Ekspertët e mjedisit apelojnë për monitorimin më të mirë të ujrave

Sezoni turistik i këtij viti me më shumë se 7 milion turistë në 8 muaj, sipas ekspertëve të mjedisit dëshmon mbi rëndësinë e monitorimit dhe mirëmenaxhimit të burimeve ujore të vendit, për të patur një turizëm të qëndrueshëm, raporton VOA. Drejtori i Qendrës Burimore të Mjedisit në Shqipëri, REC-Albania, Mihallaq Qirjo, thotë se pjesa më e madhe e turistëve i drejtohen bregdetit, por edhe lumenjve dhe liqeneve, ku një pjesë e problematikave lidhen me mirëmenaxhimin e burimeve ujore, kryesisht mbetjeve dhe shkarkimeve në ujërat e ëmbla.

“Vendet përrreth na kanë kritikuar. Ne shikojmë, në zona të caktuara të bregdetit një shtesë të sasisë së plastikës që gjendet e hedhun nga ujërat dhe valët. Ky është një problem që duhet adresuar. Vjen nga keqmenaxhimi i mbetjeve në territor, ku bashkitë për të hequr qafe mbetjet e tyre i depozitojnë gjatë brigjeve të rrjedhave ujore”, thotë ai.

Mbeturinat urbane, por edhe ujërat e ndotura që derdhen në lumenjtë e vendit, përmes rrjedhës së tyre, shkarkohen në bregdet duke zgjeruar sipërfaqen e ndotjes. Thuajse çdo vit, përmbytjet në zonën e Nënshkodrës shkarkojnë në bregdetin e Velipojës sasi të mëdha mbeturinash urbane.

Gjithashtu, thotë drejtuesja e Qendrës së Informimit Mjedisor “Aarhus”, Aminda Mema ujërat e zeza të qytetit të Shkodrës, me rreth 150 mijë banorë, vazhdojnë të derdhen në lum.

“Ujërat e zeza të pa trajtuara, të hedhura në burimet ujore të Drinit dhe Bunës ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në ekosistemet ujore, peshqit, bimësinë, cilësinë e ujërave të këtyre dy lumenjve. Gjëja e parë që duhet bërë është instalimi i impiantit të trajtimit të ujërave të zeza dhe sigurimi i fondeve jo vetëm për instalimin, por edhe për mirëmbajtjen”, thotë ajo.

Prej më shumë se 25 vitesh, Bashkia e Shkodrës ka premtuar ndërtimin e impiantit për pastrimin e ujërave të zeza me mbështetjen e Bankës Gjermane për Zhvillim, KFW, premtim që u përsërit edhe këtë javë, gjatë një takimi me përfaqësues të kësaj banke.

Shqipëria ka një vijë bregdetare prej më shumë se 400 kilometrash dhe një numër lagunash, me vlera të rëndësishme për biodiversitetin natyror, por edhe për turizmin. Disa prej tyre vazhdojnë të rrezikohen nga fenomenet natyrore, por edhe ndërhyrjet njerëzore në mjedis, thotë zoti Mihallaq Qirjo.

“Pjesët e lagunave në Shqipëri siç është laguna e Knallës, Mergjanit, Kune-Vainit, janë zona që kanë zvogëluar komunikimin e tyre me detin për shkak të dinamikës që ka bregu i detit dhe sasisë së ulët të ujërave, të cilat po përballojnë një lloj stresi të shtuar nga eutrofizimi. Këto janë edhe zonat më të riskuara sepse janë zona që kanë vlera natyrore të shtuara, janë zona të mbrojtuara, por që janë edhe shumë atraktive për turistët”, thekson zoti Mihallaq Qirjo.

Ekspertët e mjedisit pohojnë se, nuk mund të ketë një turizëm të qëndrueshëm pa monitorimin e vazhdueshëm të ujërave, si në zonën bregdetare, ashtu edhe në brendësi të territorit, si dhe pa mirëmenaxhimin dhe mbrojtjen e tyre nga shkarkimet e ujërave të ndotura dhe mbeturinat urbane.