Kompanitë energjetike në RMV kërkuan rritjen e tarifave që qytetarët i paguajnë në faturat e rrymës
Kompania shtetërore MEPSO ka kërkuar rritjen e tarifës për transmetimin e energjisë elektrike për më shumë se 97 përqind, tregojnë dokumentet e publikuara në faqen e Komisionit Rregullator për Energjetikë, transmeton Portalb.mk.
Në kërkesën e dorëzuar më 16 tetor, operatori i sistemit të transmetimit të energjisë elektrike kërkon që të ardhurat bazë për vitin 2027 të përcaktohen në 2,93 miliardë denarë, të ardhurat maksimale të rregulluara për transmetimin e energjisë elektrike të jenë 3,38 miliardë denarë, ndërsa sasia e energjisë elektrike në dalje nga rrjeti i transmetimit të MEPSO-s vitin e ardhshëm të jetë 5.677.151.958 kilovat-orë.
MEPSO kërkon që tarifa mesatare për transmetimin e energjisë elektrike të jetë 0,5966 denarë për kilovat-orë, që nënkupton rritje prej 97,68 përqind krahasuar me tarifën mesatare aktuale.
Kërkesë për miratimin e të ardhurave maksimale të rregulluara, tarifës mesatare të rregulluar dhe tarifave për elementet llogaritëse për vitin 2027 në Komisionin Rregullator ka dorëzuar edhe SHA EMV, e cila kërkon rritjen e tarifës mesatare për 52,7 përqind. Në kërkesë parashikohet që sasia e planifikuar e energjisë elektrike të shpërndarë te konsumatorët në vitin 2027 të jetë 221.037.252 kilovat-orë, me tarifë mesatare prej 0,6005 denarësh për kilovat-orë.
Në dokumentet e publikuara nga Komisioni Rregullator, Elektrodistribucioni nuk ka dorëzuar të dhëna për të ardhurat maksimale të rregulluara, pasi ende nuk ka përfunduar procedura e prokurimit të energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në rrjet. Ndërkaq, Operatori Kombëtar i Tregut të Energjisë Elektrike, MEMO, nuk ka kërkuar ndryshimin e tarifës mesatare për organizimin dhe menaxhimin e tregut të energjisë elektrike.
Ndryshe, energjia elektrike për bizneset në Maqedoninë e Veriut është më e shtrenjta në Ballkanin Perëndimor, me 0.38 dollarë për kilovat-orë në vitet 2023–2024, gati 50% mbi mesataren e Bashkimit Evropian, e cila është 0.26 dollarë. Sipas raportit të OECD-së për konvergjencën ekonomike në Ballkanin Perëndimor për vitin 2026, vendi ka çmim dukshëm më të lartë edhe krahasuar me mesataren rajonale prej 0.25 dollarësh për kilovat-orë.