EMV: LSDM dhe BDI na mbushën me personel partiak, realizuan 699 punësime në prag të zgjedhjeve
EMV akuzon koalicionin LSDM-BDI për punësime të paligjshme dhe partiake, që sipas saj e kanë përkeqësuar gjendjen në kompani. Vetëm më 31 dhjetor 2023, sipas tyre, në prag të zgjedhjeve, u realizuan 699 punësime të tilla, shumë prej të cilëve as nuk u paraqitën në punë. Udhëheqësia e re, shton se që nga gushti 2024, ka nisur procesin e pastrimit dhe profesionalizimit të stafit përmes punësimeve të përkohshme dhe sistematizimeve të reja. Ata shtojnë se synojnë të rivendosë funksionimin ligjor, transparencën dhe efikasitetin në kompani. EMV u bën thirrje partive të mos e keqpërdorin politikisht institucionin, transmeton Portalb.mk.
“Udhëheqësia aktuale e SHA EMV, e emëruar në fund të gushtit të vitit të kaluar, menjëherë pas emërimit hasi sfida serioze në kompani. Përveç situatës katastrofike financiare dhe tekniko-teknologjike në kapacitetet e prodhimit të energjisë elektrike, një nga problemet më të mëdha ishte përballja me qindra persona të papërshtatshëm të punësuar përmes konkurseve të paligjshme.
Vetëm përmes konkursit të fundit, në prag të zgjedhjeve të fundit parlamentare më 31 dhjetor 2023, u realizuan saktësisht 699 punësime. Bëhet fjalë për personel partiak dhe të papërshtatshëm, shumica e të cilëve, deri në gusht të vitit të kaluar, pra para ardhjes së ekipit të ri drejtues – as nuk u paraqitën në vendet e tyre të punës, megjithëse merrnin rregullisht pagë dhe u paguheshin kontributet. Këto punësime u realizuan përmes abuzimit të rëndë të sistematizimeve në të gjitha degët e SHA EMV, gjë që tregon një mosrespektim sistematik të procedurave dhe abuzim të mundshëm të pozicionit zyrtar në periudhën e mëparshme”, thonë nga EMV.
Nga EMV shtojnë se për të siguruar zbatimin në kohë dhe të duhur të proceseve të punës, SHA EMV duhet të plotësojë disa nga pozicionet e lira përmes punësimit të përkohshëm të personelit profesional. Paralelisht me këtë, janë duke u zhvilluar procedurat për harmonizimin dhe miratimin e sistematizimeve të reja, me qëllim optimizimin e plotë të burimeve njerëzore.
Kjo përfshin një shqyrtim të vendeve ekzistuese të punës, përcaktimin e nevojave reale të kompanisë dhe vendosjen e procedurave transparente dhe ligjore të punësimit. Deri në momentin e miratimit të sistematizimeve të reja në të gjitha njësitë afariste të Kompanisë – çdo punësim i përkohshëm do të kryhet ekskluzivisht në përputhje me rregulloret pozitive ligjore. Pritet që këto masa të kontribuojnë në stabilizimin e kompanisë, përmirësimin e efikasitetit të saj dhe krijimin e një atmosfere të shëndetshme pune, të lirë nga ndikimet politike dhe punësimet e papërshtatshme. U bëjmë thirrje partive politike të mos e keqpërdorin SHA EMV për të mbledhur pikë politike ditore, veçanërisht pasi ishte koalicioni i LSDM-së dhe BDI-së që krijoi qindra punësime partiake dhe joprofesionale, punësimi i të cilëve kontribuoi në përkeqësimin e situatës në Kompani”, thonë nga EMV.