Ekipet e EVN-së nisën punën në Sllupçan: “Do të paguhet aq sa harxhohet, nuk duam të jemi pikë e zezë siç na kanë përfaqësuar”

Ekipet e shpërndarjes së energjisë elektrike kanë filluar punën në fshatin Sllupçan të Likovës, ndërsa në një pjesë të fshatit tashmë janë ndërruar orëmatësit. Është rënë dakord që shfrytëzuesit e asistencës sociale t’i paguajnë me këste faturat e vonuara, thanë përfaqësuesit nga komuna, transmeton 360 Gradë.

Lidhur me marrëveshjen me banorët e Sllupçanit, EVN thotë se ligjet që vlejnë për të gjithë përdoruesit do të vazhdojnë të zbatohen.

Kryetari i Këshillit të Komunës së Likovës, Zekrija Shaini, tha se aktivitetet në terren janë duke vazhduar sipas marrëveshjes.

“Situata ishte e trazuar dhe banorët e fshatit donin të dinin se çfarë do të bënte EVN. Ata janë kompani private dhe ne donim të dinim saktësisht se çfarë do të bënin si me të gjitha kompanitë private. Gjysma e fshatit përdor ndihma sociale dhe kemi pasur kërkesë që borxhet të paguhen me këste, e cila vlen për të gjithë qytetarët në Maqedoni. EVN do të duhet të vendosë shtylla pranë planit ku është fshati”, ka thënë Shaini.

Lidhur me kërkesën për të paguar nga 3.000 denarë, pavarësisht konsumit, ai tha se në atë përleshje përmes mediave me disa persona të EVN-së, disa nga kërkesat e banorëve të Sllupçanit ishin të palogjikshme.

“Kërkesa nuk është e logjikshme, do të paguhet aq sa harxhohet dhe ne nuk duam të jemi pikë e zezë siç na kanë përfaqësuar. Ata që janë raste sociale do të paguajnë me këste. Pjesa tjetër paguajnë si gjithë të tjerët në vend”, ka thënë Shaini, duke shtuar se në Sllupçan janë mbi 60 për qind të banorëve që paguajnë faturat.

Rrjeti në Sllupçan nuk është rindërtuar për më shumë se 20 vjet që nga konflikti i vitit 2001.

Ndryshe, në fshatin Sllupçan të komunës së Likovës më 7 korrik një grup banorësh kanë bllokuar rrugët për të penguar ekipet për nxjerrjen e orëmatësit jashtë shtëpive të tyre, ashtu siç veprohet në të gjithë vendbanimet tjera në vend.