Edhe pak ditë në Kumanovë do të mbahet Festivali i Këngës për Fëmijë “Fluturat 2025”
Më (23 maj) me fillim nga ora 18:00 në Shtëpinë e Kulturës në Kumanovë do të mbahet edicioni XVII i Festivalit të Këngës për Fëmijë “Fluturat 2025”, një mbrëmje plot ngjyra, muzikë dhe emocione, shkruan Portalb.mk.
Festivalit të Këngës për Fëmijë “Fluturat 2025” është një ngjarje festive dhe artistike me karakter garues, ku talenti, zëri dhe energjia fëmijërore do të jenë në qendër të vëmendjes.
Ky festival ka karakter garues ku një juri profesionale do të vlerësojë performancat dhe do të ndajnë çmime simbolike për interpretimin më të mirë, zërin më të veçantë dhe shumë çmime të tjera.
Ilir Latifi, drejtor i festivalit për Portalb.mk tha se 90% e këngëve janë premierë për këtë festival.
“Këngët janë të krijuara enkas për këtë festivalin “Fluturat”, ku shumica e pjesëmarrësve paraqiten për herë të parë në skenën e bukur të këtij festivali. 90% e këngëve janë premierë. Në këtë edicion marrin pjesë 24 fëmijë nga të gjitha trevat shqiptare si: Shqipëri, Kosovë, Serbi dhe nga gjitha qytetet e Maqedonisë së Veriut: Shkup, Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Strugë dhe Kumanovë”, tha Latifi.
Latifi edhe më tej shtoi se interesimi ka qenë tepër i madh për të qenë pjesëmarrës i festivalit “Flutura”.
“Interesimi ka qenë tepër i madh, aplikimet e kanë tejkaluar limitin dhe është bërë përzgjedhje e këngëve të cilat kanë qenë të realizuara më profesionalisht”, tha Latifi.
Këtë vit festivali “Fluturat” nuk është përkrahur nga Ministria e Kulturës, mundësohet nga sponsorët tha Latifi.
Ai theksoi se Ministria e Kulturës së RMV-së këtë vit e ka anashkaluar këtë festival që ka traditë 17 vjeçare dhe se është përkrahur vetëm nga Komuna e Kumanovës dhe mundësohet me ndihmën e sponzorëve.
