Zjarr në një parcelë në Shuto Orizare të Shkupit, autoritetet thonë se është vënë nën kontroll

Një zjarr shpërtheu sot në një parcelë toke në rrugën “1675” numër 24 në komunën e Shuto Orizarës, njoftoi Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK), transmeton Portalb.mk.

Sipas raportit, të marrë nëpërmjet numrit 112, një makinë për bluarjen e hekurit është djegur.

Brigada e Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit ndërhyri në vendngjarje me dy automjete zjarrfikëse.

Sipas informacionit nga Qendra Rajonale për Menaxhimin e Krizave (QRM) Shkup, të marrë në orën 12:03 nga kryetari i komunës së Shuto Orizarës, zjarri është vënë nën kontroll dhe nuk ka rrezik që të përhapet.

Autoritetet theksojnë se rreziku shtesë është shmangur sepse parcela ku shpërtheu zjarri është e rrethuar me mure.

Qyteti i Shkupit informoi se është duke u ndërhyrë për shuarjen e zjarrit.

“Brigada e Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit menjëherë doli në terren me të gjitha automjetet, pajisjet dhe burimet njerëzore në dispozicion dhe po punon në mënyrë aktive për t’u përballur me zjarrin. Paralelisht, inspektorët e Qytetit të Shkupit janë gjithashtu në terren, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, si dhe Prokuroria Publike janë informuar për rastin. U bëjmë thirrje qytetarëve të jenë të qetë, vigjilentë dhe të respektojnë udhëzimet e shërbimeve kompetente. Situata po monitorohet me kujdes, dhe institucionet po veprojnë në mënyrë të koordinuar, me qëllim që zjarri të vihet nën kontroll, të mbrohen qytetarët dhe të përcaktohet përgjegjësia për situatën që është krijuar. Qyteti i Shkupit nuk do të lejojë që sjellja e papërgjegjshme dhe krijimi i deponive të paligjshme të rrezikojë shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin. Kushdo që rrezikon interesin publik duhet të mbahet përgjegjës!”, thonë nga Qyteti i Shkupit.