Elefanti në dhomë, struci me kokën në rërë dhe kontrata e re shoqërore

Treguesi më i mirë i gjendjes së drejtësisë në një shoqëri është qasja ndaj asaj që amerikanët e quajnë “elefanti në dhomë”. Elefanti në dhomë është fakti notor që të gjithë e dinë por askush nuk flet hapur për të, është zakonisht një problem i pazgjidhur që të gjithë e injorojnë dhe nuk duan t’i afrohen e as ta trajtojnë. Nëse problemi notor është elefanti në mes të dhomës, atëherë qasja e të tjerëve që e injorojnë këtë problem është e ngjashme me veprimin e strucit kur e vendos kokën në rërë dhe pretendon se realiteti rreth tij nuk ekziston. Pra kur ka një elefant në dhomë, zakonisht rreth tij ka edhe shumë strucër me kokën në rërë.

Lista e zezë e SHBA e cila po pasurohet me emra të rinj dhe për të cilën Departamenti i Shtetit thotë që do të zgjerohet edhe më tej, gjithmonë me qëllim që t’i ndihmojë shtetit tonë ta luftojë korrupsionin është shembull tipik i situatës me elefantin dhe strucin. Elefanti në dhomën e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut është i dukshëm për Departamentin e Shtetit që funksionon me mijëra kilometra larg që këtu, por ja që ka mbetur për gjatë kohë i padukshëm për institucionet tona të drejtësisë që gjatë gjithë kësaj periudhe kohore kanë vepruar si struci me kokën në rërë. Ajo listë e zezë është treguesi më i mirë i gjendjes së drejtësisë në vendin tonë. Kur dikush nga një kontinent tjetër duhet t’ua bëjë të ditur se keni elefant në mes të dhomës, atëherë e kuptoni se Justicia në shtetin ku jetoni ka mbetur shumë gjatë me sy të mbyllur, e ka humbur kantarin dhe është shndëruar në struc me kokën në rërë.

Në listën e zezë të SHBA përveç Merkos që u shtua tani, qëndrojnë qe sa vite edhe emrat e personave më të fuqishëm gjatë kohës kur Maqedonia e Veriut funksiononte si shtet i robëruar, Gruevski dhe Mijallkov. Edhe ata vazhdojnë të jenë elefantët në dhomën tonë të drejtësisë. I pari u arratis në mënyrë spektakolare nga shteti pasi që u dënua me burg, dhe për këtë skandal sot e kësaj dite askush nuk barti përgjegjësi. Ai vazhdon të jetë politikani me rejtingun më të lartë në shtet. I dyti vazhdon të paraqitet në seanca gjyqësore në veprat penale të cilat dita ditës i parakshruhen, ndërsa dënimin e “vuan” në insitucion të hapur dhe nën kushte veçanërisht të privilegjuara. Dhe ne vazhdojmë të flasim për luftë kundër korrupsionit dhe për dënime efektive për ata që kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare dhe në këtë mënyrë kanë krijuar pasuri maramendase që tani sipas të gjtha gjasave e shfrytëzojnë për ta blerë lirinë e tyre deri sa të tjerë si ata vuajnë dënime të vërteta me burg.

Ashtu siç do të zgjerohet lista e zezë e SHBAve me elefantë të tjerë në dhomën tonë të drejtësisë, situata në dhomën tonë të madhe që e quajmë shtet do të bëhet gjithnjë e më e padurueshme. Në atë kallaballëk elefantësh askush nuk ka dëshirë të jetojë, prandaj ata që kanë ideale tjera për jetën, e që nuk mund të gjallërojnë si strucër me kokën në rërë, do të shndërohen në zogj shtegtarë dhe do të shtegtojnë në vise tjera, ku drejtësia funksionon.

Para se të gjithë zogjtë të shtegtojnë, është mirë të mendojmë për një kontratë të re shoqërore, sepse kjo që e kemi është e qartë që nuk funksionon. Në këtë kontratë të re shoqërore duhet sinqerisht të merremi vesh t’i respektojmë disa rregulla, nga të cilat më e rëndësishmja duhet të jetë qasja direkte dhe veprimi sipas ligjit kur bëhet fjalë për elefantët në dhomë. Duhet një herë e mirë të merremi vesh pë ti zbatuar disa rregulla fundamentale në shoqëri. Duhet të dakordohemi se ata që duhet të shkojnë në burg nuk do t’i lëmë të arratisen por do ti dënojmë me gjithë mend. Duhet të merremi vesh se ata që duhet të përballen me përgjegjësi penale nuk do ti vottojmë rishtazi në çdo cikël zgjedhor dhe nuk do ti zgjedhim e rizgjedhim të na udhëheqin. Sepse nëse nuk i respektojmë rregullat që i vendosim vet, atëherë nuk kemi rregulla fare dhe jetojmë në anarki. E anarkia nuk jep asnjë lloj sigurie për qytetarët sepse rregullat nuk vlejnë njësoj për të gjithë, dhe rrjedhimisht vendi nuk mund të përparojë. Pra një kontratë e re shoqërore, në bazën e së cilës do të jetë sundimi i vëretëtë i së drejtës, në praktikë dhe jo vetëm në letër, është çështje ekzistenciale për të gjithë ne, sepse në të kundërt përballemi me një kataklizmë të vërtetë nga e cila askush nuk do të shpëtojë dot.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.