Gruaja u godit nga një veturë në Shkup, policia kapi shoferin që u arratis

Një grua është në gjendje kritike për jetën, pasi është lënduar rëndë në një aksident trafiku që ka ndodhur dje në rrugën “Franklin Ruzvelt” në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Atë e ka goditur një veturë BMW e drejtuar nga 34-vjeçari A.S. nga fshati Marinë, komuna e Ilindenit. Ndonëse sot në mëngjes disa media kanë raportuar se automjeti nuk ka targa, në njoftimin e fundit të MPB-së shkruhet se vetura ka qenë me targa të Shkupit.

Drejtuesi i makinës është larguar nga vendi i aksidentit, por më pas policia e ka gjetur dhe e ka arrestuar.

Pas aksidentit, 51-vjeçarja është dërguar në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “Shën Naumi i Ohrit”, ku i janë konstatuar lëndime të rënda trupore.