Mbi 10.000 vende për studentë të vitit të parë në UKM, regjistrimet janë të hapura sot dhe nesër

Sot dhe nesër (30 dhe 31 gusht) janë datat zyrtare për regjistrimin e studentëve në vitin e parë të 23 fakulteteve të universitetit më të madh në vend “Shën Kirili dhe Metodi” (UKM). Deri më tani, studentët e ardhshëm të vitit të parë mundnin të aplikojnë në mënyrë elektronike përmes sistemit të Shërbimeve Studentore, transmeton Portalb.mk.

Sipas konkursit të shpallur nga UKM, këtë vit akademik janë 10.473 vende të lira. Nga këto, gati gjysma – 5,076 janë planifikuar për studentë të rregullt të financuar nga buxheti i shtetit, 4,439 për studentë me kohë të plotë me bashkëfinancim, 960 vende janë për studentë me korrespondencë dhe mund të regjistrohen studentë të huaj për të cilët është përcaktuar ose numër ose përqindje e numrit të përgjithshëm të studentëve të regjistruar në një program të caktuar studimi.

Ranglista preliminare për studentët e pranuar duhet të publikohet më 4 shtator, ndërsa në fakultetet për të cilat ka provime pranuese ato do të mbahen më 1 shtator, ndërsa rezultatet paraprake priten më 6 shtator. Ranglista përfundimtare, megjithatë, do të shpallet më 11 shtator.

Më pas do të ketë afat të dytë regjistrimi, i cili do të jetë më 18 dhe 19 shtator dhe do të ketë një të tretë më 28 shtator.

Viti i ri akademik do të nisë në tetor.

Ndryshe, nga mbi 10.000 vende të planifikuara për studentë në vitin e parë, më së shumti, pra mbi një mijë janë për programet e studimit të: Fakultetit Juridik 1.055 vende, Fakultetit të Shkencave të Informacionit dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FShIIK) – 1,150 vende dhe Fakulteti matematiko-natyror ( FMN) – 1,050.

Në Fakultetin Filozofik janë planifikuar 915 vende për studentët e vitit të parë, në Fakultetin Filologjik – 775, në Fakultetin e Mjekësisë – 760, në Fakultetin Ekonomik – 700, në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike – 600, në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Teknologjisë së Informacionit (FIET) – 570, etj.