Protestë para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për rastin e Klinikës së Onkologjisë

Në organizim të platformës “Përgjegjësia”, është mbajtur sot një protestë para Qeverisë lidhur me rastin e Klinikës së Onkologjisë, raporton MIA. Darian Petrov, aktivist, aktor i teatrit, i cili është pjesë e organizatës, në prezantimin e tij tha se arsyeja e protestës është mosbesimi në sistemin e drejtësisë dhe institucionet.

“Meqenëse nuk i besojmë sistemit të drejtësisë, institucionet vendosën të veprojnë, ne formuam këtë platformë pa asnjë sfond politik, pa mbështetje financiare në kujtim të të dashurve tanë të humbur para kohe për të mbështetur të gjithë pacientët onkologjikë dhe familjet e tyre, por edhe për të gjithë qytetarët tjerë që po luftojnë me këtë sistem. Është mënyra jonë e kanalizimit të energjisë, sepse nëse lejojmë që trishtimi, zemërimi dhe frika të na pushtojnë, do të shkojmë lehtësisht në ekstremet e zhgënjimit personal, intolerancës, apatisë, por me vetëdije vendosim të qëndrojmë në anën e një lufte dinjitoze, zbulimin e së vërtetës dhe dhimbjen tonë personale ta shndërrojmë në ndihmë për ata që kanë më shumë nevojë”, tha Petrov.

Ai shtoi se pakënaqësia është e lartë, sidomos ndaj agjendave politike.

Iva Petrovska, një nga të pranishmit në protestë, ka dërguar mesazh se do të luftojnë për drejtësi dhe paqe.

Organizatori Petrov njoftoi se të hënën e ardhshme në orën 18 do të mbahet një protestë tjetër.

Kujtojmë se, më 1 shtator 2023, në bazë të urdhrit gjyqësor, sipas drejtimeve të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, pjesëtarë të MPB-së kanë kryer bastisje në Klinikën e Onkologjisë, si dhe në dy lokacione tjera në banesa private në Shkup. Janë marrë disa kompjuterë, të dhëna kompjuterike dhe tjetër dokumentacion, të cilët do të jenë lëndë e analizës dhe ekspertizës. Ky aksion erdhi pas publikimit të informacioneve në media se, se punonjësit e Klinikës së Onkologjisë në mënyrë të paligjshme u shesin barna pacientëve.

Ky rast nxiti reagime të shumta.

Ministria e Shëndetësisë do të bashkëpunojë ngushtë me autoritetet hetimore për zbardhjen e rastit të keqpërdorimit të terapisë për pacientët e Klinikës Onkologjike, kështu ka thënë për këtë rast ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti. Sipas tij, është e nevojshme të kryhet hetim i plotë dhe i paanshëm.