Ekstradimi i Nikolla Gruevskit, Ministria e Drejtësisë: Procedurat zhvillohen sipas ligjit dhe pa ndikim politik

Ministria e Drejtësisë në Maqedonia e Veriut ka njoftuar se po vepron në përputhje të plotë me ligjet vendore dhe marrëveshjet ndërkombëtare në lidhje me rastin e Nikolla Gruevski, për të cilin tashmë është përmbyllur mbledhja e dokumentacionit për ekstradim. Ministria thekson se është duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për përpunimin e duhur të rastit brenda kornizës ligjore. Nga ky institucion bëhet e ditur se mbledhja e informacionit nga gjykatat kompetente ka për qëllim sigurimin e një baze të plotë dhe të saktë ligjore për veprimet e ardhshme, transmeton Portalb.mk.

Po ashtu, theksohet se të gjitha procedurat zhvillohen përmes një procesi institucional dhe në bashkëpunim me autoritetet kompetente të Hungaria, ku ndodhet aktualisht ish-kryeministri Gruevski. Nga Ministria shtojnë se procesi zhvillohet pa ndikim nga deklarata apo kualifikime politike.

“Ministria e Drejtësisë vepron ekskluzivisht në përputhje me ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Lidhur me rastin e NikoLla Gruevskit, po ndërmerren të gjitha hapat e nevojshëm për të plotësuar dokumentacionin dhe përpunimin e tij të duhur brenda kornizës së procedurës ligjore. Mbledhja e informacionit nga gjykatat kompetente synon të ofrojë bazë ligjore të plotë dhe të saktë për veprime të mëtejshme. Ministria nuk ka autoritetin për të shqyrtuar vendimet përfundimtare të gjykatës, por është e detyruar të veprojë mbi to. Në të njëjtën kohë, theksojmë se të gjitha procedurat zhvillohen përmes një procesi institucional dhe në bashkëpunim me autoritetet kompetente të Hungarisë, pa ndikimin e deklaratave ose kualifikimeve politike”, thonë nga Ministria.

Ministri i Drejtësisë Igor Filkov konfirmoi disa ditë më parë se po pritet formimi i qeverisë së re në Hungari, vendi ku Gruevski iku, në mënyrë që institucionet atje të njoftohen se Maqedonia është e interesuar për kthimin e Gruevskit në vend.

Qeveria në Hungari duhet të formohet më 9 maj, Ditën e Evropës.

Ky veprim vjen pasi kreu i partisë hungareze Tisza, Peter Magyar, i cili fitoi me shumicë dërrmuese zgjedhjet e së dielës, njoftoi ekstradimin e ish-kryeministrit maqedonas.

Nikolla Gruevski është në arrati që nga viti 2018, kur u dënua me dy vjet burg pas një aktgjykimi të formës së prerë në rastin “Tanku”. Gruevskit iu dha azil në Hungari bazuar në pretendimet se ishte i persekutuar politikisht nga kryeministri i atëhershëm, Zoran Zaev. Në Hungari ai arriti në mënyrë të dyshimtë, duke kaluar nëpër tre vende të Ballkanit me makina me targa hungareze, përpara se të fluturonte për në Budapest nga aeroporti i Beogradit me një aeroplan qeveritar. Në vitin 2019 gjykata në Hungari zyrtarisht e hodhi poshtë kërkesën për ekstradim nga autoritetet e Maqedonisë. Pasuan edhe kërkesa të tjera, por Budapesti zyrtar i hodhi poshtë të gjitha përpjekjet e autoriteteve maqedonase për ta kthyer të arratisurin në atdheun e tij.