhur që rezultati në fund të jetë i bindshëm. Kështu tha ndër të tjera për Portalb.mk balerini dhe koreografi shqiptar me famë botërore, Eno Peçi. Ai ndër të tjera foli edhe për atë se si Arti duhet të ngacmojë publikun nëpërmjet mesazheve që ata i transmetojmë. 

Portalb.mk: Keni një bagazh të madh të arritjeve tuaja në skenat botërore, na tregoni se si nisi ky rrugëtim dhe si arritët deri këtu?

Eno Peçi: Kur isha i vogël më pëlqente shumë të kërceja rep, rok, breakdance etj. Por nuk e kisha idenë se çfarë ishte baleti. Kështu që prindërit më dërguan në shkollën e baletit. Aty pastaj fillova të studioja metodën e baletit klasik. Ishte diçka e re për mua, sepse aty nuk kërcehej, kërcimet që unë bëja, por ishte një shkollë edukimi i baletit klasik për të marrë bazat e para për t’u bërë më tej një balerin profesionist me bazë klasike. Një edukim dhe një stërvitje shumë e vështirë që kërkonte një disiplinë shumë të fortë. Me pas unë studimet i vazhdova në Vjenë, ku dhe u diplomova. Dhe që prej vitit 2000, vazhdoj të jem pjesë e Teatrit të Operës dhe Baletit të Vjenës.

Portalb.mk: Cila ishte vepra apo performanca që ju bëri pjesë të Operës Shtetërore të Vjenës? Si e përjetuat këtë moment historik?

Eno Peçi: Pas diplomimit të shkollës së baletit të Vjenës, unë fillova punë në Teatrin e Operës dhe Baletit të Vjenës, pa audicion. Drejtori i Teatrit të Operës dhe Baletit të Vjenës, shikonte në vazhdueshmëri arritjet e mija, dhe në momentin kur u diplomova, ai më propozoi kontratën që të jem pjesë e teatrit. Ishte një moment shumë i veçantë, sepse nuk e prisja por e ëndërroja dhe ajo ëndërr u realizua. Por, roli që me hapi shumë dyer ka qenë roli i Spartakut me koreografi të Renato Zanellas.

Portalb.mk: Si e përjetuat kalimin nga skena shqiptare në atë austriake? Çfarë ishte më sfiduese në fillim?

Eno Peçi: Në skenën shqiptare atëherë unë nuk kam perfomuar, sepse kam qenë ende në shkollë të baletit. Por mbaj mend që kam performuar me shkollën e baletit të Tiranës vallen e shqiponjave. Ka qenë një moment shumë i veçantë, sepse ishte hera e parë që kërceja në një skenë teatri. Një kujtim shumë i bukur që e kam gjithmonë në zemrën time. Skena në Vjenë ishte shumë mahnitëse. Një teatër plot histori dhe me një traditë, kulturë të trashëguar. Një publik i ftohtë dhe shumë i përmbajtur. Pastaj kuptova që ishte një publik kërkues por edhe kritik, kishte njohuri për artin, për pjesët qe ne luanim. Ishte një publik shumë i edukuar dhe pritshmëritë ishin të larta që prisnin nga artistët.

Fotografi nga arkivi personal i Eno Peçit. Foto: Eno Peçi
Fotografi nga arkivi personal i Eno Peçit. Foto: Eno Peçi

Portalb.mk: Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballeni kur krijoni një koreografi për një institucion të madh si Opera Shtetërore e Vjenës? Si i balanconi kufizimet institucionale me lirinë artistike?

Eno Peçi: Është shumë sfiduese të koreografosh për një teatër siç është ajo e Vjenës. Një institucion shtetëror me një traditë që duhet respektuar. Tradita, është shumë e rëndësishme që të vazhdoj dhe të mbahet gjallë. Por gjithashtu ne duhet të ecim edhe me kohën sepse arti evoluon çdo ditë. Dhe arti nuk ka kufi. Dhe traditës pa i prishur atë formën e vet dhe duke i dhënë disa nuanca të freskëta, mbase bëhet edhe më interesante. Janë dy gjëra që kërkojnë ndjeshmëri dhe mirëkuptim në bashkëpunim me njëra tjetrën.

Portalb.mk: Në një kohë kur shumë forma arti po shkojnë drejt komercializimit, si mund të mbetet baleti një medium i fuqishëm për të përcjellë mesazhe të thella dhe universale?

Eno Peçi: Është shumë e vërtetë. Arti sa vjen dhe komercializohet edhe më shumë dhe po kthehet në një formë biznesi. Shumë teatro janë kthyer në fabrika biznesi të prodhimit të shpejtë të artit. Arti kërcimit, është një gjuhë e të shprehurit nëpërmjet trupit tonë. Emocionet, ndjesitë që ne i përjetojmë i përcjellim nëpërmjet trupit tonë. Lëvizjet koreografike janë mënyra se si ne mund të shprehim emocionet tona që ne ndjejmë ose përjetojmë. Lëvizjet koreografike pa ndjenja nuk bëjnë sens. Nëpërmjet artit edukohet publiku. Arti duhet të ngacmojë publikun nëpërmjet mesazheve që ne i transmetojmë. Mesazhet mund të jenë pozitive por edhe negative. Arti i baletit/kërcimit, është një formë shprehëse shumë e fortë dhe ka një horizont shumë të gjerë për të përcjellë mesazhe të thella dhe universal. Si çdo formë arti tjetër edhe arti i baletit/kërcimit do kohën e duhur që rezultati në fund të jetë i bindshëm.

Portalb.mk: Kur krijoni një koreografi, si i përzgjidhni elementët, muzikën, lëvizjet, temat? A ekziston një metodologji?

Eno Peçi: Ka një renditje metodologjie le të themi, por nuk është e thënë që duhet patjetër të ndiqet sipas renditjes. Normalisht në shumicën e rasteve, tema është e para dhe elementet e tjera i përshtaten temës. Por mund të jetë edhe muzika që të frymëzon dhe lind një koncept i ri dhe bashkë me një dramaturg rishikohet dhe zhvillohet deri në detaje. Një ide mund edhe të lindi nga një improvizim lëvizjesh. Është diçka e brendshme që aq më shumë e humb veten në një botë tjetër që ndodhet brenda teje, por pa vetëdije fillon dhe çdo gjë bëhet homogjene dhe pikërisht aty është ai momenti kur lind një ide. Personalisht mua më pëlqen të kem një temë dhe filloj të kërkoj, të përshtat dhe të zhvilloj elementet e tjera përreth asaj teme!

Fotografi nga arkivi personal i Eno Peçit. Foto: Eno Peçi
Fotografi nga arkivi personal i Eno Peçit. Foto: Eno Peçi

Portalb.mk: Baleti shpesh perceptohet si elitist apo hermetik. Si mund të bëhet më përfshirës dhe i afërt për publikun e gjerë, sidomos për brezat e rinj në Ballkan?

Eno Peçi: Baleti/kërcimi është edhe shumë i lidhur me realitetin. Kërcimi bashkëkohor, ka një dimension shumë të gjerë të mënyrës se të shprehurit dhe prek shumë tema aktuale që ne përjetojmë në jetën tonë, tema sociale, tema politike, eksperienca të ndryshme si negative por edhe pozitive, pra secili mund të gjejë veten e tij diku.

Portalb.mk: Cilat janë ndryshimet më thelbësore që keni vërejtur midis mënyrës se si trajtohet baleti në vende si Austria, krahasuar me Shqipërinë apo rajonin? A është mungesa e edukimit apo mungesa e politikave kulturore faktori kryesor?

Eno Peçi: Një vend si Austria që ka vite që mban vendin e parë për cilësinë e jetesës është shumë e vështirë ta krahasosh me një vend të vogël si Shqipëria që me dekada ka vuajtur si komb. Por edhe në shqiptarët kemi avantazhet tona. Dhe kemi disa vite që po shkojmë në rrugën e duhur dhe po marrim dinjitetin që na takon. Gjithsesi institucionet shtetërore kulturore siç është teatri etj, duhet të jenë nën kujdesin dhe mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. Aktivitetet kulturore nëpërmjet çdo lloj forme arti ndikojnë pozitivisht në edukimin kulturor në jetën tonë sociale.

Portalb.mk: Në cilat projekte keni arritur ta përfshini identitetin shqiptar përtej folklorizmit, si pjesë e një narrative moderne artistike? Si reagon publiku ndërkombëtar ndaj kësaj përpjekjeje?

Eno Peçi: Një krijim e kam realizuar në Zvicër në Origen Festival. Pjesa quhet “Exil”. Përmbajtja e pjesës kanë qenë trazirat e viteve 97-98- të. Nuk ka qenë pjesë autobiografike, por jam bazuar ngjarjeve që shumë prej nesh i ka përjetuar. Në ditën e premierës, mbasi mbaroi pjesa, në fund ndihej një qetësi shumë e pazakontë. Mendova direkt që pjesa nuk u prit mirë, por më vonë mora vesh që disa nga ata kishin filluar të qanin dhe disa e kishin të vështirë të duartrokisnin, sepse ishin prekur shumë emocionalisht. Në momentin kur dritat në skenë u hapën dhe balerinët dolën të bënin përshëndetjet, i gjithë publiku u çua në këmbë dhe filluan ti duartrokisnin artistët.

Ndërsa një pjesë tjetër është baleti “Muzg”. E krijuar për Teatrin e Operës dhe Baletit të Tiranës. Dhe në 21 korrik të vitit 2025, një version më të adaptuar e kam prezantuar në festivalin “Prizrenfest”, në Prizren. Përmbajtja e Muzgut, është se cili është fati i udhëtimit tonë në jetë. A e humbasim identitetin tonë nëse përvojat tona zbehen në muzgun e jetës. Po sikur të mos lejojmë që emocionet të depërtojnë brenda vetes sonë, a do të ketë më shumë kujtime. Nëse nuk ka kujtesë, atëherë nuk ka as vetvete! A jemi skllevër të muzgut apo jemi vetë muzgu?

Portalb.mk: A ka vend koreografi moderne për përmbajtje politike, sociale apo tematika që shkojnë përtej estetikës klasike? A është ky një qëllim edhe në punën tuaj personale?

Eno Peçi: Sigurisht që ka. Siç e përmenda edhe më sipër, arti ka një dimension shumë të gjerë dhe pa kufi, dhe ka qëllimin të prek tema të ndryshme, si politika, jeta sociale etj. Mua personalisht nuk me pëlqen të përzihem me politikën, sepse nuk me ka interesuar kurrë. Jeta është shumë e shkurtër për t’u marrë me politikë, kurse bota e artit e zgjatë atë përjetësisht.

Portalb.mk: Kur e dini që një koreografi funksionon? A është momenti kur lëvizja “flet vetë” apo është gjithmonë e lidhur me reagimin e publikut dhe trupës që e interpreton?

Eno Peçi: Lëvizjet janë elementi i fundit që i përshtaten një teme. Lëvizjet janë thjeshtë lëvizje teknike. Lëvizjet kanë nevojë për jetë, ndjenja, emocione. Ndryshe nuk bëjnë sens. Një krijim i ri edhe në ditën e premierës nuk është gati në atë nivel që duhet të jetë, dhe pikërisht në ditën e premierës fillon procesi i zhvillimit artistik kur pjesa merr formën e duhur dhe sa më shumë performohet në skenë aq më shumë detaje për tu shprehur gjejnë artistët në skenë dhe pjesa gjithnjë e sa herë luhet merr një formë ndryshe artistikisht dhe aq më interesante bëhet për publikun edhe në qoftë se kanë parë disa herë..

Portalb.mk: Si ndikon presioni i perfeksionit fizik dhe teknik në krijimtarinë artistike të një balerini apo koreografi?

Eno Peçi: Është rutina jonë e përditshme. Një edukim që fillon që në fëmijëri. Është më se normale që trupi lodhet dhe teknika nuk është përditë e përkryer. Por disiplina dhe motivimi i një balerini janë dy gjëra të domosdoshme që janë komplet të kundërta por që lidhen shumë mirë me njëra tjetrën. Është më se e qartë që motivimin nuk mund ta kesh çdo ditë njësoj, aty pastaj të ndihmon disiplina. Dhe në momentin që disiplinën e ke gjithmonë konsekuent kur motivohesh aty pastaj ndodh magjia sepse koordinohet teknika dhe ana artistike, që janë ndjenjat, emocionet..

Fotografi nga arkivi personal i Eno Peçit. Foto: Eno Peçi
Fotografi nga arkivi personal i Eno Peçit. Foto: Eno Peçi

Portalb.mk: Cili është roli që duhet të ketë një artist në një shoqëri të trazuar, të angazhohet, të sfidojë, apo të ofrojë arratisje? Dhe si e gjen vetën baleti brenda kësaj dileme?

Eno Peçi: Të angazhohet për ëndrrat e veta, të sfidojë të pamundurën dhe të ofrojë mundësi. Baleti në rastin tim ka qenë çelësi në çdo drejtim të jetës time, si profesionale por edhe personale.

Portalb.mk: Çfarë mendon se i mungon artit shqiptar për të nxjerrë më shumë emra në skenat botërore si ju?

Eno Peçi: Përkrahje, mundësi artistike, mirënjohje dhe punë.

Portalb.mk: Çfarë jeni duke punuar për momentin, cilat janë planet e juaja?

Eno Peçi: Për momentin jam me pushime dhe në shtator filloj sezonin tim të 26-të si solist me Teatrin e Operës dhe Baletit në Vjenë. Dhe si koreograf, krijime dhe projekte të reja për sezonin 2025-2026.

Portalb.mk: Cili do të ishte mesazhi i juaj deri te lexuesit tanë?

Eno Peçi: Jeto, Dashuro dhe Qesh. “Live, Love, Laugh”.