Mickoski: Pres që Magyar të udhëheqë politika pro-evropiane, ekstradimi i Gruevskit është kërkuar që në vitin 2018

Kryeministri Hristijan Mickoski komentoi sot fitoren e Petar Magyar në Hungari dhe foli për ekstradimin e mundshëm të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili ndodhet në Hungari, ndërsa Magyar njoftoi se do ta ekstradojë atë, transmeton Portalb.mk.

“Para së gjithash, dua të përgëzoj Petar Magyar. Ne patëm bashkëpunim të ngushtë me Orbanin, por qytetarët qartë i dhanë mbështetjen e tyre Magyarit. Pres që ai të udhëheqë politika pro-evropiane, politika pro-integrimit dhe pres mbështetje për anëtarësimin në BE të rajonit, përfshirë Maqedoninë. Sa i përket politikave specifike që lidhen me ish-kryeministrin Gruevski, ato janë vendim i qeverisë hungareze. Për aq sa di unë, ekstradimi u kërkua në vitin 2018 dhe u refuzua në vitin 2019, ndërsa komente shtesë duhet të kërkohen nga Ministria e Drejtësisë. Unë nuk jam ministër i Drejtësisë, unë jam kryeministër”, tha Mickoski.

Mickoski tha se nëse ish-kryeministri Nikolla Gruevski shfaqet në Maqedoni, ai do të përfundojë në burg për të vuajtur dënimin e tij, duke pasur parasysh se ka një vendim përfundimtar kundër tij.

“Nuk kam pritje, por nëse Gruevski shfaqet në Maqedoni, ai ka një vendim të formës së prerë dhe agjencitë ligjzbatuese do ta sigurojnë atë dhe do ta dërgojnë për të vuajtur dënimin me burg në përputhje me vendimin. Kjo është qeveri për të cilën vlejnë të gjitha ligjet dhe duhet t’i respektojë ligjet dhe pastaj çdo person, si ai i përmenduri, mund të ushtrojë të drejtat e tij, të paraqesë ankesa, peticione e kështu me radhë. Sa i përket nëse ai do të paraqitet dhe kur do të paraqitet, nuk mund ta them këtë”, tha Mickoski.

Ministria e Drejtësisë e konfirmoi për Portalb.mk se sot më vonë gjatë ditës do të deklarohen për këtë çështje.

Kryeministri i ri hungarez Peter Magyar njoftoi deportimin e azilkërkuesit dhe ish-kryeministrit të Maqedonisë dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.

Në konferencën për shtyp gati tre-orëshe që u mbajt këtë pasdite në Budapest, Magyar foli edhe për Serbinë dhe Aleksandar Vuçiqin, Ukrainën, Poloninë, Rumaninë, Rusinë dhe Bashkimin Evropian. Pyetja drejtuar Magyarit i referohej vetëm dy ish-ministrave polakë të kërkuar për korrupsion nga qeveria e re polake e udhëhequr nga Donald Tusk, të cilët u arratisën dhe morën azil në një mënyrë të ngjashme si ish-kryeministri i Maqedonisë. Magyar, pa u pyetur, foli edhe për Nikolla Gruevskin.

“Sa i përket zyrtarëve polakë të kërkuar që u është dhënë azil në Hungari Magyar tha: “Ata nuk do të qëndrojnë këtu për shumë kohë. Të mos blejnë mobilje nga IKEA në Hungari.”

“Hungaria nuk do të bëhet deponi për kriminelët e kërkuar ndërkombëtarisht. Kjo nuk vlen vetëm për ata, por edhe për Nikolla Gruevskin. Në fund të fundit, ai është ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe një kriminel i kërkuar.”

Ndryshe, Gjykata Themelore Penale e Shkupit njoftoi sot se aktualisht, kundër Nikolla Gruevskit, janë aktive dy urdhër-arreste për ekzekutimin e sanksioneve, të cilat bazohen në vendime të njohura si: “Dhuna në Qendër”, për të cilin është ngritur çështje për ekzekutimin e dënimit me burg, në kohëzgjatje prej 1 viti e 6 muajsh, ekzekutimi i të cilit skadon më 10.09.2027; si dhe rasti i njohur si rasti i njohur si “Parcelat në Vdno”, për të cilin është ngritur çështje për ekzekutimin e dënimit me burg, me dënim me burg prej 9 vitesh, ekzekutimi i të cilit skadon më 14.02.2043.

“Duke qenë se për të njëjtin rast është shqiptuar edhe një gjobë, e cila nuk është arkëtuar, ajo është zëvendësuar me dënim me burg prej 180 ditësh, ekzekutimi i të cilit skadon më 14.02.2027”, thonë nga Gjykata.

Lidhur me rastin e njohur si “Tanku”, për të cilin është ngritur çështje për ekzekutimin e një dënimi me burg prej 2 vitesh,Gjykata informon se ekzekutimi i dënimit ka skaduar më 16.10.2024, për shkak të përmbushjes së afateve të përcaktuara nga Kodi Penal.

“Konkretisht, me këtë vendim Nikolla Gruevski shpallet fajtor për veprën penale të Marrjes së shpërblimit për ndikim të paligjshëm sipas nenit 359, paragrafi 2 i Kodit Penal dhe dënohet me një dënim me burg prej 2 vitesh, i cili vendim është i detyrueshëm juridikisht që nga data 4.10.2018. Afati absolut i vjetrimit për ekzekutimin e këtij vendimi, në përputhje me dispozitat e nenit 109 dhe nenit… 111 i Kodit Penal, ka ndodhur më 04.10.2024. Prandaj, gjykata sipas detyrës zyrtare ka nxjerrë vendim për vjetrim absolut të ekzekutimit të sanksionit. Për më tepër, ka raste aktive në të cilat i njëjti person gjykohet në mungesë, duke pasur parasysh se kjo nuk është në dispozicion të agjencive të zbatimit të ligjit, përkatësisht rastet e njohura në publik si “Titanik” dhe “Talir 2”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Nikolla Gruevski është në arrati që nga viti 2018, kur u dënua me dy vjet burg pas një aktgjykimi të formës së prerë në rastin “Tanku”. Gruevskit iu dha azil në Hungari bazuar në pretendimet se ishte i persekutuar politikisht nga kryeministri i atëhershëm, Zoran Zaev. Në Hungari ai arriti në mënyrë të dyshimtë, duke kaluar nëpër tre vende të Ballkanit me makina me targa hungareze, përpara se të fluturonte për në Budapest nga aeroporti i Beogradit me një aeroplan qeveritar. Në vitin 2019 gjykata në Hungari zyrtarisht e hodhi poshtë kërkesën për ekstradim nga autoritetet e Maqedonisë. Pasuan edhe kërkesa të tjera, por Budapesti zyrtar i hodhi poshtë të gjitha përpjekjet e autoriteteve maqedonase për ta kthyer të arratisurin në atdheun e tij.