Mickoski: Mihaillova është dërguar ilegalisht në Bullgari, herët a vonë ajo dhe babai i saj do të japin llogari
Edhe Iva Mihaillova, e cila duhet ta dëshmojë pafajësinë e saj, edhe babai i saj, i cili duhet të përgjigjet para autoriteteve maqedonase, herët a vonë do të japin llogari. Këtë e deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski, i cili, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën e sotme për shtyp, për herë të parë u prononcua për rastin e arratisjes së Mihaillovës. Mickoski përsëriti disa herë se si Iva, ashtu edhe babai i saj, herët a vonë do të përgjigjen para drejtësisë, transmeton Portalb.mk.
“Më vjen keq nëse dikush mendon se në këtë mënyrë ka siguruar një lloj mbrojtjeje, duke u përpjekur t’i dëmtojë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mes dy shteteve. Më vjen keq që udhëheqja politike në Bullgari po përpiqet në këtë mënyrë të tregojë muskujt politikë, pa e kuptuar dëmin që po i shkakton vetes në planin ndërkombëtar. Por ky është vendimi i tyre. Ata kanë zgjedhur një politikë të tillë”, deklaroi Mickoski duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Ai shprehu keqardhje që, në vend që ta dorëzojë babanë e Mihaillovës në Maqedoni për ta vuajtur dënimin për të cilin është dënuar me vendim të formës së prerë, Bullgaria po e shndërron atë në një yll të estradës. Ai tha se i vjen keq edhe për mënyrën se si e reja Iva po prezantohet në Bullgari, ndonëse pjesën më të madhe të jetës dhe të arsimimit e ka kaluar në Maqedoni.
Lidhur me largimin e saj në Bullgari, Mickoski i hodhi poshtë si të pavërteta pretendimet se ajo dhe avokati i saj e kanë kaluar kufirin përmes një pike të rregullt kufitare. Ai tha se Mihaillova është dërguar në Bullgari në mënyrë të paligjshme, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme po heton mënyrën e saktë se si ka ndodhur kjo.
Duke iu referuar akuzave të opozitës se pushteti ka marrë vesh me Bullgarinë për largimin e Iva Mihaillovës nga Maqedonia, kryeministri deklaroi:
“Fakti që opozita dhe udhëheqja e fqinjit tonë lindor kanë qëndrim të njëjtë flet shumë për atë se cila ka qenë dhe çfarë ka qenë synimi. Synimi nuk është as Iva dhe as ndonjë gjë tjetër. Synimi është krijimi i një teme politike për të cilën ata kanë supozuar se do të ndikojë në rejtingun e koalicionit qeverisës, përkatësisht të VMRO-DPMNE-së, dhe në këtë mënyrë t’i sigurojnë një përfitim të caktuar opozitës, e cila ka qëndrim fjalë për fjalë identik me udhëheqjen e Bullgarisë”.
Mickoski i hodhi poshtë pretendimet se arratisja e Ivës ishte marrë vesh me autoritetet në Sofje dhe u bëri thirrje që atë dhe babanë e saj t’i kthejnë në vend, në mënyrë që të përballen me drejtësinë.
“Nëse mendojnë se në këtë mënyrë mund të luajnë, gabohen. Por, ja, unë po e shikoj opinionin publik maqedonas në sy dhe ju them se herët a vonë të dy do të përballen me drejtësinë”, tha ai.
Ndryshe, babai i Iva Mihailovës, Simeon Mihailov, i cili gjithashtu ndodhet në Bullgari, është dënuar me vendim të formës së prerë me 12,5 vjet burg në rastin “Detonator” dhe duhet ta vuajë dënimin me burg në Maqedoni.