Ëndrra dhe mesazhi i trishtë

Kur kënga “Insieme” [Së bashku] e Toto Cutugno-s fitoi në Eurovision 1990, në Europë kishin filluar ndryshimet e mëdha. Ishte rrëzuar Muri i Berlinit dhe kishte filluar shpërbërja e perandorisë komuniste. Kënga e përcillte mesazhin se Europa e bashkuar “nuk ishte vetëm ëndërr”; se ishte koha për një qëllim të përbashkët me “të largëtit dhe të ndryshmit”, që do të jetonin bashkërisht në botën “pa kufij”, “me dashuri pa kufij”, “nën të njëjtin flamur”, “nën të njëjtin qiell”; se do të ndjeheshin më të fortë, më të lirë dhe do të ndanin “të njëjtat ideale”.

Derisa kënga dëgjohej kudo dhe flitej për Europën e bashkuar, në hapësirat e ish-Jugosllavisë çdo çast pritej të shpërthenin luftërat etnike. Ato filluan nga viti 1991, fillimisht lufta disaditore në Slloveni, pastaj në Kroaci e Bosnjë dhe pas disa vitesh edhe në Kosovë. Realizimi i ëndrrës së Cutugno-s, në këtë pjesë të Europës, u la në pritje për një kohë tjetër.

Disa dhjetëvjeçarë pas suksesit të kësaj kënge, ku thuhet se “Europa nuk është larg”, Toto Cutugno nuk është fizikisht në mesin e të gjallëve. Ka kombe që ende ëndërrojnë të jenë pjesë e BE-së dhe presin “një dorë për t’i ngritur”. Një luftë tjetër ndodh në Europë. Ajo në Ukrainë.

Situata e sotme është ndryshe nga ëndrra e Cutugno-s. Asaj i shkon kënga “Situata nuk është dhe aq e mirë” e Adriano Celentano-s, që e përcjell mesazhin se njerëzimi është i rrezikuar.

Giusseppe Videtti, duke e komentuar këtë këngë, tha se bota përjeton çaste indiferentizmi për fajin e qeverive, por edhe të mediumeve që shpërndajnë lajme të rrejshme.

“Situata politike s’është aspak e mirë / Situata ekonomike s’është aspak e mirë / Situata e lavamanit tim po ashtu s’është e mirë / Situata e dashurisë sime s’është e mirë”.

Situata e dashurisë s’mund të jetë e mirë kur s’ka stabilitet politik dhe ekonomik. Pa mirëqenie rëndohet gjendja e familjeve. Në kohë krize lindin grindje dhe konflikte në shoqëri, kurse popullistët fillojnë ta valëvitin flamurin e shpëtimit.

“Situata ndërkombëtare s’është e mirë … / por fatkeqësia më e madhe janë arkitektët”.

Arkitektë s’janë vetëm ata që bëjnë plane urbanistike, duke i shkatërruar hapësirat e gjelbëruara, por edhe ata që ndikojnë në fatet e kombeve, pra arkitektët e politikës…

Artistët vazhdojnë të ëndërrojnë një botë në paqe. “Te ëndrra është liria”, tha Oscar Wilde. Ëndërrimtarët shpesh nuk e përjetojnë realizimin e ëndrrës. Politikanët shpesh i shkatërrojnë ëndrrat e tyre. Pastaj artistët sërish këndojnë për pasojat që lindin shkaku i marrëzive të politikanëve…

Këngëtarët tanë nuk merren me situatën e vështirë familjare, politike, ekonomike, ndërkombëtare. Ata i kënaqin të lumturit që s’kanë kërkesa të veçanta estetike. Spektaklet sjellin fitime dhe i largojnë njerëzit nga realiteti i zymtë. Por elefanti brenda dhomës s’mund të fshihet…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.