Ende asgjë nga premtimi elektoral i Merkos për ndërtimin e kanalizimit në Zagraçan të Strugës

Ndërtimi dhe zgjerimi i rrugëve të fshatit dhe ndërtim i rrjetit të kanalizimit ende janë zotime para-zgjedhore për elektoratin e fshatit Zagraçan në Strugë. Nga Komuna e Strugës nuk u përgjigjen në kërkesën tonë për informacion se deri ku është zhvillimi i punëve për realizimin e premtimeve në fjalë të bëra në programin zgjedhor “Agjenda e Blertë” nga kryetari Ramis Merko. Nga ana tjetër, banorët shprehen se që nga fillimi i mandatit të ri të Merkos, në fshatin e tyre nuk është bërë asgjë, shkruan Portalb.mk.

Kreu aktual i Komunës së Strugës, Ramis Merko, mes shumë premtimesh në programin zgjedhor “Agjenda e Blertë” (2021-2025), për elektoratin e fshatit Zagraçan premtoi: Ndërtimin dhe zgjerimin e rrugëve të fshatit dhe ndërtimin e rrjetit të kanalizimit. Premtimet e dokumentuara në kategorinë investime nëpër fshatra nuk kanë asnjë detaj specifik të llojit: sa buxhet është paraparë për realizimin e projekteve në fjalë, si do të sigurohet buxheti, kur do të fillojnë dhe kur do të finalizohen punimet.

Premtime parazgjedhore /Screenshot nga Agjenda e Blertë 2021-2025
Zagraçan -Premtime parazgjedhore /Screenshot nga Agjenda e Blertë 2021-2025

Për ta informuar opinionin publik se çfarë ka bërë pushteti lokal në realizimin e zotimeve të bëra për elektoratin e fshatit Zagraçan, redaksia jonë u drejtua me disa pyetje deri tek autoritetet e Komunës së Strugës. Kërkesa jonë për informacion u konfirmua nga zyra e PR-it të këtij institucioni nga ku na thanë se përgjigje do kemi nga sektori përkatës, megjithatë edhe pas disa javësh në adresën tonë nuk arriti asnjë përgjigje nga Komuna e Strugës.

Nga ana tjetër, banorët ankohen se në fshatin e tyre nuk është bërë asnjë ndryshim që nga përfundimi i zgjedhjeve lokale në vitin 2021. Banorët thonë se para zgjedhjeve autoritetet u aktivizuan gjoja se po punojnë diçka megjithatë pas përfundimit të fushatës elektorale përfundoi dhe dëshira për punë. Portalb.mk pa nga afër gjendjen në fshatin Zagraçan, kalimtarët e rastit u shprehen të revoltuar sidomos për problemin me ujërat e zeza.

Është alarmante situata me ujërat e zeza. Fshati nuk ka kanalizim, si pasojë ujërat e zeza derdhen nëpër kanale ose vija siç ju themi ne. Pjesa e poshtme e fshatit që ndryshe quhet “dukqisht” është në gjendje edhe më të mjerueshme, ajo pjesë e fshatit nuk ka derdhje kështu që me gjasë mbetjet depozitohen poshtë në tokë”, deklaroi në banor i Zagraçanit.

“Para zgjedhjeve pati do lëvizje, u asfaltuan do pjesë por pas përfundimit të zgjedhjeve nuk është bërë absolutisht asgjë as në infrastrukturën rrugore e as me ndërtimin e kanalizimit. Fshati ka nevojë urgjente për zgjidhjen e dredhjes së ujërave të zeza. Ka raste kur ndodh që të derdhen nëpër rrugë, sa për aromën e keqe më mirë të mos flas”, tha një tjetër banor.

“Deri tani këtu nuk kemi parë të realizohet ndonjë nga premtimet e dhëna… Presim dhe shpresojmë se i vjen radha dhe fshatit tonë të bëhet diçka“, u shpreh një i moshuar.

 

Kanal ku kalojnë ujerat e zeza në fshatin Zagraçan, fotografuar me 15.07.2023 nga Shefkije A. /Portalb.mk
Kanal ku kalojnë ujerat e zeza në fshatin Zagraçan, fotografuar me 15.07.2023 nga Shefkije A. /Portalb.mk

 

Edhe pse në propozim-programin për ndërtim, rehabilitim, mirëmbajtje dhe mbrojtje të rrugëve lokale në Komunën e Strugës për vitin 2023, fshati Zagraçan figuron në listën e bashkësive lokale ku është paraparë ndërhyrje, si në vitin 2022 edhe në atë 2023, banorët thonë se në fshat nuk ka pasur ndonjë zhvillim pune në infrastrukturën rrugore këto dy vite.

Duke u bazuar në situatën aktuale në terren dhe informacionet që siguruam për premtimet në fshatin Zagraçan, përfshirë këtu: Ndërtimi i rrjetit të kanalizimit dhe ndërtimi e zgjerimi i rrugëve dytësore, Portalb.mk konkludon se deri më tani nuk ka asnjë aktivitet për përmbushjen e premtimit.

 

BURIMET:

Programi zgjedhor Agjenda e Blertë faqe 62, verifikuar më 20.07.2023.