Peter Magyar njoftoi ekstradimin e Nikolla Gruevskit: Ai është një kriminel i kërkuar, nuk do të jemi një deponi për kriminelët ndërkombëtarë
Kryeministri i ri hungarez Peter Magyar njoftoi deportimin e azilkërkuesit dhe ish-kryeministrit të Maqedonisë dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, raporton IRL, përcjell Portalb.mk.
Në konferencën për shtyp gati tre-orëshe që u mbajt këtë pasdite në Budapest, Magyar foli edhe për Serbinë dhe Aleksandar Vuçiqin, Ukrainën, Poloninë, Rumaninë, Rusinë dhe Bashkimin Evropian. Pyetja drejtuar Magyarit i referohej vetëm dy ish-ministrave polakë të kërkuar për korrupsion nga qeveria e re polake e udhëhequr nga Donald Tusk, të cilët u arratisën dhe morën azil në një mënyrë të ngjashme si ish-kryeministri i Maqedonisë. Magyar, pa u pyetur, foli edhe për Nikolla Gruevskin.
“Sa i përket zyrtarëve polakë të kërkuar që u është dhënë azil në Hungari Magyar tha: “Ata nuk do të qëndrojnë këtu për shumë kohë. Të mos blejnë mobilje nga IKEA në Hungari.”
“Hungaria nuk do të bëhet deponi për kriminelët e kërkuar ndërkombëtarisht. Kjo nuk vlen vetëm për ata, por edhe për Nikolla Gruevskin. Në fund të fundit, ai është ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe një kriminel i kërkuar.”
Nikolla Gruevski është në arrati që nga viti 2018, kur u dënua me dy vjet burg pas një aktgjykimi të formës së prerë në rastin “Tanku”. Gruevskit iu dha azil në Hungari bazuar në pretendimet se ishte i persekutuar politikisht nga kryeministri i atëhershëm, Zoran Zaev. Në Hungari ai arriti në mënyrë të dyshimtë, duke kaluar nëpër tre vende të Ballkanit me makina me targa hungareze, përpara se të fluturonte për në Budapest nga aeroporti i Beogradit me një aeroplan qeveritar. Në vitin 2019 gjykata në Hungari zyrtarisht e hodhi poshtë kërkesën për ekstradim nga autoritetet e Maqedonisë. Pasuan edhe kërkesa të tjera, por Budapesti zyrtar i hodhi poshtë të gjitha përpjekjet e autoriteteve maqedonase për ta kthyer të arratisurin në atdheun e tij.